Korabi tregon objektivat në prezantim

0
SHPËRNDAJE

korabi-658x370Korabi në Kategorinë Superiore pas më shumë se 50 vjetësh. Ky ishte kryetitulli i pak muajve më parë kur skuadra nga Peshkopia arriti të ngjitej mes më të mirëve të futbllit shqiptar pas një rrugëtimi të vështirë që nisi nga Kategoria e Dytë. Tashmë që skuadrat kanë nisur punën për të ndërtuar organikat e sezonit të ardhshëm edhe debutuesit nga Veriu i Shqipërisë janë vënë në levizje për të mos qenë një meteor në qiellin e futbllit shqiptar. Klubi është vënë në lëvizje për të organizuar skuadrën që do të përfaqësojë qytetin e Peshkopisë gjatë sezonit të ri, duke tërhequr vëmendjen për shkak të afrimeve të bujshme në merkaton verore nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshi, një njohje e vjetër për klubin dibran.

“Unë e prita me kënaqësi ftesën e donatorëve për të marrë drejtrimin e Korabit pasi është një ekip që ka objektiva seriozë dhe është një ambjent që e kam përjetuar edhe si sportist në vitet 80. Shpresoj të jemi dinjitozë dhe të bëjmë një kampionat të mirë. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe kam besim se do të vazhdojmë të jemi pjesë e Superiores dhe në vazhdim”.

Drejtori i klubit, Fehmi Mziu e pranon se vështirësitë kanë qenë të shumta, por klubi ka ndërtuar një strukturë të re, kjo edhe falë ndihmës që kanë dhënë disa përfaqësues të diasporës dibrane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shpresojmë që edhe me ndihmën e tifozëve do t’ia dalim. Më e rëndësishme është mbijetesa në këtë kategori sepse e dimë që Superiorja është e vështirë”.

Plot 9 janë afrimet e reja në skuadër ku miksohen të rinjtë premtues dhe disa prej emrave më të njohur të futbllit shqiptar. Njëri prej tyre është ish mbrojtësi i Laçit, Arjan Sheta, i cili thekson se klubi ka një projekt ambicioz por objektiv kryesor do të jetë mbijetesa.

“Pak a shumë jemi një grup prej 6 vetësh që luajmë prej dy vitesh bashkë. Falënderoj stafin dhe trajnerin që na besuan dhe ne shpresojmë t’ua shpërblejmë këtë besim që na dhanë”.

Skuadra do të niset në datën 1 Gusht drejt qytetit të Peshkopisë ku për rreth 20 ditë do të zhvillojë fazën përgatitore, ndërsa drejtuesit e klubit konfirmojnë se ndeshjet si pritës, Korabi do t’i luajë në stadiumin “Selman Stermasi” për shkak të vendimit të Komisionit të Disiplinës por edhe për shkak të mungesës së një stadiumi që të plotësojë parametrat e vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Gjithashtu, skuadra do të stërvitet në kompleksin e kryeqytetit “Skënder Halili” gjatë gjithë sezonit të ardhshëm./Supersport.al

S'KA KOMENTE

Comments are closed.