Kroati Fushtar: Kamza do të jetë në pjesën sipër të tabelës

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Kroati flet për përballjen me vlonjatët, ndërkohë që tregon se çfarë e bindi të vihet në urdhrat e trajnerit Ndreu

Vladimir Prenga

Ivan Fushtar do të jetë nën urdhrat e trajnerit Ramadan Ndreu në ndeshjen ndaj Flamurtarit, pasi qendërmbrojtësi e shleu kartonin e kuq të marrë në Gjirokastër. Kroati është një nga pikat më të forta të Kamzës, ndërkohë që të dielën zbret në fushë ndaj ish-skuadrës së tij, Flamurtarit. Fushtar, në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”, flet për rikthimin në Superiore, ecurinë e deritanishme në kampionat, përballjen me ish-ekipin dhe objektivat e sezonit.

Ivan, jeni rikthyer sërish në Shqipëri. Çfarë ka ndryshuar nga hera e parë që keni luajtur këtu?

Po, e vërtetë. Jam rikthyer në Shqipëri pas një viti e gjysmë dhe shoh që kampionat është më i fortë dhe ka bërë një hap lart në cilësi.
Pse zgjodhët t’i bashkoheshit Kamzës? Çfarë dinit më parë për ta?

Miku im Argenti më telefoni dhe më pyeti nëse doja të vija te Kamza. Në atë periudhë isha lojtar i lirë dhe po prisja disa oferta. Mora një telefonatë nga Kamza dhe vendosja të vija. Nuk mund t’i prisja të tjerët më.
Çfarë ju bindi të bashkoheshit me këtë ekip?

Halili më tha që kushtet do të jenë të mira, skuadra do të jetë e mirë, pasi kanë sjellë lojtarë të rinj, lojtarë të mirë dhe drejtuesit duan të bëjnë diçka të mirë tani që janë rikthyer në Kategorinë Superiore. Duke dëgjuar gjithë këto, pranova ofertën.
Kamza ka surprizuar në nisje të kampionatit. Si e shikoni ju si lojtar i Kamzës? Po në aspektin personal, si i gjykoni paraqitjet e bëra?

Të jem i sinqertë, e prisja që të ishim surpriza, sepse e kam vënë re që në fillim që ne kemi një ekip të mirë dhe më e rëndësishme që kemi një dëshirë të madhe për të fituar. Këtu kemi edhe një trajner shumë të mirë, që po bën një punë të mrekullueshme. Sa i përket paraqitjeve të mia, nuk më pëlqen të flas për veten. Unë “flas” në fushë dhe më pas të tjerët mund të komentojnë rreth meje.
Këtë javë luani ndaj Flamurtarit, ndaj ish-ekipit tuaj të parë në Shqipëri. Çfarë do të thotë për ju kjo përballje?

Kam kujtime të bukura nga Vlora, kjo është e gjitha. Kjo ndeshje nuk do të thotë shumë, është si çdo ndeshje tjetër. Jam profesionist dhe nuk ka vend për emocione në futboll.
A keni ndonjë keqardhje nga eksperienca juaj e mëparshme?

Po, situata financiare ishte shumë e keqe në atë periudhë, ndaj e ndërpremë bashkëpunimin, fatkeqësisht.
Së fundmi, deri ku mund të shkojë kjo Kamzë në fund?

Nëse ne vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri tani, dhe nëse vazhdojmë të luajmë me zemër e karakter, ne përfundimisht do jemi në pjesën e sipërme të tabelës së klasifikimit.

Fushtar

S'KA KOMENTE

Comments are closed.