Kreu i FSHF, Duka: “Euro 2016”? Përqëndrim dhe profesionalizëm!”

0
SHPËRNDAJE

Armand Duka
Armand Duka

FSHF/ Kur kanë mbetur më pak se dy muaj, nga fillimi i finaleve të Kampionatit Europian “Francë 2016”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, bën një përmbledhje të shkurtër, të asaj që ka ndodhur dhe përgatitjeve që institucioni që ai drejton po bën gati për këtë event, më i rëndësishmi i futbollit shqiptar deri më tani. Po kështu, numri 1 i institucionit të futbollit, flet edhe për skuadrën kombëtare e përgatitjet e saj përgjatë marsit e muajit maj, deri në ditët e para të qershorit, kur do të niset për në Francë. Një rrëfim, i asaj që po përgatit FSHF dhe i pritshmërive të Presidentit të saj, për pjesëmarrjen e Shqipërisë për herë të parë, në një event të tillë.

debiasiDuka– Tashmë kanë mbetur më pak se dy muaj, nga fillimi i finaleve të kampionatit Europian “Francë 2016”. Cilat janë përgatitjet e FSHF për këtë event madhështor?

– “Ne po punojmë shumë. Duhet jashtëzakonsht punë dhe përkushtim për përgatitjen sa më të mirë të tij. Është në fakt, një terren i pashkelur, të cilin po e eksplorojmë çdo ditë duke u munduar të bëjmë më të mirën. Që në fundin e vitit të kaluar, ose më saktë menjëherë pas kualifikimit kemi përgatitur një seri projektesh dhe kemi hartuar një plan masash, të cilin po mundohemi ta zbatojmë pikë për pikë.”

Një edicion eliminator, gati marramendës. Ç’do të veçojë Presidenti i FSHF, prej kësaj historie?

– “Shumë emocione, ngjarje që kanë rrjedhur me një intensitet veprimi gati të pamenduar dhe të paparash. Sigurisht, gjëra që nuk do të harrohen kurrë dhe tashmë janë pjesë e faqes më të ndritur të futbollit shqiptar. Fitore, zhgënjime, beteja në fushën e lojës dhe jashtë saj (e kam fjalën për betejën juridike të fituar ë KAS). Ç’ka do të veçoja, është besimi që patëm të gjithë. Një besim që erdhi duke u rritur. Që nga ajo fitore e mrekullueshme në Portugali, e pastaj ndeshje pas ndeshjeje, betejë pas beteje, deri në kualifikim.”

– Kombëtarja ka zhvilluar dy ndeshje miqësore. Cila ka qenë përshtypja juaj për to?

– “Për ndeshjen e parë, jam i mendimit se paraqitëm dy tablo. Të pjesës së parë, ku bëmë aq gabime në mbrojtje, sa nuk i kishim bërë në të gjithë edicionin eliminator. Pjesa e dytë, ishte rikthim në normalitet, ku treguam vlerat tona dhe reguam mirë ndaj një skuadre shumë të fortë. Ndeshja e dytë kishte shumë eksperimente, të cilat teknikisht i zbërthen vetëm trajneri De Biasi dhe stafi i tij, Kam folur me trajnerin dhe jam i bindur se ai ka marrë të gjithë informacionin e nevojshëm nga zhvillimi i tyre. Gjithashtu, kjo ju është transmetuar edhe futbollistëve. Dhe besoj se e kanë marrë mesazhin për këto dy ndeshje.”

Përgatitjet tuaja, do të nisin më datë 23 maj. Mund të na jepni disa hollësi në lidhje me këtë fushatë përgatitore

– “Skuadra do të grumbullohet në Austri më datë 23 maj, ku do të nisë përgatitjet e saj për “Euro 2016”. Më datë 29 maj, do të zhvillojmë miqësoren e parë kundër Katarit. Ndërkohë që më datë 3 qershor, në Bergamo do të zhvillohet ndeshja e fundit miqësore e kësaj fushate, kundër Ukrainës. Më datë 5 qershor do të jemi në Francë, për tu akomoduar në rezidencën tonë. Stafi organizator, ka përgatitur gjithçka, në mënyrë që skuadra të ketë në dispozicion një komfort të shkëlqyer. Mund t’ju konfirmoj, që janë marrë të gjitha masat edhe për transfertat ku do të zhvillohen tre ndeshjet e grupit, pra në Lens, Marsejë dhe Lion.”

– Ka patur gjatë kësaj periudhe, hamendësime për largimin e mundëshëm të trajnerit, opinioni juaj zyrtar?

– “Nuk vlen të merremi me këto histori. E kam dhënë përgjigjen edhe zyrtarisht për këtë temë. Ju konfirmoj se, flas çdo ditë me trajnerin, me stafin organizator dhe me shumë subjekte, me të cilat kontaktojmë për të përgatitur një europian të denjë, ku shpresojmë të tregojmë më të mirën tonë. Më të mirën e futbollit shqiptar. Jemi përqëndruar, të gjithë vetëm në këtë drejtim. Të tjerat, nuk na interesojnë.”

– Çfarë do të kërkonte Presidenti Duka nga ekipi, trajneri, stafi dhe FSHF?

– “Është e tepërt të theksoj se ne funksionojmë të gjithë, si një skuadër e madhe. Të gjithë plotësojmë, mbështesim, bashkëpunojmë dhe kërkojmë më të mirën. Gjithkush, është i ndërgjegjshëm për vështirësitë në përfaqësimin tonë të parë në një event të tillë. Edhe për detyrat që kemi përpara. Na duhet shumë përqëndrim dhe profesionalizëm për të dhënë më të mirën. Të dyja, janë hallka të rëndësishme, që do të bëjnë të tregojmë më të mirën tonë. Kam besim se do t’ja dalim për të treguar vlerat tona më të mira. Të cilat, jo rastësisht na sollën deri këtu.”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.