Kur titulli kampion fluturonte drejt Elbasanit

0
SHPËRNDAJE

Opinion nga: Adriatik R.Dosti

Adriatik R.Dosti
Adriatik R.Dosti

Më shumë se 30 vjet më parë….

Kur Titulli Kampion fluturonte drejt Elbasanit

U desh pak më shumë se gjysëm shekulli që nga ai vit kur Shqipëria kish nisur organizimin shtetëror të kampionateve të saj kombëtare të futbollit që skuadra e qytetit të Elbasanit të bënte të vetin një Trofe të lakmueshëm të këtij sporti. E tashmë kanë kaluar pak më shumë se tre dekada nga ai sukses i madh i atij ekipi, që drejt me thënë nuk ishte aspak rastësi, por më së shumti një risi, madje tepër e këndëshme e futbollit shqiptar të asaj periudhe. Kishin qenë disa futbollistë të shquar e me emër prej këtij qyteti që i kishin dhënë jo pak futbollit shqiptar ndër vite madje edhe Ekipit Kombëtar të tij . Kështu emrat e Bizhutës, Vëllezërve Ibërshimi [ Enveri e Fati ], Hysi [Namiku e Kastrioti], Gjika,[ Dhimitri e Mihali, ose Lakja siç njihet nga të gjithë ishte më i shquari mes tyre ] apo edhe shumë të talentuarve Rudi, Ducka, Guda etj jo vetem që edhe sot përmenden e kujtohen me shumë respekt në historinë e futbollit tonë, por kanë qenë e mbeten krenaria e këtij qyteti të kulturuar e tepër sportdashës. E pra një prej më të mirëve të këtij sporti e ndër më të shquarit edhe të Kombëtares sonë, Frederik Jorgaqi ja kish dalë mbanë që sëbashku edhe me Dash Stringën të krijonin në mesvitet 80 një skuadër që do të befasonte aq këndshëm të mëdhenjtë e futbollit tonë, skuadrat e kryeqytetit, por edhe Vllazninë e Flamurtarin që rivalizonin tashmë me to. Dhe kështu javë pas jave, pasi nuk është thyer as prej Tiranës e Dinamos ky Labinot i tyre vjen një pasdite të bukur Maji në “Qemal Stafa”e në një ndeshje vërtet të rrallë e tepër emocionuese na mund edhe Partizanin 2 – 1 me një gol fitues të cerrikasit Zyber Bega në portën e Mustës që do të mbahet mend gjatë.
image
Ishte kjo fitore që vetëm një muaj më pas do t’a shpallte Labinotin Kampion të Shqiperisë. Ishte një ekip që vërtet meritonte respek, dhe drejt me thenë ishte po kaq mëkat t’a quaje rastësi suksesin e merituar të tyre.Në portë kishte një Gogunjë gati të pa thyeshëm e që për më shumë se 1300 minuta nuk lejoi të prekej rrjeta e portës së tij. Né mbrojtje ishin rreshtuar futbollistë vërtet cilësorë e që do t’i kishte zili çdo skuadër, të tille si Popa, Deliu, Asllani, Arapi, Rama, e Vrapi. Pak përpara tyre luante i mrekullueshmi dhe një ndër talentet më të mëdha të futbollit shqiptar të asaj periudhe, Ferdinand Lleshi. Në mesfushë do të qenë edhe të kudondodhurit Mustafarai e Mitrollari si dhe Luniku, Kaloti, Staceni, Lugjuraj e Shegani. Padyshim vija sulmuese aq shumë rrezultative gjatë atij edicioni udhëhiqej nga i famshmi Vladimir Tafani që ndihmohej jo pak edhe nga Agalliu, Bega e Branica. E pra ky ekip në edicionin 1983 /84 do të sillte në Elbasan të parin Trofe të Kampionit të Shqiperisë duke e lumturuar atë qytet si rrallë herë në historinë e tij.

