Kthehet qetësia te Vllaznia, Shën Valentini bashkon drejtuesit

0
SHPËRNDAJE

Tek Vllaznia rikthehet qetësia. Takimi i zhvilluar dy ditë më parë në Bashkinë e Shkodrës është pasuar sot me një konferencë për shtyp të tre drejtuesve të klubit e të stafit teknik.

Administratori Astrit Gjyrezi, drejtori sportiv Eugent Zeka dhe trajneri Armando Cungu kanë qenë para gazetarëve për të dhënë mbi të gjitha besim për të ardhmen. Të tre ata janë shfaqur të qeshur, në një komunikim shumë të pastër dhe kjo tregonte qartë, që në pamje të parë, se nuk kishte më vend as për ndonjë keqkuptim apo nervozizëm.

Gazetarët me të qeshur i kanë ngacmuar tre drejtuesit, duke iu thënë se “iu paska bashkuar Shën Valentini” dhe natyrisht që kjo gjë ka shkaktuar humor te të pranishmit.

I pari që ka folur ka qenë trajneri, i cili fillimisht ka shpjeguar kontekstin e deklaratës së tij, që bëri aq shumë jehonë, dhe më pas ka deklaruar objektivin për ndeshjen e nesërme me Teutën.

“Një javë impenjative edhe kjo javë. Shpresoj të vijojmë me këto paraqitje të mira.

Nëse më keni kuptuar drejt, nuk kam thënë që do iki, por ka qenë një zë për të qenë të gjithë bashkë”.

“Nuk kam pasur asnjëherë presion nga drejtuesit. Ne na duhet të flasim në fushën e lojës dhe shpresoj që ndeshja e radhës me Teutën të jetë e drejtë dhe jo e ndikuar nga faktorë jashtë fushës.

Bashkia Shkodër ka dhënë një kontribut të madh vitin e kaluar dhe nuk kërkoj asgjë më shumë, vetëm që ky kontribut të vazhdojë edhe këtë vit”,-thekson trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.

Edhe drejtori Zeka ka folur për anën sportive, ndërkohë që me interes ka qenë edhe prononcimi i administratorit Gjyrezi, i cili, në fakt, edhe ai, më shumë është ndalur te skuadra, duke shpresuar në kalimin e saj në katërshe të Kupës, ç’ka ajo nuk e arrin prej vitesh. Në fakt, kjo është ajo që duan të gjithë shkodranët.

Rezultate pozitive dhe jo zhurmë mediatike dhe probleme në mes drejtuesve. Konferenca e sotme me siguri që do të jetë një tregues i garancisë për bashkëpunim në të ardhmen, në mënyrë që Vllaznia të arrijë objektivat që ka. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.