Kruja dhe Çinari të bindur: Ndeshje e vështirë, por nga Vlora nuk kthehemi pa pikë

0
SHPËRNDAJE
loading...

Bindja se Vllaznia do të marrë pikë edhe në ndeshjen e radhës, ndaj Flamurtarit, tashmë është gjithnjë dhe më prezente te secili pjesëtar i kësaj skuadre. Kuptohet, të qenurit në një zonë disi të qetë në renditje dhe, për më tepër, tashmë edhe në luftë për një vend në Kupat e Europës, i ka bërë futbollistët të jenë më të motivuar. Kjo është shfaqur edhe tek dy prej pjesëtarëve të këtij ekipi, mesfushorit Arsid Kruja dhe sulmuesit Eraldo Çinari. Ata kanë dalë sot para gazetarëve në konferencën për shtyp, duke shprehur besimin e plotë se nesër në Vlorë ndaj Flamurtarit, skuadra do të paraqitet denjësisht dhe do të luftojë fort për një rezultat pozitiv.

Kruja nënvizoi se ka qenë një periudhë e vështirë për të, por thekson se tashmë çdo gjë ka kaluar.

“Natyrisht, ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua, kjo që kam kaluar së fundmi. Fillimisht, me mosaktivizimin dhe më pas edhe me problemet me dokumentacionin, por tashmë besoj se çdo gjë ka kaluar dhe me punë e përkushtim arrita të kap sërish formacionin, të jap më të mirën për ekipin. Sigurisht, dua të falënderoj edhe profesorin, trajnerin Armando Cungu për mbështetjen që më ka dhënë dhe mundësinë për të shfaqur sërish vlerat e mia. Skuadra ka funksionuar mirë si grup në këto ndeshjet e fundit dhe jo më kot ka marrë edhe rezultatet pozitive. Edhe në ndeshjen e nesërme në Vlorë ndaj Flamurtarit do të japim maksimumin tonë dhe, pse jo, ta fitojmë edhe atë në mënyrë që të arrijmë të marrim pikët e mundshme për të synuar deri në fund të sigurojmë një vend për në Europë. Kam shumë respekt për shokët e ekipit të Flamurtarit, sepse kam kaluar një periudhë të mirë aty, megjithatë tani jam pjesë e Vllaznisë dhe do të jap maksimumin për të. Nëse dy sezone më parë, duke qenë pjesë e skuadrës vlonjate, i kam shënuar Vllaznisë dhe pse jo, do të ishte kënaqësi nëse do t’i shënojë nesër edhe Flamurtarit”,-tha mesfushori i Vllaznisë, Arsid Kruja.

Nga ana tjetër, edhe sulmuesi, Çinari, është entuziast për një paraqitje të mirë dhe marrjen e një rezultati pozitiv ndaj Flamurtarit

“Ne kemi objektivat tona për këtë ndeshje. Po kalojmë një moment të mirë dhe natyrisht që do të kërkojmë ta fitojmë këtë ndeshje. E kemi munduar tri herë Flamurtarin këtë kampionat, pse të mos e mundim edhe herën e katërt. Vllaznia po paraqitet denjësisht këtë kampionat dhe, ndonëse në shumë ndeshje kemi patur mungesa, sërish pjesa tjetër e skuadrës ka dhënë maksimumin. Edhe në takimin e fundit me Partizanin në fushë ishin të gjithë futbollistët shkodranë dhe kjo është kënaqësi, besoj edhe për tifozët. Një Vllazni si e kjo e sivjetshmja, me kaq shumë shkodranë, kishte vite që nuk shihej. Personalisht kam patur disa momente jo të mira, sepse si në verë, ashtu edhe në janar, kalova disa dëmtime, megjithatë ata tashmë janë lënë pas dhe po luaj rregullisht, duke u munduar të jap më të mirën për ekipin tim. Duhet të shfrytëzojmë në maksimum situatën jo të mirë që po kalon Flamurtari dhe të kthehemi në Shkodër me pikë”,-mbylli prononcimin e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Eraldo Çinari.

Ndeshja Flamurtari-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme, duke startuar nga ora 19:00 në stadiumin “Flamurtari” dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti në SuperSport 3 HD, teksa ky takim do të luhet pa tifozë dhe do të gjykohet nga 4 gjyqtarë të huaj. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.