Kukësi pëson humbjen e parë, por kualifikimi mbetet i hapur në “Zeqir Ymeri”

0
SHPËRNDAJE

Në një “Selman Stermasi” thuajse të boshatisur, E fiton Tirana raundin e parë të duelit ndaj Kukësit në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë triumfuan 2-1 duke u shkaktuar verilindorëve humbjen e parë pas 30 ndeshjesh.

Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ishte më e qartë në këtë përballje, duke qenë më dominuese dhe më e qartë në lojën e saj, duke marrë një fitore që e afron me gjysëmfinalet.

Pjesa e parë ishte më e mirë për të besuarit e trajnerit Mirel Josa, që gjetën dy herë avantazhin, teksa ishin golat e sulmuesit Grent Halili në minutën e 30′ dhe ai i mesfushorit Afrim Takut në të 46′-ën, qëe mbyllën pjesën e parë në avantazh ta dyfishtë për bardhebluë, ndërkohë që Kukësi ishte pa ide dhe larg asaj forme që jemi mësuar në kampionat.

Në të dytën kuksianët u zgjuan dhe ngushtuan disavantazhin me një supergol të mbrojtësit Eni Imami dy minuta pas rifillimit të lojës. Përkundër rasteve në të dyja portat, rezultati mbeti i pandryshuar dhe ekipi që shkon në gjysmëfinale do të mësohet pas takimit të kthimit në “Zeqir Ymeri” pas dy javësh.

Ndeshja nis e qetë në minutat e para, me skuadrat që përpiqen të studiojnë njëra-tjetrën, teksa rasti i parë vjen në minutën e 8-të për Tiranën. Erion Hoxhallari provon me të majtën nga një goditje dënimi, por gjuajtja e mbrojtësit shkon pak sipër traut të portës kuksiane.

Tjetër përpjekje e vendasve me sulmuesin Grent Halili në minutën e 16-të. Sulmuesi depërton në zonë, por Shameti dhe më pas portieri Koçi i mbyllin hapësirën.

Ndërkaq, Kukësi tenton të shfaqet rrezikshëm me mesfushorin Nijaz Lena në të 25, por shqiptaro-maqedonasi nuk pason dot për sulmuesin Pejiç pasi bllokohet nga mbrojtja bardheblu.

Pas dy minutash, Erion Hoxhallari provon përsëri me të majtën nga distanca, por goditja e tij është qendrore dhe shkon pa problem në duart e portierit Ervis Koçi.

Minuta e 30-të dhe Tirana në avantazh. Grent Halili zhbllokon rezultatin me një gol të bukur pas një pasimi spektakolar nga Asion Daja. 1-0.

Kukësi përpiqet të reagojë dhe ka një mundësi të mirë me sulmuesin Guri në të 32-tën, por gjuajtja me kokë e shkodranit gjen përgjigjen e portierit Ilion Lika.

Tjetër rast i rrezikshëm në portën e Tiranës në të 36-tën. Pejiç provon me një goditje brenda zonës, por sërish Ilion Lika shpëton portën.

Në të 39-tën, Tirana ka mundësinë e artë për të dyfishuar. Edeh merr një pasim nga e majta, ndal topin bukur me gjoks, por gjuajtja e tij ndalet nga trau.

Në fundin e pjesës së parë, Tirana gjen edhe golin e dytë. Pak sekonda pasi gabon përballë portierit Koçi, Afrim Taku vesh sërish petkun e goleadorit duke thelluar avantazhin e bardhebluve.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me ndryshim te Kukësi. Pero Pejiç ulet në stol dhe vendin e tij e merr Izair Emini.

Minuta e 47-të dhe Kukësi shkurton diferencën me një supergol të futbollistit Eni Imami. Mbrojtësi përfitoi nga një top i larguar jo në mënyrën më të mirë nga Ilion Lika dhe, pa u menduar dy herë, mposht portierin bardheblu me një të majtë nga rreth 35 metra.

Tirana është sërish e pafat dhe në të 54-tën, tashmë pas Edeh në pjesën e parë, shtylla i mohon golin edhe mesfushorit Taku, i cili provoi me një të djathtë të fuqishme nga kufijtë e zonës.

Të dy trajnerët si Josa, ashtu edhe Gjoka, bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa aktivizohen në lojë Cisse dhe Deliaj për bardheblutë, ndërsa për verilindorët Hasani dhe Cale.

Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me Kukësin do të ketë mundësinë të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit në “Zeqir Ymeri”, ku do të vendosë edhe kualifikimi në gjysëmfinale. /minuta90.com/

Tirana-Kukësi 2-1

Golat: Halili 30’, Taku 45’+1/ Imami 47’

Tirana (4-4-2): I. Lika, Doka, Muça, Domgjoni, Hoxhallari, G. Lika, Daja, Ndockyt, Taku, Halili (Cisse 54’), Edeh (Deliaj 90’+3) Tr: Mirel Josa

Kukësi (4-4-2): Koçi, Hallaçi, Memini, Shameti, Rrumbullaku, Carioca, Lena (Cale 72’), Musolli, Imami, Guri, Pejiç (Emini 46’-Hasani 57’) Tr: Ernest Gjoka

Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti

Kartonë të verdhë: Domgjoni 56’, Edeh 59’/ Musolli 59’, Cale 75’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.