Kukësi-Tirana, ose teatri i mesjavës!

0
SHPËRNDAJE

Kukësi dhe Tirana do ta kenë tashmë shumë të vështirë të shuajnë zërat për një aleancë mes tyre. Takimi i kthimit në Kupën e Shqipërisë jo vetëm dekretoi kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por edhe me rezultatin e trumbetuar gjatë në rrjetet sociale nga tifozët bardheblu, 0-0.

Në një ndeshje që u luajt me ekipet rezervë, sigurisht që spektakli që u afrua ishte ai që prisnin të gjithë, dy skuadra që shkonin deri pranë zonës kundërshtare, por që rrallëherë gjuanin në portë. Më saktësisht, gjuajtjet në kuadrat ishin vetëm në pjesën e parë, ndërsa në të dytën, triumfoi jo frika për të pësuar, por frika për të shënuar.

Këtë e kuptuan edhe tifozët e Kukësit, të cilët për të mos vërshëllyer skuadrën e tyre, vërshëllyen atë të Tiranës sapo lojtarët e kësaj të fundit preknin topin. Kualifikimi në gjysmëfinalen e turneut, pas shumë vuajtjesh dhe në një sezon të trazuar, normalisht duhej të ishte një festë për Tiranën.

Por mjaftonte të shihje se si lojtarët bardheblu dolën nga fusha e lojës, për të kuptuar se ishin thjesht të lumtur që i dhanë fund një spektakli të shëmtuar që nuk bindi askënd.

Takimi nis me Cale, i cili kishte hapësirë në zonë, por braziliani gjuajti shumë lart mbi traversë.

Një aksion i rrezikshëm në zonën e Tiranës vjen në minutën e 17-të, teksa pas një rrëmuje topi shkon drejt mesfushorit Hasani por Taku është në pozicion dhe nuk e lejon shkodranin të godasë në portë.

Pas dy minutash, Cale vendos në provë reflekset e portierit Bakaj me një gjuajtje nga jashtë zonës, por gardiani bardheblu është i vëmendshëm dhe devijon në goditje nga këndi.

Kur po kronometrohej e 26-ta, vjen një harkim perfekt i mbrojtësit Hoxhallari nga krahu i majtë, Edeh me kokë gjuan në kuadrat por Koçi arrin të devijojë duke shpëtuar portën.

Kukësi vijon të luajë në sulm, ku arrin t’i afrohet lehtësisht zonës së rreptësisë së Tiranës, por jo të lëshojë gjuajtje të rrezikshme drejt katërkëndorit të portierit Bakaj.

Në të 41-tën, gjuajtje nga distanca e Ndockyt, por Koçi ndal goditjen e mesfushorit bardheblu ndërsa më pas topi largohet nga zona duke i hequr mundësinë Edeh të rrezikojë.

Dy minuta përpara fundit të pjesës së parë, Guri shpërdoron mundësinë më të mirë për të rihapur kualifikimin. Rangel shkëputet në krahun e djathtë dhe jep një pasim perfekt për sulmuesin Guri në anën tjetër, por gjuajtja e shkodranit përfundon në trupin e portierit Bakaj ndërsa edhe me tentativën e dytë ai nuk arrin të gjejë kuadratin duke e dërguar topin shumë lart mbi traversë.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa pjesa e dytë fillon me një zëvendësim te kryeqyetetasit, ku në fushën e lojës hyn Albi Doka në vend të mbrojtësit Kërçiku.

Rasti i parë i kësaj pjesë të dytë vjen në të 52-tën, ku një goditje dënimi nga e majta e mesfushorit Lushtaku, shkon te Hasani, i cili luajti si sulmues praktikisht në këtë sfidë, por nuk arrin të kthejë topin drejt kuadratit të bardhebluve.

Pas dy minutash, Doka nis një top të saktë nga e djathta në zonën e Kukësit ku Taku kontrollon por nuk ka shënjestrën e duhur për të dërguar topin në rrjetë duke e kaluar mbi traversë.

Në të 57-tën, Ntsitsigui kundërsulmon rrezikshëm nga e majta, bën gjithçka mirë duke hyrë në zonë, por gjuan në mënyrë krejtësisht të gabuar për të dërguar sferën jashtë kuadratit pa shqetësuar portierin Koçi.

Kur po kronometrohej e 61-ta, aksion i shpejtë i Rangel i cili hyn në zonë duke detyruar portierin Bakaj të dalë për të larguar topin nga këmbët e tij, sfera përfundon mes futbollistëve kuksianë por Hasani dhe Guri ngatërrohen duke mos gjuajtur në portën e boshatisur. Ndërkaq, situata zhvendoset në portën tjetër me një kundërsulm të shpejtë, ku Tirana shfaqet në pozicion të volitshëm, por nuk gjen portën me Edeh.

Kombinime të shpejta të vendasve në hyrje zonës së Tiranës në minutën e 63-të, topi arrin te Hasani i cili provon me një gjuajtje të fortë nga e majta, por Bakaj i kundërpërgjigjet duke kaluar topin mbi traversë.

Ndërkaq, vjen momenti i debutimit të sulmuesit Kufre Ebong, i cili zë vendin e një tjetër sulmuesi si, Sindri Guri për vendasit.

Tirana rrit lojën ndjeshëm, që gjen më shumë hapësira në prapavijën e Kukësit. Sakaq, Ernest Gjoka bën një tjetër lëvizje, duke larguar shqiptaro-maqedonasin Nijaz Lena, plotësisht në hije në ndeshjen e sotme, për të aktivizuar të riun Albi Koldashi.

Në të 86-tën, Çema i dhuron topin Edeh i cili shkon i vetëm drejt zonës së Kukësit por vonohet në momentin e gjuajtjes duke i dhënë mundësinë vetë mbrojtësit verilindor që të korrigjojë gabimin e tij.

Në minutat e fundit, Kukësi qarkullon topin para zonës së Tiranës, por askush nuk gjuan drejt kuadratit, duke kaluar sferën sa në njërën anë, në tjetrën.

Në fund, vjen vërshëllima e gjyqtarit Kridens Meta që i jep fund ndeshjes e cila nuk dhuroi emocione prej shumë minutash, teksa eliminohet Kukësi.

Barazim 0-0 në Kukës dhe Tirana kalon në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë duke eliminuar skuadrën verilindore të cilët e kishte mundur në ndeshjen e parë 2-1. /minuta90.com/

Kukësi-Tirana 0-0

Gola: S’ka

Kukësi (4-4-2): Koçi, Imami, Memini, Çema, Rrumbullaku, Lushtaku, Hasani, Lena (Koldashi 72’), Cale, Guri (Ebong 66’), Rangel Tr: Ernest Gjoka

Tirana (4-4-2): Bakaj, Kërçiku (Doka 46’), Cake, Turtulli, Hoxhallari, Taku, Ndockyt, Daja (Deliaj 85’), Ntsitsigui (Nuriu 90’+1), Halili, Edeh Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Kridens Meta

Kartonë të verdhë: Memini 34’, Hasani 38’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.