Latifi: Luhet i gjithë sezoni në 90 minuta

0
SHPËRNDAJE

Superiorja / Në një prononcim për mediat, mesfushori i talentuar kosovar i Skënderbeut, Liridon Latifi, është shprehur optimist para transfertës së radhës në kampionat, që mund të vlejë titullin kampion. Ai nënvizoi se momentalisht mendon vetëm për ndeshjen në Kukës, atje ku të tijtë shkojnë vetëm për një fitore.

Skënderbeu luan në Kukës finalen e madhe të sezonit…
Është vërtetë një ndeshje finale kjo e së shtunës. E dimë shumë mirë që luajmë gjithë sezonin në vetëm 90 minuta. Kjo na motivon shumë si ekip. Kemi vetëm një synim në këtë përballje, ta mbyllim me fitore dhe të sigurojmë një tjetër titull kampion.

Në fakt, Skënderbeu në “Zeqir Ymeri” ka vetëm një fitore historike, ndërkohë që Kukësi ju ka mposhtur plot 5 herë. E vështirë?
Fusha e Kukësit, sikurse e dinë të gjithë, është shumë e vështirë. Nëse ne kemi arritur një fitore deri tani, le t’i bëjmë dy ditën e shtunë. Mos harroni se atë fitore që kemi arritur në Kukës ka qenë një ndeshje finale. Edhe e kësaj jave është finale, ndaj jam i bindur se sërish do të fitojmë ne.

Si po e përgatisni këtë ndeshje të kësaj fundjave?
Nuk ka asnjë ndryshim krahasuar me ndeshjet e tjera. Edhe në prag të përballjes në Kukës po bëjmë të njëjtat përgatitje. Vlerësimi maksimal i cilitdo kundërshtari ka bërë që të kemi 9 fitore radhazi, në kampionat dhe kupë.

Sytë e gjithë korçarëve janë te ju në Kukës. A mendoni vërtet se do t’ia dilni?
Po, do t’ia dalim. Personalisht premoj se do të jap mbi 100% në këtë ndeshje, pasi vendos shumë. Të gjithë duhet të japim gjithçka nga vetja jonë.

Do të luani të tërhequr në këtë përballje, apo në sulm?
Skënderbeu do të bëjë lojën e vet dhe asgjë më shumë se kaq. E vetmja gjë negative për ne është fusha, që ka bar sintetik. Siç e dini, ne jemi një skuadër që luan poshtë me topin. Por, pavarësisht kësaj, do t’ia dalim.

FSHF-ja nuk pranoi kërkesën e klubit tuaj për gjyqtarë të huaj…
Nuk na shqetëson aspak një gjë e tillë. Në fakt, nuk e kemi menduar këtë punën e gjyqtarit, pasi me këtë gjë merret presidenti dhe drejtuesit. Ne na duhet të japim më të mirën dhe të fitojmë, pastaj të tjerat janë gjëra që pak i mendojmë në fushën e lojës.

Do t’i falnit 11 golat që keni shënuar në këtë sezon, në rast se shënoni një gol vendimtar në Kukës?
Padiskutim që po, do t’i falja të gjithë golat e shënuar; jo për një gol në Kukës, por edhe për një fitore minimale.

Sa shanse ka Skënderbeu dhe sa shanse ka Kukësi për të qenë fitues në këtë ndeshje?
Mendoj që shanset janë 50 me 50. Gjithmonë, në ndeshje të tilla skuadrat kanë shanse të barabarta. Kush të jetë më i zoti le ta tregojë në fushë. E theksova edhe më sipër se mendoj që do të jemi ne, ata që do të fitojmë.

Skënderbeu vjen në këtë ndeshje pas 7 fitoreve radhazi. A do të thotë kjo se nuk do të ndaleni? Nuk kemi 7, por 9 fitore radhazi, mos harroni se janë edhe ato të Kupës. Kjo gjë na motivon edhe më shumë, për ta shtuar numrin e fitoreve dhe për të merituar një tjetër titull.

Cila është dëshira e Latifit në këto dy javë të fundit me Skënderbeun? Dëshira ime e vetme është të fitojmë në Kukës dhe të jemi një ndeshje larg trofeut të titullit kampion. Sa për Kupën, ka kohë të mendojmë. Të gjitha bateritë do t’i shkarkojmë në Kukës.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.