Kukësi përmbys Teutën për 5 minuta

0
SHPËRNDAJE

nis-loja2

Një super paraqitje i ka vlejtur fitoren 2-1 Kukësit në Durrës, në një sfidë mjaft të ndërlikuar.

Teuta kërkonte pikër për t’u larguar nga vendet e fundit, Kukësi për të rimarrë kreun.

Triumfoi në fund cilësia e Kukësit, që ka një stol fantastik, aty ku trajneri Ernest Gjoka “peshkoi” dy xholë, sepse dy lojtarët e hedhur në fushë në fundin e takimit, Rangel e Lushtaku, shënuan dy gola shumë “të rëndë”.

Teuta luajti një ndeshje mjaft të mirë, nuk rrezikoi shumë në pjesën e parë dhe gjeti golin sapo filloi e dyta, por Kukësi e rriti presionin dhe në fundin e takimit gjeti dy golat e fitores së madhe.

Fitorja e parë jashtë fushe e Kukësit, që tashmë është bindur: mund të jetë viti i duhur për titullin.

Takimi nis i shpejtë, ku që në të 3-tën, me miqtë japin sinjalin e parë. Bedri Greca provon me të majtën pas një pasimi të Eminit pas shpinës së mbrojtjes durrsake, por gjuajtja fluturimthi shkon mbi traun e portës.

Në të 9-tën, Teutës i anulohet një gol. Gripshi gjuan me të majtën brenda zonës dhe Magani e shtyn topin në rrjetë, por sulmuesi i vendasve kapet në pozicion jashtë loje. Goli nuk vlen.

Pas 7 minutash, Kukësi pretendon për penallti pas një dueli mes mesfushorëve Greca dhe Hila në zonën e Teutës, por për gjyqtarin Enea Jorgji është gjithçka e rregullt.

Teuta provon të marrë frenat e lojës në dorë dhe rrezikon me sulmuesin Magani. Futbollisti gjuan me kokë pas një krosimi të Gripshit nga e djathta, por topi devijohet nga mbrojtja e Kukësit dhe shkon mbi tra.

Loja është me ritëm të lartë, me dyluftime të forta dhe faulle të njëpasnjëshme, ç’ka bën që të mungojnë edhe rastet e pastra për shënim.

Në të 37-tën, Dvornekoviç provon me një gjuajtje nga distanca, mirëpo e djathta e sulmuesit anësor është për t’u harruar. Topi përfundon shumë larg traut të portës së portierit Moçka.

Vjen minuta e 41-të dhe Kukësi i afrohet golit me mesfushorin Nijaz Lena. Ish-futbollsti i Teutës lëshon një të djathtë të fuqishme nga larg, e cila përfundon ngjitur me shtyllën e djathtë.

Në fundin e pjesës së parë, tjetër mundësi për kuksianët me protagonist futbollistin Bedri Greca. Mesfushori bën gjithçka mirë pas një topi të marrë në zonë, por gabon në gjuajtje. E djathta e tij nuk gjen kuadratin e portierit Shpëtim Moçka.

E para mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me gol, me Teutën që kalon në epërsi shumë shpejt. Sulmuesit Bangal i kanë mjaftuar vetëm 23 sekonda pas pushimit për të gjetur rrugën e rrjetës. Futbollisti finalizoi një aksion të shpejtë, që e kapi të papërgatitur mbrojtjen e Kukësit.

Kukësi provon të reagojë dhe të rrezikojë nga goditja e këndit, e para në këtë ndeshje për ta, por Hila i vëmendshëm largon kërcënimin.

Kukësi përpiqet ta zhvendosë lojën drejt portës kundërshtare në kërkim të golit të barazimit, por gjen përballë një Teutë të vendosur mirë në mbrojtje të avantazhit.

Në të 74-tën, Çmajçanin mundohet të përfitojë nga një top i rrëmbyer nga Musolli, megjithatë është po ky i fundit që e ndal në zonë para se mesfushori i Teutës të bëhej i rrezikshëm.

Trajnerët Magani dhe Gjoka bëjnë ndërrimet e tyre, ku aktivizohen Ribaj dhe Shehi për Teutën, ndërsa për Kukësin aktivizohen Rangel dhe Lushtaku.

Në të 80-tën, Kukësi barazon shifrat. Vetëm pesë minuta pasi u fut në lojë, sulmuesi Rangel barazon rezultatin me një goditje spektakolare me kokë pas një krosimi nga një goditje dënimi, i ndihmuar edhe nga dalja e pamenduar mirë e portierit Moçka.

As 5 minuta të plota nuk mbushen dhe Kukësi kalon në avantazh. Lushtaku përmbys rezultatin me një të djathtë fluturimthi rrafsh me tokën nga kufijtë e zonës, që nuk i lë asnjë mundësi reagimi portierit Moçka. Kuksianët nga ferri në parajsë.

Deri në fundin e lojës ka ndalesa të shpeshta të lojës nga lojtarët e Kukësit, të cilët përpiqen të fitojnë minuta të çmuara.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Kukësin që del shumë i kënaqur nga ky takim, ndërsa te Teuta duhet akoma punë, edhe pse trajneri Magani po jep maksimumin e tij.

Javën e ardhshme, Teuta luan me Partizanin në transfertë, ndërsa Kukësi pret në shtëpi Tiranën. /minuta90.com/

Teuta-Kukësi 1-2

Golat: Bangal 46’/ Rangel 80’, Lushtaku 85’

Teuta: Moçka, Hodo, R. Hoxha, Hila, Kotobelli, Gripshi (Rashica 59’), Dita, Çmajçanin, Musta, Magani (Shehi 77’), Bangal (Ribaj 68’) Tr: Gugash Magani

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Memini, Alla, Imami, Hasani (Lushtaku 84’), Musolli, Greca (Rangel 74’), Lena, Dvornekoviç (Guri 58’), Emini Tr: Ernest Gjoka

Gjyqtarë: Enea Jorgji

Kartonë të verdhë: Musta 22’, Bangal 47’, R. Hoxha 79’/ Emini 14’, Lena 50’, Alla 90’+4

S'KA KOMENTE

Comments are closed.