Kombëtarja, e vetmja ambasadë e vërtetë shqiptare

0
SHPËRNDAJE

Një replikë me Artan Fugën dhe “selfiet” e Kryeministrit Edi Rama.

Profesori është shumë i stresuar, ka shumë punë, jep leksione andej-këndej universiteteve dhe çdo ditë i del koha edhe të shkruaj disa artikuj të zhanreve nga më të ndryshmit për disa gazeta përnjëherë!! Përditë kjo punë! Desha dhe dje t’i përgjigjem për shkrimin e tij të djeshëm, se si thashë ky shkruan përditë, por unë nuk kisha shtysën e duhur mentale, si të thuash nuk jam në formë 24 / 24 orë për të shkruar ashtu si është profesori, që me sa duket kalon pak në inflacion. Ja, dola sot…

Ore profesor, a e di ti se Alfabeti shqip dhe Kombëtarja jonë janë dy simbolet e vetme reale, hë për hë, që simbolizojnë kombin tonë të bashkuar? Apo, vari lesht, punë tifozësh, punë turmash kjo punë, që nuk pranokan “mendimin ndryshe të individit që rrezikon të masakrohet”, apo “përçarjen e qytetit”, siç shprehet profesori tekstualisht?!?!

1
Kombëtarja para ndeshjes me Armeninë

Në qoftë se ka ambasadë shqiptare sot, që përfaqëson Shqipërinë më bukur edhe se realiteti ekonomiko-shoqëror (dhe kjo është detyrë e ambasadave e jo të nxjerrin në vitrinat e tyre “dyqane bosh” – shprehje e Z.Fuga, kjo) ekzistues, kjo është Kombetarja Shqiptare. Në vend që kombëtarja jonë në këtë mision të lartë kombëtar të mbështetet, i futen pyka, pyka nga intelektualë të llojit Profesor Fuga, pyka indirekt deri nga qeveria, siç do ta prekë pak më poshtë.

Një takim sportiv mes Shqipërisë dhe Greqisë, apo Serbisë, nuk është ashtu, thjesht një shfaqje sportive, siç thotë profesori, dhe as një copë loje me top, si u shpreh Kryeministri, mbasi iu turbullua takimi me mikun e tij të shtrenjtë, Zotin Vuçiç, vitin e kaluar. Joooo, zotërinj! Ajo shfaqje thjesht sportive, siç e quani ju, paraprihet nga ekzekutimi i himnit tonë kombëtar, që çon në këmbë miliona shqiptarë anembanë botës, pavarësisht dëshirës së profesorit.

Artan-Fuga
Profesor Artan Fuga

Dhe ky numër nuk bëhet me minorenë, u çua në këmbë vetë zoti Fuga, apo jo! Se si e bën lidhjen Fuga të shënimit të një goli në stadium me rritjen e çmimit të specave në tregun fshatar, që ai me sa duket monitoron, kjo mbetet një enigmë për ne vdekësit e zakonshëm shqipfolës. Kurse, tendenca denigruese për “turmat”, që u entuziazmokan jashtë limiteve të z.Fuga, ky profesor na e paraqet si shfaqje paraqytetëruese shqiptare, fazë të cilën “të qytetëruarit” e paskan kaluar para një shekulli, të paktën!

More zotëri, quaje dhe propagandë nacionaliste po të duash, por është kombëtarja jonë ajo që po demonstron forcën dhe vitalitetin e Shqipërisë, të shqiptarëve, është ajo që po përçon më tepër se çdo leksion psikologjie, fletushke a broshure turistike, apo edhe batute kryeministrore, një reklamë të paçmueshme për vendin dhe popullin tonë, duke i dhënë edhe identitetit kombëtar një shtysë, një nxitje, një dalje nga përgjumja, duke krijuar momente të atilla emocionale, që hë për hë nuk është në gjendje t’i prodhojë askush tjetër, qoftë profesor, kryeministër apo ambasadë shqiptarë, që paguhet për atë punë.

2335
Edi Rama me lojtarët e Kombëtares

E meqë ra fjala për pagesat: Paguhen ambasada e misionarë gjithandej globit, të aftë e të paaftë, profesionistë karriere, apo miq e kushërinj politikanësh, që të bëjnë të mundur që emrit të Shqipërisë t’i kushtohet pak më tepër vëmendje. Dhe mirë bëhet! Por nuk paguhet dhe, madje, abandonohet një ansambël nja 30 vetësh, aktiviteti i të cilëve është më i vlefshëm se shumë ambasada bashkë, aktivitet i cili transmetohet “live” nga një duzinë stacionesh televizive (ndeshja Shqipëri-Portugali) në rreth 70 vende të botës! Cili veprim a spektakël tjetër shqiptar, qeveritar a pedagogjik, fetar a artistik, arrin një impakt të tillë zotërinj?

Dhe roli i Juaj, Zoti Kryeministër? Po, këtu ka paksa të drejtë Fuga! Ju dilni me dëshirë në foto me aktorët e këtij suksesi mbarëshqiptar, i postoni në Facebook-un tuaj dhe merrrni pëlqime “me thasë”! Por, të ndërtoni një impiant sportive, ku këto ngjarje të paharrueshme sportive e kombëtare, në fund të fundit të përjetohen masivisht, nuk e vini ujin në zjarr. Entuziazmit të shqiptarëve milionësh i dhuroni (e keni qejf këtë term!) një stadium të shpëlarë e të shpërndarë në një hapësirë të stërmadhe, ku humbet dukshëm përjetimi i asaj që po ndodh, ku humbet dukshëm mbështetja ndaj ekipit tonë që përballet me elitën europiane në atë karrakatinë arkaike, që ju e lyet me bojë sipas shijeve të dikujt dhe e quajtët modernisht “Elbasan Arena”.

Roland Luci , Shkoder 1984
Roland Luçi , Shkodër 1984

Ashtu si po talleni dhe me “arenën” tjetër në Shkodër, duke i bërë një biçim adaptimi, sipas një koreografie abstrakte atij që duhej të ishte një impiant modern futbolli, ku kombëtarja në fushe dhe në në stadium të përbënin një unison në përpjekjet drejt suksesit. Të ishte një impiant i tillë, që të mos i bënte të vuanin shqiptarët anembanë për të siguruar një biletë hyrjeje që të shohin kombëtaren e tyre! Apo, siç po talleni ju e të gjithë faktorët e tjerë përgjegjës, që nuk iu mundësoni të gjithë shqiptarëve shikim të lirë, jokomercial, të kombëtares se tyre në TV!

Që të tregoni se jeni pjesë e këtij suksesi jo vetëm me “selfie”, apo Facebook, veproni zotëri, merrni përsipër shpenzimet e stafit drejtues dhe të udhëtimit të kombëtares në aktivitetet zyrtare, se kështu tregoni se e mbështesni atë dhe bëheni pjesë e suksesit. Pastaj do të keni të drejtë të krenoheni dhe të bëni nga pak propagandë, gjë që duhet t’jua justifikojë në këtë rast edhe professor Fuga. Nga ana tjetër i jepni mundësinë FSHF-së që të investojë pak më tepër në infrastrukturën sportive dhe kampionatin shqiptar. Që Shqipëria të ketë edhe më shumë sukses, sepse, në fund të fundit, për këtë jeni zgjedhur dhe për këtë paguheni zotëri!

S'KA KOMENTE

Comments are closed.