Kundërshtari i Flamurtarit në Kupë dhe misteriozja FSHF

0
SHPËRNDAJE

Në raundin 1/16 të Kupës së Shqipërisë 2015-16 duhej të kishim Gramshi – Flamurtari por ja që Gramshi është tërhequr nga të gjitha garat, përfshirë këtu edhe Kategorinë e Parë të cilën e kishte siguruar me shumë mund, madje duke mundur në finale edhe Korabin e Peshkopisë e duke rrëmbyer trofeun e Kategorisë së Dytë.

Deri këtu në rregull, pasi ndodh që një klub të mos arrijë të përmbushë kushtet për të marrë pjesë në gara. Ka ndodhur në të kaluarën dhe me siguri do të ndodhë edhe në të ardhmen, dhe jo vetëm te ne.

Por ajo që përbën habi është zëvendësimi i kundërshtarit të Flamurtarit me Orikumin kur duhet të jepej një rezultat aforfe në favor të kuqezinjve, pra Gramshi – Flamurtari 0-3 0-3 (aforfe, Gramshi nuk u paraqit në asnjërën ndeshje). Kështu ka ndodhur vitet e kaluara, por sivjet shfaqet mirë e bukur Orikumi. Ndoshta ka ndryshuar rregullorja e Kupës 2015-16 dhe misteriozja FSHF nuk i ka njoftuar mediat.

Ndoshta ka qenë një vendim i jashtëzakonshëm i orëve të vona në një tryezë kafeneje. Nuk e dimë. Dimë që misteriozja FSHF vazhdon të mbetet e tillë ndërsa nuk ka ende asnjë sqarim për të interesuarit që me siguri janë aq të paktë sa që edhe vetë misteriozja nuk e sheh të arsyeshme të lodhet duke bërë sqarimet përkatëse.

Ndoshta ka të bëjë me atë që gjithkush beson se Flamurtari i kalon me sy mbyllur të dyja, si Gramshin ashtu edhe Orikun apo Orikumin, por sa seriozitet i ngel kësaj gare pas kësaj? E përsërisim që ndoshta paraqitja e Orikumit në fushë ka qenë krejtësisht brenda rregullave por përse nuk prononcohet FSHF-ja? Apo është e zënë duke përgatitur shpotinë e radhës ndaj De Biasit?

S'KA KOMENTE

Comments are closed.