Laçi vetëm barazim ndaj Tiranës, bardheblutë shënojnë “in-extremis”

0
SHPËRNDAJE

Laçi-Tirana 1-1
Shënues: James 30’/ Karabeci 90+2′

Laçi: Selmani, Doku, Sheta, Buljan, Cela, Meto, Gocaj, Veliaj, Sefgjinaj, Mitraj, James. Trajner: Armando Cungu

Tirana: Frashëri, Smajli, Muça Bulku, Gërçalliu, Teqja, Karabeci, Lika, Vucaj, Masato, Gilberto. Trajner: Shkëlqim Muça

Tirana dhe Laçi janë ndarë në një barazim me rezultatin 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në Krujë në kuadër të javës së dytë të Superligës. Ka qënë një lojë me nerv dhe mjaft e bukur, por që në fund përfundoi me shifra të barabarta. I pari në avantazh kaloi ekipi i Laçit me anë të James në minutën e 30′ dhe u duk se kurbinasit do të përsërisnin sukseset e sezonit të kaluar. Për të prishur festën e Laçit ka menduar Erando Karabeci që ka shënuar një gol në minutën e 92′ për t’i dhënë një pikë skuadrës së tij.

Pjesa e parë e ndeshjes nis e qetë nga të dyja skuadrat, të cilat mundohen të krijojnë mundësi shënimi. Ka qënë një lojë e ekuilibruar në mesfushë ku të dy trajnerët kishin rreshtuar forca të shumta. Ndeshja vijon e qetë dhe pa shumë rrezik në portat respektive, teksa bardheblutë tentojnë të sulmojnë në qëndër me Gilberton por edhe nga krahët dhe Masaton dhe Gilman Likën, por e kanë të pamundur që të çajnë në mbrojtjen e hekurt të Laçit. Duhej të vinte minuta e 30′ që të thyhej barazimi në ndeshjen që zhvillohet në Krujë. Sulmuesi i Laçit, James, merr një top dhe del i vetëm përballë portierit Frashërit dhe nuk e ka vështirë të shënojë një gol mjaft të bukur duke e dërguar topin në rrjetën e bardhebluve në forme parabole.

imageZhbllokohet ndeshja, por midis ekipeve ka tension në fushë. Shumë ndërhyrje të ashpra nga të dyja palët kanë sjellë edhe përplasje midis lojtarëve, por të cilat janë administruar mirë nga arbitri i ndeshjes. Ka patur edhe një moment frike në këtë pjesë të parë kur mbrojtësi i Laçit, Elton Doku, është goditur nga topi në fytyrë dhe ka rënë në tokë pa ndjenja. Është dashur ndërhyrja e stafit mjekësor që ai të rimerrte veten dhe të futej prap në fushë. Deri në përfundim nuk ka ndryshim rezultati, teksa loja u zhvillua krejtësisht në mesfushë.

Pjesa e dytë e takimit nis me një luftë sportive nga ana e të dyja skuadrave të cilat ashtu si në të parën, ku ndonjëherë edhe ndërhyrjet janë të ekzagjeruara. Tirana mundohet të luajë më mirë por është disi apatike në lojën e saj, duke mos qënë e qartë në aksionet që ndërton. Bardheblutë mundohen me anë të një goditje standarte për të arritur tek goli, por Gilberto godet jasht nga fare pranë portës në shtyllën e dytë. Ky ishte i vetmi rast i mirë, pasi sulmet e Tiranës janë konfuze ashtu si loja e tyre me topa të gjatë. Mundohet trajneri Muça të bëjë ndryshime, por edhe ato nuk japin frytet e tyre. Gjërat duket se lehtësohen për bardheblutë në minutën e 77′ kur kapiteni i Laçit Veliaj merr edhe kartonin e dytë të verdhë duke dalë jasht me të kuqe, por sërisht sulmet e ekipit që drejtohet nga trajneri Muça nuk sjellin gjë, kjo edhe për meritë të dyshes Sheta-Buljan që janë më të dalluarit në fushë.

imageTeksa po mendohej se ndeshja po i drejtohej fundit dhe Laçi ishte duke marrë fitoren e parë këtë sezon, Erando Karabeci ka shënuar një supergol nga distanca për t’i dhënë një pikë skuadrës së tij në minutën e 92′ të ndeshjes. Në fund edhe Tirana e mbyll me 10 lojtarë pasi edhe Masato Fukui del me karton të kuq, por kjo duket se pak rëndësi ka, pasi menjëherë sapo filloi loja pas golit të Karabecit arbitri e mbylli takimin. Tirana pas dy javësh arrin të regjistrojë 4 pikë ndërsa ekipi i Laçit arrij kuotën e 2 pikëve në këto dy javë të superiores.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.