Kualifikim madhështor, Shqipëria mposht Greqinë në minutën e fundit

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja Shqiptare e femrave ka siguruar një kualifikim madhështor për në raundin eliminator të Kupës së Botës 2019 duke mposhtur në minutën e fundit Greqinë me rezultatin 2-1 në takimin e fundit të vlefshëm për Grupin B paraeliminator.

Takimi i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” filloi me dy gola të shpejtë, teksa realizimit të mesfushores Megi Doçi në minutën e 16′ iu përgjigj menjëherë Nati në minutën e 18′. Goli i barazimit nuk i demoralizoi vajzat e drejtuara nga Armir Grima të cilat vazhduan të kërkonin me ngulm golin e fitores deri në fund të takimit, duke qenë se kualifikimi mund të arrihej vetëm me një fitore.

Në minutën e 49 Gkatsou’ shkaktoi një penallti dhe la Greqinë me 10 lojtare, por Furtuna Velaj gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Me afrimin e minutave të fundit, vajzat kuqezi u hodhën totalisht në sulm dhe goli i fitores së madhe u arrit vetëm në minutën e 90′ dhe u shënua nga Furtuna Velaj, e cila shleu gabimin e bërë me penalltinë.

Në minutën e 5-të shtesë Morina u ndëshkua me karton të kuq duke barazuar forcat në fushë, por koha e mbetur ishte mjaft e pakët që Greqia të barazonte shifrat. Në fund shpërthen festa e madhe e futbollisteve shqiptare, ndërkohë që lojtarët greke shpërthejnë në lot dëshpërimi. /minuta90.com/

Shqipëri-Greqi 2-1

Golat: Doçi 16’, Velaj 90’ / Nati 18’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.