Kritika te Laçi, Nika me grupin

0
SHPËRNDAJE

Analizë për ndeshjen e humbur me Kamzën. Ka shumë zhgënjim për lojën dhe rezultatin. Mesfushori lë pas problemet shëndetësore

Vladimir Prenga

Një fitore të hedh poshtë, një të ngre. I tillë është ky kampionat dhe Laçi e provoi për të dytën herë humbjen në shtëpi, teksa të hënën e mundi Kamza falë një goli të Sebino Plakut, që para një dekade për pak kohë e kishte veshur fanellën bardhezi. Më parë me tri pikët ka dalë edhe Luftëtari. Humbja e pësuar nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit kurbinas. Mërzia dallohej qartë që pas ndeshjes dhe nuk do shumë komente. E djeshmja ka qenë ditë pune, teksa skuadra është vënë nën urdhrat e trajnerit Gentian Mezani dhe ka nisur nga puna. Ndeshja e radhës është shumë shpejt, të shtunën kurbinasit janë mysafirë të Teutës në “Niko Dovana”. Në seancën e djeshme stërvitore ekipi nuk është ngarkuar shumë në aspektin fizik, ndërkohë që nga sot ngarkesa do rritet, por e kombinuar me lojtarëve dhe punë nga ana tekniko-taktike.

ANALIZA

Sikurse ndodh gjithnjë pas ndeshjeve, është zhvilluar edhe një analizë e humbjes me Kamzën dhe në përgjithësi mendimi ka qene që u bë një ndeshje e dobët. Kritika ka pasur për të gjithë, sigurisht disi më shumë për kapitenin Taulant Sefgjini, i cili u ndëshkua me karton të kuq, duke i hequr mundësinë skuadrës të luante me një lojtar më tepër, pasi në atë moment Neziri i miqve pa t’i ngrihej para fytyrës i kuqi nga gjyqtari Enea Jorgji. Gjithsesi asgjë nuk kthehet dot pas, por duhen nxjerrë mësimet e duhura, pasi në shtëpi hapat falsë nuk është se pranohen lehtë në qytetin e Laçin, ku edhe tifozët vihet re se e kanë braktisur ekipin. Momentalisht nga ana e klubit nuk është komunikuar asnjë masë për lojtarët, ndërkohë që në analizë është folur edhe për sfidën e radhës me Teutën, përballje mjaft e vështirë dhe ndaj një ekipi që është nën presion ashtu si kurbinasit.

NIKA

Në ndeshjen me Teutën mungesë e sigurt është ajo e Taulant Sefgjinit, që me shumë mundësi do të dënohet edhe nga Komisioni i Disiplinës. Sot me gjasa do mësohet dënimi, ndërkohë që ka një rikthim. Mesfushori shkodran Ansi Nika e ka kaluar gjendjen gripale që e pengoi gjatë javës së shkuar të përgatitej me skuadrën, çka bëri që ndaj Kamzës të mos grumbullohej. 27-vjeçari dje është bashkuar me grupin dhe është përgatitur normalisht, duke lënë të kuptohet që do të jetë gati për ndeshjen me Teutën, ish-skuadrën e tij, ku për pesë vite ka kontribuar. Rikthimi i tij bën që Uzuni të pozicionet sërish në krahun e majtë të mesfushës dhe Shala të zërë vendin e Sefgjinit në mbrojtjes, duke e bërë të plotë formacionin.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.