Klubet nje hap larg krijimit të “Ligës Profesioniste”

0
SHPËRNDAJE


Në një futboll që ka njohur ngritje në vitet e fundit, tashmë mbetet për tu hedhur hapi i fundit për të realizuar rritjen cilësore, jo vetëm në lojë, por edhe në organizimin e garës. Kjo është arsyeja përse prej disa muajsh, Federata e Futbollit, ku zv.presidenti Edvin Libohova është angazhuar personalisht, ka zhvilluar takime me drejtuesit e klubeve për krijimin e Ligës Profesioniste.

“Pas takimeve individuale që kemi zhvilluar me të gjithë presidentët e klubeve, kemi marrë një miratim në parim dhe një gadishmëri për të krijuar Ligën. Është një proces i ri, që është tentuar disa vite më parë, por ka dështuar. Me eksperiencën që do të ofrojmë nga pikëpamja organizative dhe ligjore, besoj që vetë klubet do të ndërgjegjësohen dhe do të krijojnë vetë strukturën e tyre e cila do të jetë shumë më e përshtatshme për zhvillimin e garës.”

Pas punës në terren, tashmë ka ardhur momenti që presidentët dhe klubet të vendosin përfundimisht për hedhjen e hapave konkretë në këtë drejtim.

“Projekti është në fazën që ka pasur vetëm diskutime dhe projekt ide të mënyrës së organizimit. Pas përfundimit të veprimtarive sportive në këtë sezon do të zhvillojmë një takim përmbyllës, në të cilin do të vendoset përfundimisht mënyra sesi klubet do të operojnë nga pikëpamja e statutit, zgjedhja e organeve drejtuese dhe mënyra e menaxhimit, që nis me diskutimet për soponsorët, komunikimi me mediat dhe për arbitrimin.”

Përveç përmirësimit të cilësisë së garës dhe rritjes së të ardhurave ekonimike, nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha klubeve për të mirën e produktit, në futbollin shqiptar krijimi i Ligës paraqitet si një sfidë më vete.

“Duke parë mënyrën sesi zhvillohet gara në terren, duke parë pakënaqësitë apo pretendimet që klubet dhe presidentët kanë ndaj njëri tjetrit, mund të themi që edhe kjo fushë ka problematikat e saj. Nëse deri më sot të gjitha pakënaqësitë drejtohen ndaj federatës apo sistemit të arbitrimit, nesër klubet do ta kenë midis tyre dhe nuk do të kenë ku të qahen. Përveç gadishmërisë për ta krijuar dhe dëshirës, sigurisht që do të ketë edhe problematika për funksionimin më të mirë në ndihmë të zhvillimit të garës.”

Zv.presidenti i FSHF-së, Libohova beson se nëse klubet do të gjejnë dakordësinë për të krijuar Ligën Profesioniste, ky institucion mund të jetë funksional prej vitit të ardhshëm.

“Nëse së bashku me klubet do të dakordësohemi në takimin përmbyllës do të mbetet vetëm ana administrative dhe proceduriale: pra statuti, legalizimi, regjistrimi në gjykatë dhe krijimi i strukturave përkatëse drejtuese. Nëse do të bihet dakord për çdo gjë, besoj që vitin e ardhshëm duhet ta kemi Ligën e Futbollit.”

Video Player

S'KA KOMENTE

Comments are closed.