Konfirmohet/ Flamurtari do luajë me tifozë ndaj Skënderbeut

0
SHPËRNDAJE

Vendimi i Komisionit të Apelit, ndonëse i vonuar, i ka dhënë mundësinë Flamurtarit që të kthejë shumë shpejt tifoztë në shkallët e stadiumit. Vlonjatët do të kenë mundësinë ta bëjnë një gjë të tillë në ndeshjen më të rëndësishme, atë kundër Skënderbeut kryesues, në sfidën që hap fazën e dytë të Superiores.

Sipas vendimit origjinal, me dënimin prej katër javësh të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, edhe nëse Flamurtari do të shlyente me pagesën e një gjobe gjysmën e dënimit, përsëri ishte i detyruar të luante pa praninë e mbështetësve të vet ndeshjen kundër ekipit korçar.

Me vendimin e sotëm, nëpërmjet gjobës ata mund të kthejnë përsëri tifozët në stadium për duelin në fjalë dhe kjo është pikërisht ajo që vlonjatët kanë planifikuar të bëjnë. Burime pranë klubit kanë konfirmuar për “VIP Sport” se në ditët në vijim do të bëhet edhe pagesa përkatëse në FSHF për të mundësuar hapjen e dyerve të stadiumit për mbështetësit e zjarrtë vlonjatë në ndeshjen e të enjtes së ardhshme.

Në FSHF duket se e kishin parashikuar këtë vendim, pasi ndeshja në fjalë ishte planifikuar të luhej në orën 17:00, nën dritën e projektorëve të stadiumit në Vlorë.

Flamurtari

S'KA KOMENTE

Comments are closed.