Korabi gjen strehën e 3-të për këtë sezon

0
SHPËRNDAJE


Vazhdon kalvari i Korabit në pritje të rikthimit në shtëpi. Ky kalvar ka ndikuar jo pak edhe në rezultatet e ekpit.

Mbylli kontratën me “Selman Stërmasi” duke shpresuar që në Kukës të gjente ngrohtësinë e pranisë së shumtë të tifozerisë së vet. Por eksperienca e Korabit në qytetin verilindor ka zgjatur shumë pak, pasi është detyruar të largohet aty nga drejtuesit e klubit vendas menjëherë pas barazimit me këta të fundit.

I padëshiruar edhe në kryeqytet, ku duket se ndërprerja e kontratës me “Selman Stërmasin” nuk është pritur aq miqësisht nga drejtuesit bardheblu, Korabi kërkon një stadium ku të luajë ndeshjen e javës së fundit të fazës së dytë ndaj Flamurtarit. Hipoteza më e mundshme është ajo e zhvillimit të kësaj ndeshje në Pukë, pasi “Ismail Xhemali” është i licencuar për të pritur ndeshje të Superiores.

Megjithatë, kjo do të jetë një zgjidhje e përkohshme, pasi dibranët shpresojnë që në fillimin e fazës së tretë të Superiores, të kthehen të luajnë përsëri në shtëpinë e tyre, atë të vërtetën. Bashkia ka miratuar fondin për rregullimin e stadiumit në qytetin e Peshkopisë dhe së shpejti fillon puna për të bërë ndryshimet e duhura që ai të licencohet për Kategorinë Superiore.

Nëse punimet do të mbyllen në kohë, kjo mbetet për t’u parë, por shpresa e dibranëve është të arrijnë të luajnë përballë publikut të tyre, në fushën e tyre, duke kërkuar që falë mbështetjes së zjarrtë të gjejnë edhe pikët që u nevojiten për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.