Korab këtë herë nuk ta ka fajin gjyqtari, Luftëtari kalon Tiranën në klasifikim

0
SHPËRNDAJE

Luftëtari ka përfituar nga gabime te skuadrave që kishte më sipër në klasifikim për të zaptuar vendin e katërt në renditjen e Superiores, një objektiv që pakkush e mendonte të arritshëm në fillim të këtij sezoni. Skuadra e drejtuar nga Mladen Milinkoviç ka mundur 2-0 Korabin për të marrë tri pikët në një ndeshje që u vendos në 15 minutat e para të pjesës së dytë të duelit.

Pas 45 minutave të para të ekuilibruara, ku të dy ekipet prodhuan raste, por me një lojë nën nivelin e pritshëm, pjesa e dytë filloi me shkëndija. Hoxhaj fitoi një penallti dhe mori përsipër të ekzekutonte vetë, por Ruçi e hipnotizoi në gjuajtjen nga pika e bardhë duke grushtuar goditjen e sulmuesit të talentuar.

Ky gabim u ndëshkua menjëherë nga vendasit me anë të të zakonshmit Bregu i cili shfrytëzoi një asist perfekt të mesfushorit Rroca për të dërguar topin në rrjetën e Vujadinoviç. Pak minuta më vonë, ndeshja u mbyll plotësisht me sulmuesin Abazaj, i cili shfrytëzoi pavëmendjen e radhës të prapavijës së Korabit për të dyfishuar avantazhin e skuadrës së tij. Ndërkaq, gjyqtari Lorenc Jemini largoi me karton të kuq shkodranin Ramadani nga njëra anë dhe mesfushorin Zefi nga ana tjetër, për të lënë skuadrat me 10 lojtarë.

Kjo bëri që ritmi i lojës të binte dhe pavarësisht disa tentativave të dëshpëruara të Korabit për të rihapur ndeshjen.

Takimi fillon me një ritëm të ulët, pasi dy skuadrat po tregohen shumë të kujdesshme për të mos lënë hapësira për kundërshtarët, ndërsa rasti i parë serioz vjen në minutën e 12-të, teksa Luftëtari është shumë pranë golit.

Pas një goditje dënimi, topi përfundon te Boyom, i cili e kalon te Bregu. Gjuajtja e këtij të fundit me kokë kalon portierin Vujadinoviç dhe pastaj përplaset në traversë, ndërsa mbrojtja e Korabit largon rrezikun.

Pas 60 sekondash, në zhvillimin e një goditje nga këndi, Reginaldo nuk koordinohet siç duhet në gjuajtjen e tij në portë dhe sfera kalon lehtë në krahët e Vujadinoviç.

As Korabi nuk qëndron duarkryq, ndërsa në minutën e 14-të një harkim nga e djathta gjen në zonë kapitenin Mziu i cili gjuan me kokë, por topi kalon mbi traversë.

Kur po kronometrohej e 18-ta, veprim shumë i bukur i mesfushorit Bregu i cili provon të gjejë rrjetën me një roveshatë nga jashtë zonës por nuk ka shënjestrën për të dërguar topin në kuadrat.

Më vonë, dy goditje nga këndi radhazi të skuadrës dibrane nuk prodhojnë rrezik për portën e portierit Ruçi, por loja zhvendoset në gjysmëfushën e vendasve të cilët lënë hapësira për kundërsulmin e rrezikshëm të ekipit mik.

Në të 31-tën, Reginaldo arrin të dërgojë topin në rrjetën e Korabit, por gjyqtari Jemini vërshëllen duke ndalur aksioni pasi sulmuesi ka bërë një faull të dukshëm ndaj portierit Vujadinoviç.

Pas 9 mintuash, pasiguri e mbrojtjes së Luftëtarit, teksa përfiton Kaloshi i cili arrin të gjuajë në portë por jo me forcën e duhur sa për të mposhtur portierin Ruçi.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa pjesa e dytë fillon me mesfushorin Jubani në vend të sulmuesit Emrush Kaloshi në radhët e Korabit.

Sapo nis fraksioni i dytë, ekzaktësisht në minutën e 49-të, Hoxhaj i shmanget mbulimit të Boyom dhe hyn në zonë në krahun e majtë ku ndalet në mënyrë të gabuar nga Beqiri. Për gjyqtarin Jemini nuk ka dyshime dhe arbitri bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë. Sulmuesi merr përsipër ta ekzekutojë vetë, por nuk mposht dot portierin Ruçi i cili grushton goditjen e tij.

Po nuk shënove e pëson, dhe ligji i pashkruar i futbollit hyn në fuqi në minutën e 55-të, kur Bregu kalon në avantazh Luftëtarin. Aksion i shkëlqyer me prekjen e parë i gjirokastritëve ku Rroca gjen saktësisht në zonë Bregun, teksa mesfushori i talentuar nuk fal para Vujadinoviç. 1-0.

As 4 minuta nuk kalojnë plotësisht, dhe vjen shpejt edhe goli i dytë për vendasit e Luftëtarit. Kundërzbritje e shpejtë e sulmuesit Abazaj që gjen hapësira mes mbrojtjes së Korabit dhe dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje të fortë. 2-0.

Pas golit, ka tension në fushë pas golit të dytë, situatë të cilën Jemini e zgjidh duke i dhënë karton të kuq mesfushorit Zefi nga njëra anë dhe të verdhin e dytë shkodranit Ramadani nga ana tjetër, për të lënë me 10 lojtarë të dy ekipet.

Në të 73-tën, pas disa minutave qetësi, me ritmin e lojës që ka rënë ndjeshëm, vjen një shkëndijë nga Korabi. Arifaj provon të gjejë rrjetën me një gjuajtje nga distanca por topi përfundon mbi traversë.

Kur po kronometrohej e 80-ta, goditje nga këndi për Luftëtarin. Topi arrin te Beqiri i cili mundohet ta kthejë drejt kuadratit por e dërgon sferën mbi traversë.

Pas 4 minutash, aksion i shpejtë i Korabit me protagonistë dy sulmuesit Ivani dhe Hoxhaj, por Boyom zgjidh gjithçka me ndërhyrjen e tij të saktë duke mos u dhënë mundësinë kundërshtarëve të gjuanin në portë.

Gjyqtari i katërt, Olsid Ferataj akordon 3 minuta shtesë, por këto minuta nuk sjellin ndryshime. Deri në fund, nuk ka më histori dhe merr 3-pikë që e dërgojnë në vendin e katërt, falë golave të mesfushorit Dejvi Bregu dhe sulmuesit Kristal Abazaj, ndërsa Korabi mund të bënte shumë më tepër, por herë për faj të vet dhe herë për faj të gjykimit, ka lëshuar aq shumë pikë gjatë rrugës, sa që tashmë është pa shpresë.

Luftëtari mori tri pikët që i nevojiteshin për të marrë fitoren që tashmë e ngjit mes ekipeve që pretendojnë për Europën.

Javën e ardhshme, Luftëtari luan në transfertë me Skënderbeun, ku do të tentohet edhe një pikë, ndërsa Korabi pret Vllazninë, në një përballje tepër të fortë për mbijetesën. /minuta90.com/

Luftëtari-Korabi 2-0

Golat: Bregu 55’, Abazaj 59’

Luftëtari (4-4-2): Ruçi, Liçaj, Boyom, Beqiri, Rapa, Zguro, Rroca (Aleksi 65’), Ramadani, Bregu, Abazaj (Lamçja 85’), Reginaldo (Rapo 89’) (në dispozicion: Miraka, Topi, Brahimaj, Zogaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Korabi (4-2-3-1): Vujadinoviç, Shabani, El. Prençi, Çela, A. Peposhi, Zefi, Gavazaj, Mziu, E. Kaloshi (Jubani 46’), Arifaj, Hoxhaj (në dispozicion: Laço, Sheta, Kraja, G. Kaloshi, D. Peposhi, Ivani) Tr: Gerdi Haxhiu

Gjyqtarë: Lorenc Jemini, Ermal Barushi, Redian Dobruna, Olsid Ferataj

Kartonë të verdhë: Ramadani 34’, 61’, Beqiri 49’, Liçaj 61’, Abazaj 82’, Boyom 90’+2/ El. Prençi 70’, Mziu 87’

Kartonë të kuq: Ramadani 61’ / Zefi 61’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.