Klubi shkodran, ende asnjë lëvizje në merkato. Rinovon Tafili, Vllaznia skarcon dy të huajt në provë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Pas Arlind Kalasë, ka ardhur dje edhe firma e mesfushorit tjetër, Alsid Tafili. Këtij të fundit i skadoi kontrata dhe pas bisedimeve me drejtuesit, ka rinovuar edhe për një sezon. Lajmin e konfirmoi vetë klubi shkodran. “Vllaznia ka vijuar procesin e rinovimit të kontratave me futbollistët aktualë. Tafili kishte rënë parimisht dakord për të rinovuar dhe për këtë arsye, prej ditësh iështë bashkuar në stërvitje ekipit.

Nga sot (dje), ai është zyrtarisht pjesë e Vllaznisë edhe për sezonin 2017-2018, duke firmosur kontratë 1-vjeçare. Procesi i firmosjes së kontratave të reja do të vazhdojë edhe në ditët e
ardhshme”, bën të ditur klubi shkodran në faqen zyrtare.

Ndërkohë, mësohet se edhe emra si Florind Bardulla dhe Ardit Krymi do të rishikojnë termat e kontratës. Kjo nuk pritet që të sjellë surpriza negative për kuqeblutë, pasi pritet ta zyrtarizojnë
rinovimin.

SITUATA – Merkatoja e Vllaznisë është ende në vend numëro. Vijon të mbetet pistë e hapur, afrimi i mesfushorit shkodran, Edon Hasani, i cili ishte në bisedime me Partizanin, por nuk firmosi.
Nga ana tjetër, mbetet të shikohet se çfarë do të ndodhë me Gilman Likën. Me këtë të fundit, administratori Astrit Gjyrezi është takuar pak ditë më parë, por nuk mund të thuhet ende se ka
një marrëveshje.

Vllaznia ka tentuar edhe fantazistin Erjon Vucaj, por ky i fundit duket se edhe sezonin e ardhshëm do të vazhdojë të mbetet te Laçi. Nga shumë emra të kërkuar në listën e Armando Cungut, deri tani, përveç lojtarëve shkodranë, ka dalë në skenë edhe tiranasi Erando Karabeci, por ka refuzuar ofertën.

Ndërkohë, prej tri ditësh, pranë Vllaznisë kanë mbërritur në provë dy lojtarë serbë, pikërisht portieri 28-vjeçar Bojan Zogoviç, si dhe mbrojtësi 31-vjeçar, Vladimir Otasheviç.
Mirëpo, pas vetëm tre seancash trajneri Cungu ka marrë vendim: lojtarët nuk bëjnë për Vllazninë. Kësisoji, ata janë kthyer nga kanë ardhur, duke mos lënë asnjë gjurmë, edhe pse fillimisht u
përfol se mbrojtësi mund të firmoste.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.