Kombëtarja e Panuçit me lojë më sulmuese se ajo e De Biasit

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ Nuk mund të quhet rezultat historik. Edhe pse Shqipëria ishte qind për qind dinjitoze ndaj një fuqie të futbollit si Italia, humbja padyshim që nuk ishte sukses. Në histori kemi shumë dinjitet dhe pak pikë në përballje të tilla, mjaft të kujtojmë Gjermaninë Perëndimore në 1967, Spanjën në 1987, katër herë Gjermaninë në vitet 80-të, 90-të e 2000, pa harruar Portugalinë apo Francën.

Dueli Hysaj – Insinje

Humbja është humbje, por gjithsesi Shqipëria e “Loro Boriçit” mund ta mbajë kokën lart. Ndaj katër herë kampionëve të botës luajti thuajse si e barabartë, edhe pse cilësia në fushë nuk ishte aspak e tillë. Përballë Berishës, Mavrajt, Agollit, Kaçes, Grezdës apo Sadikut ishin kampionë të tillë si Bufon, Kielini, Bonuçi, Kandreva, Insinje apo Imobile.

Megjithë mungesat e rëndësishme të Verratit, De Rosit apo Belotit, Italia sërish ishte imponuese dhe u tregua shpesh herë e rrezikshme. Ishte pikërisht njëri prej këtyre kampionëve, Antonio Kandreva i Interit, një djalë me origjinë edhe arbëreshe, që konkretisht bëri diferencën në fushë.

Gjithsesi, kombëtarja fitoi ndaj italianëve diçka të rëndësishme, pikërisht identitetin e lojës sulmuese të trajnerit të ri, Kristian Panuçi. Italiani po tregon se i përket më shumë shkollës italiane të Sakit apo Lipit, sesa asaj të “katenaços”. Më shumë lojë e hapur, më shumë guxim për t’i dalë ballazi Italisë së madhe, më shumë skema dhe kombime drejt sulmit.

Natyrisht, është herët për të bërë një krahasim me De Biazin, njeriun që ishte në stol të përfaqësueses që shkoi në finalet e Europianit. Përtej lojtarëve të konfirmuar si Agolli, Hysaj apo Sadiku, kombëtarja mund të thuhet se ka fituar përfundimisht dy të tjerë.

Eros Grezdën dhe Ergys Kaçen. i pari, ende me pak ndeshje në ekip, po fiton besim gjithnjë e më shumë duke treguar cilësitë e larta. i dyti, mjaft i talentuar dhe prej shumë kohësh pjesë e grupit, por me probleme të ndryshme në karrierë, që shpresojmë t’i ketë kaluar.

Si konkluzion, duhet thënë se kombëtarja arriti objektivin e edicionit në eleminatoret e Botërorit, vendin e tretë pas Spanjës dhe Italisë. Ishte një konfirmim pas kualifikimit në Francë, dhe dihet se gjithnjë është më e vështirë të konfirmohesh. Tashmë, për Panuçin vjen më e vështira, pasi Shqipëria pret që ta dërgojë skuadrën në Europianin e vitit 2020.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU