Kukësi/ Kampionët kërkojnë konfirmimin ndaj Kamzës së Ndreut

0
SHPËRNDAJE


Superiorja/ Të arrish majat në futboll është gjithmonë e vështirë por të përsërisësh vetveten misioni ndërlikohet akoma më shumë. Pas fitimit të titullit të parë kampion në historinë e klubit, Kukësi nis këtë të Shtunë sezonin e ri me një objektiv mëse të qartë të ruajë fronin e Superiores. Verilindorët kanë pësuar shumë ndryshime gjatë kësaj vere sepse pas eliminimit nga Champions League, përvec trajnerit Gjoka nga Kukësi u larguan shumë futbollistë cilësorë, ku spikasin mesfushorët Lena e Karoika por edhe sulmuesit Pejic e Emini.

Drejtimin e skuadrës e ka marrë serbi Mladen Milinkovic i cili zhvilloi një sezon fantastik me Luftëtarin duke i pozicionuar bluzinjtë në vendin e 4-t. Megjithatë aventura e Milinkovic te Kukësi nuk nisi në mënyrën më të mirë të mundshme pasi verilindorët humbën Superkupën e Shqipërisë ndaj Tiranës pak ditë më parë dhe trajneri serb është vënë menjëherë nën presion nga presidenti Safet Gjici i cili i ka kërkuar me cdo kusht fitoren në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Kamzës. Me rinovimin e portierit Kolici i cili është një garanci mes shtyllave por edhe me rikthimin e Albi Allës, prapavija është pothuajse e njëjta pra ajo që fitoi kampionatin sezonin e kaluar. Megjithatë në mesfushë dhe sulm Kukësi është dobësuar disi, edhe pse në skuadër janë afruar lojtarë si Hair Zeqiri, Elis Bakaj apo edhe azeri Rauf Aliyev.

Përballë një Kamze që është përforcuar me lojtarë të rëndësishëm në merkato, Kukësi nuk do ta ketë aspak të lehtë marrjen e tre pikëve. Ndaj verilindorëve te Kamza pritet të debutojë sulmuesi Sebino Plaku i cili ishte edhe afrimi më i fundit i skuadrës kryeqytetase në këtë merkato. Gjatë kësaj vere me Kamzën janë bashkuar edhe lojtarë të tjerë me peshë si portieri Argent Halilaj, mbrojtësit Hektor Idrizaj e Ivan Fustar, mesfushorët, Argjend Mustafa, Bruno Arrabal e Alfred Zefi si dhe sulmuesit Masato Fukui, Stevan Racic e Mërgim Neziri. Shumë elementë cilësorë që pritet ta shndërrojnë Kamzën në një kockë të fortë edhe për skuadrat pretendente për titull. Ne Zeqir Ymeri këtë të Shtunë në orën 16, Kukësi duhet të shfaqë stofin e skuadrës kampione pasi vetëm kështu mund të marrë maksimumin ndaj formacionit të Ramadan Ndreut.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.