Kukësi vijon marshimin, goli i sulmuesit Izair Emini mposht Teutën

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Nëse në Kupë ka regjistruar humbjen e parë sezonale, në kampionat Kukësi vazhdon të jetë i pamposhtur dhe ecën me ritëm të pandalshëm në kreun e klasifikimit. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka ka mundur sot jo pa vështirësi Teutën me rezultatin minimal 1-0, për të vendosur në trysni ndjekësit, Skënderbeun dhe Partizanin falë një goli të sulmuesit Izair Emini për t’i dhënë tre pikë që janë shumë kryesore, teksa shqiptaro-maqedonasi ka zgjidhur gjithçka me një goditje të shkëlqyer në rastin e parë që iu shfaq në këtë duel.

Më pas, Kukësi iu kthye lojës së preferuar, me top të gjatë drejt Pejiç në kundërsulme të shpejta. Teuta krijoi raste dhe bëri rezistencë duke treguar se nuk kishte ardhur për qejf në Kukës, por e kishte të vështirë përballë vendasve qe ishin vërtet në një formë të mirë, teksa mund të kishte barazuar ndeshjen në pjesën e dytë, por portieri ishte në ditë të mirë.

Ndërsa nga ana tjetër e fushës, vendasit gabuan disa mundësi që të mbyllnin ndeshjen duke e lënë të hapur deri në fund, por diferencën e bënë kualitetet që ekipi kuksian ka në përbërje si Izair Emini apo dhe Pero Pejiç.

Në fillimin e takimit, pritej një lojë në sulm e Kukësit por është Teuta që po dominon duke mbyllur vendasit në gjysmëfushën e tyre.

Rreziku i parë në portën e Teutës, vjen pas një gjuajtje të mbrojtësit Rrumbullaku në minutën e 13-të. Futbollisti provon nga distanca, por Kastrati tregohet i vëmendshëm duke devijuar në goditje nga këndi.

Kukësi-Teuta rezulton një ndeshje e luftuar, me shumë faulle nga të dyja palët dhe plotësisht e hapur, pasi si Kukësi, ashtu edhe Teuta provojnë të gjejnë hapësira për të shënuar një gol që mund të ndryshojë fatin e ndeshjes.

Në të 21-tën, Carioca në krahun e majtë i shmanget mbulimit të mbrojtjes dhe hyn në zonë, por gjuajtja e tij me të djathtën kontrollohet nga Kastrati.

Prej disa minutash është Kukësi zhvendos plotësisht lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe provon të dërgojë topin te Pejiç me harkime nga krahët, pa shumë sukses pasi sulmuesi është gjithmonë i rrethuar nga dyshja e mbrojtësve durrsakë, Rustem Hoxha dhe Bojan Markoviç.

Kur po kronometrohej e 32-ta, Musta humb një rast të pabesueshëm para portës së Kukësit, kur një pavëmendje e mbrojtjes kundërshtare bën që topi të mbërrijë në këmbët e mesfushorit vetëm pak metra para portierit Koliçi, teksa goditja e tij është e lehtë dhe qendrorë, duke përfunduar lehtësisht në duart e portierit të kryesuesve të Superiores.

Menjëherë pas këtij rasti, ekzaktësisht pas dy minutash Rrumbullaku provon përsëri nga distanca, këtë radhë topi kalon mbi traversë.

Minuta e 37-të dhe 1-0 për Kukësin. Avantazh i verilindorëve me një gol të shkëlqyer të sulmuesit Izair Emini në rastin e parë që i shfaqet. Pas një aksioni nga e majta, shqiptaro-maqedonasi merr topin në hyrje të zonës dhe godet sferën në mënyrë perfektë për të mposhtur portierin Kastrati. 1-0.

Një minutë përpara fundit të së parës, Teuta i afrohet shpejt barazimit. Musta nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë vetëm pak hapa larg portës, i ndalur nga Koliçi, i cili shpëton portën e tij me një grushtim vendimtar.