Të paharruara mbeten në atë kohë komentet e të famshmit radiokronist elbasanas Sefedin Allkja, ndihmuar me të njejtin pasion edhe prej kolegut Sefer Kikija, por edhe shkrimet, analizat e opinionet e një prej pionierëve të gazetarisë së ketij qyteti mikut tim të mire e të hershëm Piro Kites, që vite më vone kur ne themeluam Sport Ekspresin u pasuan edhe nga Aleko Likaj e Besim Dybeli. Po ky qytet i kish dhënë futbollit shqiptar edhe disa Gjyqtarë vërtet cilesorë të këtij sporti sic mund të përmendim në periudha të ndryshme emrat e A. Xhajankes, K. Peqinit e M. Allkjes.

Po i kish dhënë gjithashtu edhe disa trajnerë të mirë e te zotë si F. Kovaci , F. Jorgaqi , D. Stringa e A. Sejdini. Elbasani kishte ndërkohë edhe një traditë të shkëlqyer portieresh. Keshtu mbeten të mrekullueshëm në kohën që mbrojtën portën e tij ndër vite Gut Tafaj , Guda, Gogunja, M. Dosti, Kela etj. Dhe talentet e futbollit elbasanas ndër vite i kanë shërbyer jo pak vetëm skuadrës së atij qyteti por edhe klubeve më të mira të vendit e sidomos atyre të kryeqytetit e jo pak edhe vetë Kombetares sonë.

Elbasani Kampion 2005/2006
Elbasani Kampion 2005/2006

Kështu meritojnë shume respekt e kondsideratë per ate ç’ ka kanë dhënë në futbollin tonë emrat e Klodian Duros, Pishës, Bylykbashit, Ahmatajt, Stojkut, A. Kovacit, Osmanit, Muharrem Dostit. E jo rastësisht në Arkivin e Trofeve Kombëtarë të SK Elbasanit do të gjenden tashmë Dy Tituj Kampionë, 1983/84 dhe 2005 / 2006. Dy Kupa të Shqipërisë më1975 e 1992 si një Superkupe e fituar po më 1992. Në historinë e tij ky ekip ka edhe disa përfaqësime ndërkombëtare ku sidomos në Kupen Ballkanike të 1973 bëri një paraqitje vërtet të mrekullueshme. Mundi Sutjeskën e Nikshiqit 1 – 0 në Elbasan, rumunet e Tergu Mureshit 2 – 0 e turqit e Malatyaspor 3 – 0 dhe barazoi 1 – 1 me grekët e OFI të Kretës. Në Kupat e Europës, në pjesmarrjet e tij mund të kujtosh ato dy humbje vërtet të idhta 3 – 0 me kampionen e Danimarkes Lyngby, më 1984, dy barazimet 0 – 0 dhe 1 – 1 me Vardarin e Shkupit në kupen UEFA më 2006, si dhe rrezultatet 1- 0 e 1 – 3 në Ligën e Kampionëve me lituanezet e Ekranesit nje vit me pas. Sidoqoftë, sot kur kanë kaluar pak më shumë se 30 vjet nga ai sukses i bujshëm i futbollit elbasanas e kur emri i Lanbinotit është zëvëndësuar me SK Elbasani nuk ke se si të mos kujtosh me respekt e nostalgji atë ekip të mrekullueshëm të tyre, që aq shumë bukuri e emocione i dha futbollit tonë në atë periudhe vërtet të bukur të tij. Jam i sigurtë se sa do vite të kalojnë ajo skuadër gjithmonë do të mbetet Krenaria e atij qyteti, dhe një nga kujtimet e bukura të vetë futbollit shqiptar e historisë së tij…

ADRIATIK. R. DOSTI

Duke ruajtur Autorësinë dhe origjinalitetin e shkrimit si dhe duke theksuar se ky shkrim ripostohet me lejen e Autorit si dhe në forme respekti për brezin e futbollistëve e trajnerëve elbasanas të asaj kohe e tifozët e tyre të mrekullueshem.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.