Kombëtarja kapitullon pa kushte, Izraeli fiton në “Elbasan Arena”

0
SHPËRNDAJE

penalltia1

Shqipëria pëson një humbje të turpshme në “shtëpi” dhe përjeton një ndër mbrëmjet më të errëta në vitet e fundit, teksa u mposht mbremjen e sotme me shifrat 0-3 nga Izraeli. Takimi i luajtur në “Elbasan Arena” ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Kombëtares kuqezi qysh prej kohës kur De Biazi mori drejtimin e saj.

Kuqezinjtë e mbyllën ndeshjen me 9 lojtarë pas daljes me kartona të kuq të mbrojtësit Gjimshiti në pjesën e parë, dhe portierit Berisha në të dytën. Misioni për kuqezinjtë u bë më i vështirë me daljen e portierit Berisha me të kuq në të 58-n, por Alban Hoxha shpëtoi portën duke pritur penalltinë. Megjithatë, fati nuk ishte me ne në minutën e 66-të, kur Ainbinder ndëshkoi kuqezinjtë.

Padyshim që është një ndeshje për t’u harruar kjo e sotmja, e cila më tepër do të mbahet mend për masat ekstreme të sigurisë.

Takimi nis i shpejtë dhe që në të 5-tën, Shqipëria jep sinjalin e parë, me Llullakun që nxjerr bukur Memushajn brenda zonës. Mesfushori gjuan me të majtën, por goditja e tij është e dobët dhe e pasaktë.

Pas 3 minutash, tjetër kërcënim nga kuqezinjtë. Roshi merr krahun e djathtë dhe kroson në zonë, por pasimi i tij është pak më i lartë seç duhet për Llullakun.

Loja përqëndrohet në mesfushë dhe në të 15-tën, Kukeli provon me një të djathtë nga jashtë zone, por topi është i dobët dhe shkon jashtë kuadratit.

Në të 17-tën, penallti për Izraelin dhe karton i kuq direkt për Berat Gjimshitin. Mbrojtësi pengoi nga prapa mesfushorin Zahavi dhe gjyqtari Aytekin nuk kishte asnjë dyshim.

Kapiteni Zahavi nuk gabon dhe mposht Berishën. 1-0 për Izraelin, dhe kuqezinjë marrin një goditje të rëndë.

Shqipëria duket e tronditur dhe rrezikon të pësojë sërish. Në të 24-tën, Cohen i futet një dueli një për një me Mavrajn dhe mbrojtësi provon të ndërhyjë, por në momentin e fundit e tërheq këmbën. Topi i hedhur në zonë nga mesfushori izraelit kontrollohet nga mbrojtja.

Në të 33-tën, Roshi tenton me njtë djathtë nga larg, mirëpo goditja e tij është e lehtë dhe qendrore me portierin Goresh pret pa problem.

Eshtë minuta e 39-të, kur Shqipëria shpëton mrekullisht nga goli i dytë. Pas një topi të fituar në mesfushë, izraelitët shfaqen të rrezikshëm në zonën tonë, por Berisha në dalje shpëton portën nga goli i sigurt.

Në të 41-tën, Balaj ka një mundësi të mirë. Memushaj kroson nga këndi dhe sulmuesi gjuan me kokë, por goditja e tij është qendrore dhe e lehtë për “gardianin” mik.

Në fundin e pjesës së parë, presioni i sjell izraelitët sërish pranë portës sonë. Natkho lëshon një të djathtë të fuqishme nga jashtë zone, e cila fatmirësisht shkon jashtë kuadratit.

Pjesa e dytë nis mes vërshëllimave të tifozëve dhe thirrjeve kundër kreut të FSHF-së, Armando Duka.

Në të 54-tën, Shqipëria merr një tjetër goditje. Portierin Etrit Berisha nuk e mbajnë nervat dhe godet me kokë Zahavin. Anësori sinjalizon kryesorin Aytekin, i cili nuk ia kursen kartonin e kuq. Tjetër 11-metërsh për izraelitët.

Pas tre minutash ndërprerje të ndeshjes, Alban Hoxha hyn në fushë në vend të sulmuesit Llullaku dhe ashtu si në verë me Partizanin, tregon qetësinë e tij në gjuajtjen e Zahavit duke neutralizuar goditjen e futbollistit izraelit.

Në të 66-tën, Izraeli shënon golin e dytë. Miqtë thellojnë epërsinë me mesfushorin Einbinder, i cili me fat e dërgon topin në rrjetë pas një grushtimi të portierit Hoxha.

Kuqezinjtë goditen psikologjikisht dhe nuk kanë forcë as të kalojnë gjysmëfushen.

Në të 84-tën, Izraeli shënon edhe golin e tretë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Atar shfaqet i vetëm para portierit Alban Hoxha dhe e ka lojë fëmijësh ta shtyjë topin në rrjetë.

Deri në fund, rezultati nuk ndryshon me Izraelin që administron mjaft mirë rezultatin, ndërsa Shqipëria të paktën shënon një gol në pozicion jashtë loje, më e mira që mund të bëntë në këtë ndeshje, pasi ishin në një ditë të errët.

Disfata e dytë e zbret ekipin tonë në vendin e katërt me 6 pikë, kurse Izraeli ngjitet i treti në kuotën 9. /minuta90.com/

Shqipëri-Izrael 0-3

Golat: Zahavi (pen) 18’, Einbinder 66’, Atar 84’

Shqipëria: Berisha, Hysaj (Çani 79’), Gjimshiti, Mavraj, Agolli, Kukeli, Xhaka (Manaj 82’), Roshi, Memushaj, Llullaku (Hoxha 57’), Balaj (në dispozicion: Strakosha, Lila, Veseli, Aliji, Lenjani, Basha, Hyka, Grezda, Abrashi) Tr: Gianni De Biasi

Izraeli: Goresh, Dasa, Tzedek, Tibi, Gershon, Einbinder (Hemed 70’), Natkho, Cohen, Sahar (Buzaglo 64’), Ben Haim (Atar 75’), Zahavi (në dispozicion: Amos, Glazer, Tawatha, Harush, Keltjens, Micha, Ohana, Lavi) Tr: Elisha Levy

Gjyqtarë: Deniz Aytekin, Guido Kleve, Markus Hacker, Daniel Siebert

Kartonë të verdhë: Llullaku 31’, Xhaka 49’/ Goresh 40’, Sahar 61’, Buzaglo 80’

Kartonë të kuq: Gjimshiti 17’, Berisha 55’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.