Pjesa e parë mbyllet këtu, ndërsa e dyta nis me një zëvëndësim te Teuta. Gugash Magani provon të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij. Në dhomat e zhveshjeve mbetet Çyrbja, i cili i lë vendin mesfushorit nga Tropoja, Gerhard Progni.

Në fillimin e pjesës së dytë, Kukësi pret Teutën në gjysmëfushën e vet duke u munduar t’i godasin me armën e tyre më të fortë në këtë sezon.

Në të 54-tën, depërtim nga e djathta i mesfushorit Progni i cili gjuan në portë, por Koliçi tregohet i vëmendshëm duke devijuar tentativën e tropojanit.

Kur po kronometrohej e 60-ta, Kukësi shpëton për mrekulli. Ribaj gjuan në portë dhe sfera devijohet nga një mbrojtës, duke përfunduar jashtë ngjitur me shtyllën, ndërsa Koliçi i gënjyer nga trajektorja ishte hedhur në krahun tjetër.

Ernest Gjoka kërkon më shumë mbulim nga skuadra e tij kur në të 63-tën, hedh në fushë mesfushorin Edon Hasani, në vend të Dvornekoviç.

Tjetër drithërimë në portën vendase në të 64-tën. Koliçi pret gjuajtjen e mbrojtësit Kotobelli ndërsa më pas Musta gjuan drejt portës së verilindorëve, teksa vetëm një ndërhyrje e mbrojtësit Alla shpëton Kukësin nga pësimi i golit të barazimit.

Kukësi lëshon shumë terren, duke i lënë iniciativën Teutës që kërkon barazimin, por durrsakët nuk shfrytëzojnë rastet që iu vijnë.

Një gjuajtje në hyrje të zonës e Cale kthehet në asist për kroatin Pejiç i cili gabon duke gjuajtur në trupin e portierit Kastrati, teksa shpëton porta e Teutës për mrekulli nga goli i dytë.

Pas 60 sekondash të këtij rasti tjetër kundërzbritje e shpejtë e Kukësit, me sulmuesin Guri që gjen kosovarin Musolli në të djathtë, por goditja e mesfushorit nga distanca është shumë e gabuar, pasi nuk gjen kuadratin.

Shumë ndërprerje dhe vonesa në këto minuta të fundit, ndërsa gjyqtari Laver Alla akordon 4 minuta shtesë.

Deri në fund, nuk ka më histori dhe ndeshja mbyllet këtu, me Kukësin që i kthehet fitores, pas asaj humbjeje ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë, ndërsa Teuta mund të kishte barazuar dhe marrë një pikë ditën e sotme.

Pas kësaj fitoreje, ekipi i Kukësit shkëputet akoma më shum në krye të renditjes dhe pret i qetë rivalët, ndërkohë Teuta futet drejt fundit të renditjes dhe tashmë është vërtet e rrezikuar.

Javën e ardhshme, Kukësi luan ndaj Tiranës në transfertë në “Selman Stërmasi”, ndërsa Teuta pret në shtëpi në “Niko Dovana” Partizanin. /minuta90.com/

Kukësi-Teuta 1-0

Goli: Emini 37’

Kukësi (4-4-2): Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Rrumbullaku, Dvornekoviç (Hasani 63’), Lena, Musolli, Carioca (Cale 82’), Emini (Guri 72’), Pejiç Tr: Ernest Gjoka

Teuta (4-4-2): Kastrati, Beqja, R. Hoxha, Markoviç, Kotobelli, Çyrbja (Progni 46’), Çmajçanin (Sykaj 62’), Hila, Musta (Magani 70’), Ribaj, Bangal Tr: Gugash Magani

Gjyqtarë: Laver Alla

Kartonë të verdhë: Alla 41’, Hasani 77’, Lena 87’ / Beqja 37’, Çmajçanin 58’, Hila 67’, Sykaj 90’+1

S'KA KOMENTE

Comments are closed.