Korabi nuk gjen derman, Teutës i mjafton një gol për tri pikë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

minuta-6

Korabi nuk gjen derman as në “shtëpinë” e re. Në “Zeqir Ymeri” të Kukësit, skuadra dibrane u mposht 1-0 nga Teuta në javën e 14-të të Kategorisë Superiore.

Kështu, familja Magani në festë… Artur Magani shënon, Gugash Magani gjen fitoren e parë në Durrës, që kur është rikthyer. Që në fillim Teuta gjeti golin, falë një gafe totale nga mbrojtja e Korabit, ndërsa në vazhdim Teuta bëri atë që di të bëjë më mirë… Mbrojtje e kujdesshme dhe kundërsulm…

Korabi tentoi gjatë, pati disa raste, por nuk pati as fatin me vete, ndërkohë që sulmi duket qartë që ka probleme. Renditja po bëhet shumë shqetësuese për Korabin, i izoluar në fund, ndërsa Teuta merr frymë.

Takimi nis i shpejtë dhe që në të 7-tën Bangal i vetëm me portierin Vujadinoviç pas pakujdesisë së mbrojtjes dibrane, nuk koordinohet dot dhe gjuan jashtë.

Eshtë vetëm minuta e 12-të dhe Teuta kalon në epërsi. Emiljano Musta kroson bukur në zonë nga e majta, aty Artur Magani, i pashqetësuar, gjuan me kokë dhe mposht portierin Vujadinoviç.

Vendasit pretendojnë për prekje të topit me dorë brenda zonës, por gjyqtari Kola vazhdon lojën.

Korabi përpiqet të reagojë dhe e zhvendos plotësisht lojën në gjysmëfushën e Teutës. Durrsakët mbrohen, pa mundur të dalin dot përpara.

Kur po kronometrohej e 26-ta, një mundësi e mirë për vendasit. Sebino Plaku mes tre mbrojtësve bën gjithçka mirë deri në kufijtë e zonës, mirëpo Shpëtim Moçka i përgjigjet gjuajtjes së sulmuesit me të djathtën.

E para mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me Korabin aty ku e la të parën, duke sulmuar. Sinjalin e parë e jep Sokol Mziu, megjithatë e djathta e tij nuk shënjestron dot portën e Teutës.

Gugash Magani synon t’i japë shpejtësi dhe freski manovrës sulmuese duke hedhur në fushë mesfushorin Gripshi në vend të sulmuesit Ribaj.

Në të 69-tën, Hila ka një mundësi të mirë për të rrezikuar portën e portierit Vujadinoviç, mirëpo tentativa e mesfushorit shkon jashtë.

Zëvëndësimet nuk kanë fund, ku si trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu, ashtu edhe trajneri i Teutës, Gugash Magani, bëjnë ndërrimet e tyre, ç’ka bën që loja të bjerë paksa.

Deri në fund, me një përjashtim të një rasti të sulmuesit Sebino Plaku, ndeshja nuk ka histori.

Kështu, Korabi vijon krizën e rezultateve, ndërsa Teuta rikthehet te fitorja, me trajnerin Magani që merr 3-pikëshin e parë që pas rikthimit tek durrsakët, falë golit të birit të tij, Artur Magani.

Disfata e lë Korabin të fundit në renditje me 6 pikë, kurse suksesi, i pari pas tri humbjesh radhazi, e barazon Teutën me Laçin në kuotën 11, në vendet 8-9.

Javën e ardhshme, Korabi luan në transfertë me Tiranën, ndërsa Teuta pret në shtëpi Skënderbeun. /minuta90.com/

Korabi-Teuta 0-1

Goli: Magani 12’

Korabi (4-2-3-1): Vujadinoviç, Dukiç, El. Prençi, Çela, A. Peposhi, Zefi (Kaja 84’), Gavazaj (Adelaja 70’), Mziu, Nexhipi, Zguro, Plaku (në dispozicion: Spahija, Nako, Jubani, Veliaj, D. Peposhi) Tr: Gerdi Haxhiu

Teuta (4-4-2): Moçka, Hodo, R. Hoxha, Shkalla, Kotobelli, Ribaj (Gripshi 55’), Çmajçanin, Hila, Musta, Magani (Çyrbja 73’), Bangal (Mara 85’) (në dispozicion: Shala, Borshi, Shehi, Beqja) Tr: Gugash Magani

Gjyqtarë: Klajdi Kola, Nertil Bregasi, Alfred Shkreta, Mikel Dyrmishi

Kartonë të verdhë: Zguro 13’/ Hila 64’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.