Latifi: Kam 2-3 oferta por e kam mendjen tek Skënderbeu

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka zhvilluar dje dy seanca stërvitore. Paraditja në palestër, ndërsa pasdite në fushë, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Mladá Boleslav. Liridon Latifi, padyshim një nga lojtarët më të mirë në të dy ndeshjet që Skënderbeu zhvilloi kundër Kairatit, ka folur për “Panoramaq Sport”, çka është pasqyruar edhe në faqen zyrtare të klubit juglindor, duke konfirmuar optimizmin për t’i kaluar me sukses edhe çekët, ndërkohë që sa i përket të ardhmes, ka marrë garancitë e presidentit. Ai tani po mendon vetëm për Europën dhe Skënderbeun.

Latifi, tashmë jeni në turin e tretë të “Europa League”. E kishit menduar se do të arrinit deri këtu?
Ka qënë një rrugëtim i vështirë, pasi e kemi nisur nga turi i parë i kësaj gare dhe jo nga Champions-I, si vitet e tjera. Ndeshjen e parë e kemi kaluar mirë dhe me sukses, ndërsa turin e dytë e kishim vlerësuar maksimalisht duke arritur që ta kalojmë.

Keni thënë para dy javësh se Arshavinit i ka ardhur koha të humbasë. Gjë që e bëtë realitet…
Po, është e vërtetë, e kam thënë një gjë të tillë, pavarësisht se ata kanë pasur shumë emra në ekip dhe shumë cilësi në fushë. Ne kemi luajtur si grup i bashkuar, me zemër dhe me shpirt për të fituar, dhe ia kemi arritur qëllimit.

 

Sa e vështirë ka qënë përballë Kairatit?
Ka qënë shumë e vështirë, pasi kemi sakrifikuar gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Më pas, në ndeshjen e dytë, kemi treguar një tjetër paraqitje të mirë, duke siguruar kualifikimin dhe fituar 2-0.

 

Tashmë ju pret Mlada. Sa i vështirë është ekipi çek?
Besoj që gjatë javës do të marim sa më shumë informacione që të jetë e mundur. Trajneri, jam i bindur se do të na japë përmes analizave informacionin e nevojshëm për këtë ekip. Do ta shohim se çfarë kundërshtari është. Normalisht, përderisa ka arritur deri në këtë pike, tregon se është një ekip i fortë dhe do respekt maksimal. Do ta trajtojmë njësoj si Kairat Almatin, çdo nënvlerësim do të jetë në dëmin tonë.

A është i kalueshëm?
Besoj që po, megjithatë do ta shohim kur të luajmë. Mendoj se, përderisa arritëm të kalonim Kairatin, nuk jemi inferiorë me askënd. Me përqëndrim mund ta kalojmë edhe këtë.

 

Sa larg shkon ky ekip?
Shpresoj ta kalojmë edhe Mladen, më pas të shohim se çfarë ekipi do të kemi përballë në “play-off”. Them se do të kemi shanse t’i kapim edhe grupet. Duhet fat, normalisht, dhe për këtë jemi të bindur, pasi është një rrugëtim shumë i vështirë. Nëse na bie një emër i madh përballë do të jetë shumë e vështirë. Objektivi ynë është të kapim grupet.

 

Latifi tashmë e ka mendjen edhe tek aventura e re, që do të nisë?
Jo, aspak. Në këtë periudhë nuk kam dashur të flas as me presidentin, as me menaxherin tim as, me askënd përsa i përket të ardhmes sime. Jam krejtësisht i përqëndruar te Skënderbeu. Jam i dashuruar me këtë fanellë dhe i kam vënë vetes detyrë të jap më të mirën për këtë ekip, deri ditën e fundit. Jam i fokusuar vetëm në stërvitje dhe për të dhënë maksimumin, pasi e di që kjo paraqitje me Skënderbeun do të më gjejë një ekip të ri.

E keni gjetur ekipin tashmë?
Jo, se kam gjetur ende. Janë dy-tri ekipe që po më kërkojnë në bazë të informacioneve që kam, por nuk po mendoj aspak për këtë.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.