Kukësit i anulohen 2 gola, barazim i bardhë ndaj Tiranës

0
SHPËRNDAJE

15252591_1787203908202390_6570154076046865116_oNuk ka fitues në Kukës në kryesfidën që vendasit luajtën me Tiranën e drejtuar tashmë nga Mirel Josa. Një ndeshje e ekuilibruar, me pak raste, dhe që në fund nuk prodhoi asnjë fitues.

Topi përfundoi dy herë në rrjetën e portierit Lika, por në njërin rast ishte faull, dhe në tjetrin pozicion jashtë loje. Në fund Kukësi e rriti presionin dhe kërkoi golin e fitores, por ëshët vonë, pasi Tiranë qëndron dhe merr një pikë.

Sfida në “Zeqir Ymeri” u luajt me ritëm të lartë nga minuta e parë deri në të fundit. Pjesa e parë ishte e barabartë, kurse pas pushimit vendasit u treguan më këmbëngulës.

Kukësi në këtë mënyrë lëshon kreun, i cili merret nga Skënderbeu me dy dy pikë më shumë se verilindorët që shkojnë në kuotën e 24 pikëve.

Takimi nis me një me ritëm të lartë, me lojën që përqendrohet më tepër në mesfushë. Skuadrat duket se po studiojnë njëra-tjetrën në fillimin e ndeshjes, ndërkohë që në tribuna tifozët dhurojnë spektakël.

Në të 9-tën, Muzaka hedh një krosim të lartë në zonë, Muça përpiqet ta kthejë topin në qendër të zonës, por Koliçi kontrollon topin pa problem.

Tirana ka kontroll më të madh të topit, por gjen përballë një Kukës agresiv që bën presion në çdo cep të fushës.

Kur po kronometrohej e 22-ta, rasti i parë i rrezikshëm vjen në portën e Tranës. Edon Hasani provon të djathtën e tij nga kufijtë e zonës, por gjuajtja gjen të përgatitur portierin Ilion Lika që devijon në goditje nga këndi.

Nuk vonon përgjigjja e Tiranës dhe pas 2 minutash, Moctar Cisse futet në zonë dhe përpiqet të gjuajë drejt portës, mirëpo topi ndalet që në nisje.

Kukësi i shton sulmet dhe në të 26-tën Nijaz Lena gjuan nga distanca, por sërish Ilion Lika përgjigjet në apel.

Pas një minute, vendasit pretendojnë për një penallti. Jean Carioca kthen një pasim drejt qendrës së zonës, i cili ndalet nga Asion Daja. Për vendasit, mesfushori i Tiranës e preku topin me dorë, por gjyqtari Meta e lë lojën të vazhdojë.

Në të 32-tën, Nkounkou bën gjithçka mirë nga e djathta dhe, pasi shmang dy kundërshtarë, gjuan me të majtën. Gjithsesi, goditja e tij është e pasaktë dhe nuk e shqetëson portierin Koliçi.

Vjen minuta e 35-të dhe Erando Karabeci i beson të majtës së tij nga rreth 35 metra, por gjuajtja qendrore pritet pa problem nga “gardiani” kuksian Koliçi.

Në fundin e pjesës së parë, Muzaka shfaqet i vetëm përballë portierit, por kapet në pozicion jashtë loje. Nga pamjet filmike shikohet se është një vendim i gabuar i anësorit Dojando Myftari, pasi mesfushori i Tiranës ishte në pozicion krejt të rregullt. Megjithatë, Koliçi e kishte ndalur gjuajtjen e Muzakës.

Fraksioni i dytë nis me një ndryshim te Kukësi. Ernest Gjoka ul në stol sulmuesin Sindrit Guri dhe vendin e tij e merr Matija Dvornekoviç.

Sapo nis pjesa e dytë, Pero Pejiç gjen rrugën e rrjetës pas një krosimi të mesfushorit me tipare sulmuese, Carioca. Megjithatë, goli nuk vlen pasi sulmuesi ishte në pozicion jashtë loje.

Pas 4 minutash, sërish kërcënues kuksianët. Ylli Shameti i shpëton mbullimit të mbrojtjes tiranase dhe godet me kokë pas një krosimi nga këndi. Gjuajtja e tij fillimisht ndalet nga portieri Lika e më pas mbrojtësit bardheblu e largojnë në goditje këndi.

Kukësi përpiqet ta zhvendosë lojën drejt portës bardheblu dhe në të 60-tën, kuksianët kërkojnë penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga Olsi Teqja, por për gjyqtarin Meta është vetëm goditje nga këndi.

Në të 68-tën, Afrim Taku tenton me të djathtën nga distanca, mirëpo gjuajtja e tij është e pasaktë dhe nuk e shqetëson portierin Koliçi.

Një rast i mirë, nëse mund ta quajmë të tillë, në të 73-tën, kur Pejiç përpiqet të përfitojë nga dalja e portierit Ilion Lika dhe gjuan menjëherë me të djathtën, por goditja e sulmuesit përfundon mbi katërkëndësh.

Pas 3 minutash, Kukësi shpërdoron një mundësi të mirë. Një aksion i gjatë i verilindorëve përfundon me gjuajtjen e mesfushorit Carioca që pritet nga Lika.

Në të 84-tën, Kukësi gjen përsëri golin me mbrojtësin Ylli Shameti, por gjyqtari Meta e anulon për një faull të sulmuesit Dvornekoviç ndaj portierit Ilion Lika.

Gjyqtari i katërt Çokaj akordon pesë minuta shtesë dhe në të 91-tën, Eni Imami provon me një të majtë fluturimthi nga larg dhe për pak realizon një supergol, por topi shkon fare pranë shtyllës.

Në të 95-tën, Gilman Lika për pak u bën një surprizë të hidhur vendasve me një goditje dënimi. Gjuajtja e mesfushorit bardheblu merr një trajektore të rrezikshme, por Enea Koliçi reagon në kohë.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Me këtë barazim Kukësi e humb bashkëkryesimin me Skënderbeun, që shkëputet +2. Kurse Tirana ngjitet në kuotën e 21 pikëve, duke parakaluar përkohësisht Partizanin.

Javën e ardhshme, Kukësi pret në shtëpi Laçin, ndërsa Tirana luan derbin e madh me Partizanin. /minuta90.com/

Kukësi-Tirana 0-0

Gola: S’ka

Kukësi (4-3-1-2): Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Imami, Hasani, Musolli, Lena (Rangel 68’), Carioca (Lushtaku 80’), Guri (Dvornekoviç 46’), Pejiç (në dispozicion: Koçi, Memini, Dema, Greca) Tr: Ernest Gjoka

Tirana (4-2-3-1): I. Lika, Taku, Muça, Teqja, Hoxhallari (Acquah 88’), Karabeci, Daja, Muzaka (G. Lika 69’), Ndockyt, Nkounkou, Cisse (në dispozicion: Bakaj, Domgjoni, Deliaj, Vucaj, Halili) Tr: Mirel Josa

Gjyqtarë: Kridens Meta, Rejdi Avdo, Dojando Myftari, Ridiger Çokaj, Andi Koçi, Eldorjan Hamiti

Kartonë të verdhë: Hallaçi 38’, Alla 62’, Musolli 90’+4/ Daja 63’, Ndockyt 78’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.