Kukësi kalon pa probleme Laçin dhe kthehet në kreun e renditjes

0
SHPËRNDAJE

asdsads-470x296

Kukësi ka mundur Laçin me rezultatin e pastër 2-0 falë golave të shënuar nga Dvornekoviç dhe Izair Emini. Sulmuesi anësor shënoi golin e parë të takimit në minutën 29-të, teksa fraksioni i parë i ndeshje u dominua nga vendasit që mund të kishin shënuar edhe më shumë nëse Pejiç do të ishte i saktë para portës së portierit Selmani.

Verilindorët e drejtuar nga Ernest Gjoka vazhdojnë të jenë të pathyer në këtë sezon dhe në shtëpinë e tyre kanë siguruar sot fitoren e 6 në 7 takime të zhvilluara.

Kurbinasit bëjnë përpjekjet e tyre po nuk arrijnë të bëjnë gjë në pjesën e parë, ashtu si në të dytën, pavarësisht përpjekjeve të tyre. Ekipi i drejtuar nga Ramadan Ndreu nuk ka forcë të depërtojë mbrojtjen vendase, ndërsa Kukësi kërkon edhe golin e sigurisë, të cilin arrijnë ta shënojnë në minutën e 65-të me sulmuesin Emini që realizon me një goditje fluturimthi.

Ndeshja ashtu si në Gjirokastër fillon me një minutë heshtje në nder të viktimave të tragjedisë në Kolumbi.

Kukësi e nis me shumë vrull në minutat e para por skuadra kurbinase reziston mjaft mirë.

Prej disa minutash, loja zhvendoset në gjysmëfushën e Kukësit, pasi Laçi duket shumë kërkues në këto minuta, edhe pse pakkush e priste një gjë të tillë nga skuadra që aktualisht lufton për mbijetesë.

Në të 12-tën, Hallaçi rrëmben topin në gjysmëfushën kundërshtare dhe provon nga distanca, por nuk gjen kuadratin e portës kurbinase.

Pas 6 minutash, Carioca provon të gjejë rrjetën me një goditje dënimi nga e majta. Topi i harkuar nga braziliani përfundon pak më lart se kryqëzimi i shtyllave të portës së portierit Selmani.

As 2 minuta nuk kalojnë, tjetër mundësi e mirë shënimi për Kukësin që rrit ndjeshëm trysninë para portës kundërshtare. Një harkim në zonë i mesfushorit Carioca largohet nga mbrojtja e miqve dhe topi përfundon te Musolli, por gjuajtja e këtij të fundit në hyrje të zonës kalon mbi traversë.

Kur po kronometrohej e 23-ta, Imami nis një top të gjatë nga e majta, duke detyruar portierin Selmani të dalë për të larguar rrezikun para katërkëndorit të tij pasi sfera po shkonte drejt Pejiç.

Ndreu u kërkon lojtarëve të tij që të dalin para në sulmin e Kukësit dhe pas një aksioni të gjatë të Laçit, topi përfundon te Çelhaka i cili gjuan me të djathtën në pozicion ballor por nuk ka koordinimin e duhur dhe topi përfundon mbi traversë.

Minuta e 29-të dhe Kukësi kalon në avantazh. Një goditje dënimi perfekte e mesfushorit Carioca nga e majta për Kukësin, topi, pasi nuk kontrollohet nga Alla, përfundon te Dvornekoviç i cili gjuan me forcë dhe dërgon sferën në rrjetë. 1-0.

Verilindorët duan edhe golin e dytë dhe në të 37-tën, një harkim perfekt nga e djathta për Pejiç i cili me kokë kthen sferën drejt portës por Selmani ëshë në pozicion dhe kontrollon qetësisht.

Pejiç ka dy mundësi të arta në fundin e pjesës së parë. Në rastin e parë, Pejiç humb mundësinë për golin e 2-0. Emini shpërthen në një kundërsulm të shpejtë në qendër dhe i kalon topin sulmuesit në të majtë, por gjuajtja e menjëhershme e këtij të fundit është për t’u harruar dhe përfundon jashtë kuadratit.

Ndërsa, mundësia e dytë është pas një aksioni të shpejtë në krahun e majtë për Kukësin. Topi shkon te Pejiç i cili rrotullohet dhe gjuan menjëherë drejt portës. Sfera devijohet dy herë dhe më pas topi përfundon jashtë kuadratit duke shpëtuar kurbinasit nga një gol që do të kishte mbyllur ndeshjen.

Fraksioni i parë mbyllet këtu, ndërsa i dyti nis me një mundësi të Kukësit. Tjetër harkim në zonë nga e djathta për Pejiç i cili i merr kohën mbrojtësit Lipi dhe gjuan drejt portës, por përsëri nuk gjen kuadratin dhe sfera përfundon mbi traversë.

Ritmi i ndeshjes bie disi, pasi Kukësi nuk është më aq ngulmues në sulm, ndërsa Laçi e ka të vështirë të zhvendosë manovrën në gjysmëfushën kundërshtare.

Në të 59-tën, Carioca ekzekuton një goditje dënimi nga e djathta. Alla shfaqet i vetëm në zonë dhe gjuan me kokë por topi kalon mbi traversë.

Vjen e 62-ta dhe Selmani mban në lojë Laçin duke shpëtuar katërkëndorin e tij nga një gol i sigurt. Pejiç u shfaq i vetëm para portierit të kurbinasve në të djathtën dhe iu afrua portës por gardiani i Laçit rezistoi deri në momentin e fundit para se të devijonte në këndore diagonalen e sulmuesit.

Minuta e 65-të dhe vjen një supergol i sulmuesit Izair Emini, ku lëshon të djathtën e tij nga jashtë zonës dhe Selmani nuk arrin të devijojë topin i cili kalon poshtë traversës duke u ndalur vetëm në rrjetë. 2-0.

Laçi mundohet të reagojë me anë të disa tentativa të dëshpëruara të kurbinasve për të rihapur ndeshjen, por ndonëse afrohen pranë zonës, nuk kanë forcë të godasin në portën e Kukësit.

Në të 84-tën, një aksion nga e djathta i mesfushorit Lushkja, harkimi i të cilit në zonë nga e djathta kthehet në gjuajtje dhe prek shtyllën para se të përfundojë jashtë.

Pas një minute, Greca ka mundësinë të shkruajë emrin në listën e golashënuesve të këtij dueli por shpërdoron edhe pse i vetëm në zonë, duke dërguar topin mbi traversë nga një pozicion i favorshëm para portierit Selmani.

Në fund, kemi edhe dy raste të tjera për Kukësin. Në rastin e parë, Imami jep një top nga e majta në shtyllën e dytë ku Dvornekoviç provon të gjejë portën me një gjuajtje fluturimthi por nuk gjen kuadratin.

Ndërsa, në rastin e dytë, një kundërzbritje e shpejtë e mesfushorit Lushtaku që finalizon vetë në portë, por Selmani kontrollon.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me fitoren e Kukësit, që del shumë e kënaqur nga ky takim.

Javën e ardhshme, Kukësi luan me Partizanin në “Elbasan Arena”, ndërsa Laçi pret në shtëpi Luftëtarin. /minuta90.com/

Kukësi-Laçi 2-0

Golat: Dvornekoviç 29’, Emini 65’

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti (Memini 68’), Alla, Imami, Carioca, Lena, Musolli (Lushtaku 59’), Dvornekoviç, Emini (Greca 79’), Pejiç (në dispozicion: Koçi, Jonuzi, Moreira, Rangel) Tr: Ernest Gjoka

Laçi: Selmani, Musaj, Lulaj, Qaqi, Gjoni, Alechenwu, Toska (Kastrati 69’), Toski (Hyseni 81’), Lipi (Biba 51’), Lushkja, Çelhaka (në dispozicion: Mehidri, Fangaj) Tr: Ramadan Ndreu

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Rudin Preça, Astrit Mahmuti, Remzi Sadiku

Kartonë të verdhë: Lushtaku 75’/ Toski 42’, Çelhaka 78’, Alechenwu 90’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.