Kupa e mbretit/ Sot luhet Atletiko Madrid -Barcelona

0
SHPËRNDAJE

Gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë kanë rezervuar përballjen mes Atletico Madrid dhe Barcelonës, me sfidën e parë që do të luhet në “Vicente Calderon”.

Barcelona, 28 herë fituese e Kupës së Mbretit, u kualifikua në gjysmëfinale pasi mundi Real Sociedadin me rezultatin e përgjithshëm 6-2, ndërsa Atletico eliminoi Eibarin 5-2.


Kampionët e Spanjës vijnë në këtë përballje me madrilenët pa kapitenin Andres Iniesta dhe Sergi Busquets, të dëmtuar, një situatë që Luis Enrique duket se diti ta përballojë teksa deklaroi se ishte i vendosur të aplikonte rotacionin, edhe nëse këta dy futbollistë do të ishin në gjendje të luanin.

Në krahun tjetër, Atletico Madrid do të kërkojë që të arrijë finalen dhe të përsërisë suksesin e vitit 2013, kur fitoi këtë kompeticion pas 17 vitesh. Në sezonet e fundit, Atletico Madrid ka qenë një rival i fortë për binomin Real Madrid-Barcelona.

Në vitin 2014, kjo skuadër u shpall kampione e Spanjës, ndërkohë që në vitet 2015 dhe 2016 arriti dy herë në finalet e Champions League, të humbura ndaj Realit të Madridit.

Këtë sezon, “Los Colchoneros” nuk e kanë shkëlqimin e mëparshëm dhe gjenden në vendin e katërt në kampionat me 36 pikë, 10 më pak se Reali dhe 6 më pak sesa Barcelona. Për këtë ndeshje, Atletico Madrid nuk do të ketë qendërmbrojtësin Jose Maria Gimenez, i dëmtuar, ndërsa Gabi dhe Lucas Hernandez rrezikojnë të mos luajnë ndeshjen e dytë, duke qenë se janë të ngarkuar me kartonë të verdhë.

Gjysmëfinalja tjetër e Kupës së Mbretit është ajo mes Celta Vigos e Alaves. Fituesit e këtyre dy gjysmëfinaleve do të përballen me njëra-tjetrën në finalen e 27 majit.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.