Kukësi fiks 1 vit pa humbje. Gjici: Nuk vlen rekordi po nuk u shpallëm kampion

0
SHPËRNDAJE


Superiorja / Një vit pa humbje në Kategorinë Superiore. E fundit më 25 Prill 2016, kur u thyen në shtëpi nga Partizani. 35 ndeshje në total: një rekord i nisur me tre fitore në fund të edicionit të kaluar, për të vijuar me 16 fitore dhe 14 barazime në këtë sezon. Ecuri mbresëlënëse ajo e Kukësit, që synon fitimin e titullit, por edhe ta mbyllë sezonin me ecurinë perfekte në kampionat.

“Me rezultate shumë të mira dhe gjatë gjithë sezonit si rallë herë, ku asnjë ekip nuk ka arritur ndonjëherë që të mos humbasë asnjë ndeshje, besoj që janë pjekur kushtet pas pesë vitesh investim, që ta marrim titullin në Kukës. E meriton ai qytet, e meriton veriu ta marrim kampionatin. Nëse do të arrijmë finishin besoj që e kemi arritur me meritë.”

Sipas presidentit të Kukësit, një sezon pa humbje do të kishte pak vlera pa trofeun dhe për këtë arsye Gjici i bën thirrje skuadrës që të vazhdojë lluftën në gjashtë finalet e mbetura.

“Kemi një vit pa humbje, por kjo nuk do të thotë asgjë nëse nuk do të arrijmë të marrim titullin. Do të jetë thjesht një statistikë. Kemi gjashtë ndeshje, gjashtë finale shumë të vështira dhe me rivalë direkt. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë nga ndeshjet. Besojmë që ndeshja e radhës me Laçin në Kukës do të jetë shumë e vështiurë. I bëj thirrje lojtarëve dhe stafit teknik që të mos jenë euforikë, sepse asgjë nuk ka përfunduar. Natyrisht jemi në rrugën e duhur për të arritur objektivin kryesor, por është luftë e madhe deri në fund.”

Në një fund-sezoni të ndezur nga polemikat ndërmjet klubeve pretendente, por edhe nga akuzat për gjykimin, Safet Gjici ka një mesazh për të gjithë aktorët, ku kërkon garë të ndershme deri në fund dhe respektimin e kornizave.

“Padiskutim që arbitrimi duhet të jetë shumë korrekt. Nuk duhet të ndikojë në rezultat ashtyu siç bëri me Kukësin në Kukës. Pastaj rivalët, kur kanë problemet e tyre, mund të flasin për Kukësin apo për ekipet e tjera. Por, ne kemi gjetur një rrugë: të merremi me Kukësin, te merremi me veten dhe të shikojmë punët tona. Bëjmë thirrje që arbitrat të gjykojnë drejt, jo vetëm për Kukësin por për të gjitha skuadrat. Rezultatin ta marrin vetë ekipet në fushë, deri në fund, kush ta fitojë me meritë kampionatin. Natyrisht do të jem i pari unë që ta uroj dhe ti them suksese!”

S'KA KOMENTE

Comments are closed.