Korabi shpërdoron shumë, Vllaznia e ndëshkon tre herë

0
SHPËRNDAJE

15194600_10154138534047965_3382847389333190070_oVllaznia arrin të marrë një fitore me mjaft vlera në kampionat teksa mposhti pa shumë probleme Korabin me shifrat 3-0. Vllaznia shënoi gola për çdo pjesë teksa në fillim zhbllokoi rezultatin me golin e kapitenit Shtubina në minutën e 23-të. Ndërkohë golat e mesfushorëve Bardullës në të 75-ën dhe të Tafili në minutën e 91-tën vulosën fitoren e ekipit të drejtuar nga Armando Cungu.

Ndërkohë Korabi është dukur i pafuqishëm në këtë përballje, edhe pse në sekondat e para të sfidës arriti të godasë edhe traversën. Skuadra e trajnerit Gerdi Haxhiu është treguar e pafuqishme në këtë ndeshje për t’i bërë ballë Vllaznisë, që në fushën e saj është një skuadër mjaft e fortë.

Kjo ishte fitorja e dytë rradhazi për Vllazninë pas asaj në transfertë me Flamurtarin, ndërsa Korabi u është rikthyer sërish humbjeve pas asaj pike të marrë ndaj Luftëtarit. Kuqeblutë shkodranë ndihen të sigurtë në renditje tashmë pasi distanca me vendet e kreut është reduktuar ndjeshëm.

Por për Korabin nuk është aspak një situatë e mirë pasi ekipi dibran mban vendin e fundit në renditje me vetëm 6 pikë. Korabi shpërdoroi shumë në këtë ndeshje para katërkëndorit të portierit Agoviç, të cilit iu desh shpeshherë të bënte mrekulli për të mbrojtur portën, por shkodranët gjetën me lehtësi rrjetën në ato raste që iu shfaqën dhe morën tre pikë të cilat duket se i pozicionojnë shumë të qetë në mesin e tabelës së klasifikimit.

Para takimit, ka një minutë heshtje edhe në Shkodër për tragjedinë e djeshme në Kolumbi.

Ndeshja fillon me sulm nga Korabi kjo ndeshje, ku dibranët tentojnë menjëherë portën me anë të mbrojtësit Çela, duke kaluar topin mbi traversë.

As 7 minuta nuk kalojnë dhe tjetër gjuajtje e mbrojtësit Çela nga distanca, por këtë rrallë Agoviç pret në pozicion qendror.

Korabi vijon të shfaqet më rrezikshëm në sulm. Plaku harkon topin në zonë dhe Mziu gjuan menjëherë por Agoviç pret përsëri me një shtrirje vendimtare në të djathtën e tij.

Si Vllaznia dhe Korabi, qarkullojnë shumë topin në mesfushë, por pak raste deri tani, sidomos nga Vllaznia që nuk ka arritur të vendosë në provë Vujadinoviç.

Minuta e 23-të dhe Shtubina gjen golin e avantazhit. Pas një goditje këndi, topi përfundon te kapiteni i Vllaznisë i cili falë një dalje krejtësisht të gabuar të Vujadinoviç nuk e ka të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. 1-0.

Korabi mundohet të reagojë dhe në të 27-tën, provon përsëri Çela nga distanca por nuk arrin t’i japë forcë goditjes, me Agoviç që pret në pozicion.

Në të 33-tën, portieri i Vllaznisë Agoviç largon topin pas një harkimi në zonë nga e djathta, ndërsa më pas sfera përfundon te Nexhipi. Ky i fundit mundohet të godasë, por një ndërhyrje vendimtare e mbrojtësit Bicaj i largon topin nga këmbët në momentin e fundit.

Deri në fund të pjesës së parë, Korabi mbetet në kërkim të golit të barazimit, por nuk ia arrin qëllimit.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me një zëvëndësim te Korabi. Trajneri Gerdi Haxhiu ndryshon, duke hedhur në fushë mesfushorin Zguro në vend të një tjetër mesfushori, siç është Sokol Mziu.

Në të 50-tën, një gjuajtje nga rreth 20 metra në pozicion ballor e sulmuesit Kalaja, Vujadinoviç devijon në këndore duke evituar një gol të dytë.

Kur po luhej minuta e 54-t, në Shkodër ndërpritet për disa çaste ndeshja. Shkak është bërë fikja dhe ndezja e sistemit të ndriçimit të stadiumit “Loro Boriçi. Pas 6 minutash, projektorët fillojnë të ndizen, dhe rifillon takimi.

Menjëherë sapo rifillon ndeshja, pikërisht në të 65-tën, një goditje dënimi në një pozicion ballor shumë të favorshëm për Korabin. Plaku godet mjeshtërisht por po aq i bukur është edhe fluturimi i Agoviç që shpëton katërkëndorin e tij duke devijuar topin jashtë.

Korabi vijon sulmet dhe në të 71-tën, një goditje dënimi në të majtë e sulmuesit Plaku i cili dërgon topin në zonë, por askush nuk arrin të devijojë dhe Agoviç kontrollon gjithçka.

Minuta e 75-të dhe një aksion nga e djathta i sulmuesit Pepa, topi në qendër ku Bardulla dërgon sferën në rrjetë, vetëm pak hapa larg portës së Vujadinoviç. 2-0.

Korabi vijon sulmet e njëpasnjëshme, por forca goditëse e dibranëve lë shumë për të dëshiruar pas golit të dytë të pësuar që ishte një goditje shumë e rëndë për ta.

Minuta e 91-të dhe trefishohet rezultati në favor të Vllaznisë në minutat përmbyllëse të sfidës. Kundërzbritje e shpejtë në të majtën i sulmuesit Kalaja i cili sheh mesfushorin Tafili që afrohet në qendër dhe pason te shoku i skuadrës që nuk e ka të vështirë të shtyjë topin në rrjetë. 3-0.

Në fund, ka edhe një rast, ku një pasim perfekt në qendër i mesfushorit Bardulla për mesfushorin tjetër Tafili i cili gjuan me kokë por nuk shënjestron kuadratin e portës së Korabit për të dërguar përsëri topin në rrjetë.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Vllazninë që merr fitoren e dytë radhazi, ndërsa te Korabi as ndërrimi i trajnerit nuk ka bërë efekt.

Javën e ardhshme, Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Skënderbeun, ndërsa Korabi pret në shtëpi Teutën. /minuta90.com/

Vllaznia-Korabi 3-0

Golat: Shtubina 23’, Bardulla 75’, Tafili 90’+1

Vllaznia: Agoviç, Gocaj, Cicmil, Bicaj, Marku, Tafili, Krymi (Vrapi 90’+2), Bardulla, Çinari (Pepa 69’), Kalaja, Shtubina (Vecaj 90’+4) Tr: Armando Cungu

Korabi: Vujadinoviç, Dukiç, El. Prençi, Sheta (Jubani 77’), Çela, Gavazaj, Veliaj (Zefi 71’), Mziu, Nexhipi, A. Peposhi, Plaku Tr: Gerdi Haxhiu

Gjyqtarë: Andi Koçi

Kartonë të verdhë: Krymi 21’, Cicmil 70’/ A. Peposhi 51’, Zguro 64’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.