Kotobelli: Partizani klub i madh, dua të fitoj trofe dhe të jem pjesë e Kombëtares

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Vetëm pak ditë pas mbylljes së sezonit futbollistik, Partizani bëri goditjen e parë në merkato, duke zyrtarizuar mbrojtësin Blerim Kotobelli si një përforcim cilësor për krahun e majtë të mbrojtjes, pozicion ku të kuqtë kanë vuajtur jo pak, aq sa stafi teknik ka qenë i detyruar të aktivizojë në këtë rol mesfushorin Lorenc Trashi.

Një lëvizje e bekuar nga Luçiano Moggi, këshilltari i presidentit Gazment Demi, që ka marrë atributet e merkatos së Partizanit. Nuk ka qenë e vështirë për ta bindur 24-vjecarin, i cili beson te projekti i 15-herë kampionë të Shqipërisë.

“Partizani është një klub i madh dhe me një projekt ambicioz. Eshtë pikërisht ky projekt që më bindi për ta pranuar ofertën këtij klubi.”

Kotobelli ka synime të qarta: Të fitojë trofe si protagonist në fushë me Partizani dhe në një të ardhme jo të largët të marrë ftesë për të qenë pjesë e Kombëtares.

“Sigurisht që kur vesh fanellën e Partizanit mendon për trofetë, por unë kam synim që një ditë jem pjesë e kombëtares. Partizani mendoj se do të ma japë këtë mundësi.”

Kotobelli ka kërkuar me ngulm të mbajë veshur fanellën me numër 15, dëshirë që iu plotësua nga klubi i kuq. Mbrojtësi i krahut të majtë vjen pas tre vitesh me Teutën në Kategorinë Superiore, ku vetëm në sezonin e fundit numëron 34 ndeshje në Superiore, dhe një gol të shënuar në humbjen 2-3 me Korabin. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.