Ku ka humbur shpirti i kuqezinjve?

2
SHPËRNDAJE
Loading...

15033989_10154520139947254_1626525535_oSkuadra kombëtare shqiptare është ndoshta dashuria e vetme e vendit tonë, e vërtetë dhe e shenjtë. Lidhja e tifozëve vec theksit futbollistik, ka brenda edhe atë patriotik. Momenti i keq i Shqipërisë së De Biasit që po kalon aktualisht po shoqërohet edhe me ftohjen e tifozerisë.

Pas takimit dikush u kap me arbitrin, i cili edhe mund të lëshonte pe e të përdorte pak më shumë sensin llogjik, por në këndvështrimin tonë nuk është gjyqtari e keqja e vetme e Shqipërisë.

Ti analizosh faktorët me rradhë nuk është e lehtë, por dhe as e vështirë. Në fillim duhet prekur velitja e trajnerit De Biazi dhe stafit të tij. Megjithë respektin për të dhe punën e bërë, duket qartë se nën petkun e heroit, De Biazi nuk duket më ai i pari, i thjeshti, me këmbë në tokë dhe për më tepër i uritur.

Mbase koha e tij në kombëtaren tonë ka mbaruar, si një dashuri e konsumuar mes palëve. Mbase ka ardhur momenti për një tjetër trajner. Mbase ai s’mund të jetë në nivelin e De Biazit, mund të jetë më i keq apo më i mirë se italiani, por një gjë është e sigurtë, uria do të jetë më e madhe për të punuar dhe modestia në nivelet e kërkuara.

Arbitri me të vërtetë që u tregua shumë i ftohtë, por Shqipëria duhet të shikojë të vërtetën në sy. Nuk prodhojmë futboll, kemi humbur grintën karakteristike, por për më tepër kemi humbur ata, shpirtin dhe zemrën e kombëtares, tifozët.

Duket një ftohje e tyre dhe kjo si pasojë e coroditjes kur ndeshja një herë vendoset në Shkodër më pas në Elbasan. Por për t’i vendosur vulën mendon policia e shtetit me masat anti-luftë të ndërrmara.

Por mos mendoni se nuk ndikojnë edhe përplasjet e kota të policisë me tifozët e Partizanit në Elbasan Arena. Tifozi duhet privilegjuar dhe respektuar, për më tepër kur luan kombëtarja dhe ndjenja e atdhetarizmit është tepër e madhe.

Për t’ju rikthyer De Biazit, duket qartë se situata i ka dalë nga duart brenda dhe jashtë fushe. Përplasjet e kota mediatike me ish-trajnerë të Shqipërisë apo edhe kritikat për lojtarët e tij duken të kota. Për të kaluar edhe tek sfidat personale. Eshtë e qartë se disiplina në skuadër duhet të jetë e para, por kombëtarja nuk është pronë e De Biazit të veprojë sipas qejfit.

Largimet nga gjiri i kombëtares të Kaces dhe disa raste të tjera duken qartë se janë kapricio të De Biazit, një trajner që po shfaqet mendjemadh në pankinën tonë. Por analizoni pak edhe raportin e tij me mediat, aty shfaqet më së miri karakteri apo momenti euforik i tij.

Mos vallë De Biazi është mërzitur me Shqipërinë? Eshtë shumë e thjeshtë ta pohojë dicka të tillë dhe të largohet andej nga ka ardhur, pa i mohuar në asnjë sekond cfarë ka dhënë për Shqipërinë. Harmonia në skuadër mungon dhe është dicka e lehtë për tu kuptuar.

Shikoni edhe veprimin e një lojtari të qetë si Etrit Berisha, i pafalshëm, i dënueshëm, por në krahun tjetër një shenjë e qartë e stresit që është grumbulluar në kombëtaren tonë. Ndërkohë faktori i fundit është mungesa e një lideri.

Megjithë respektin për Agollin apo dikënd tjetër, Lorik Cana ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm në aspektin futbollistik, por Shqipëria nuk e ka më liderin e saj karizmatik, i cili me grintën e transmetuar në kohë ka qenë lideri i padiskutuar brenda dhe jashtë fushe në rradhët e kuqezinjve.

Shpresojmë që gjithcka të rregullohet shumë shpejt në të mirë të Shqipërisë sonë të dashur. Por me cka shihet deri tani, dritë në fund të tunelit nuk ka, për më tepër kur në “timonin” e kombëtares është një i velitur si De Biazi. /Minuta90.com

2 KOMENTET

Comments are closed.