Latifi: Salihi ma besoi penalltinë, por ndoshta nuk do guxoja ta gjuaja sërish

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Ishte sulmuesi Hamdi Salihi ai që ia besoi penalltinë në minutën e fundit kosovarit Liridon Latifi. Këtë gjë mesfushori i Skënderbeut e tregoi në prononcimin pas ndeshjes për SuperSport. Gjithashtu ai tha se nuk do të guxonte ta gjuante sërish atë penallti.

“Penalltitë i gjuan Salihi dhe të parën e gjuajti ai normalisht. Ndërsa për të dytën më pyeti nëse doja ta gjuaja dhe unë i thashë që isha i gatshëm. Ai ma besoi penalltinë dhe e mora përsipër, por kur e mendoj tani pas ndeshjes, ndoshta nuk do guxoja ta gjuaja sërish.”

“Vitin e parë kur erdha këtu ishim ekip shumë i fortë dhe i dominonim të gjithë kundërshtarët. Edhe tani në ndeshjet e fundit e kemi kapur ritmin dhe po bëjmë një punë shumë të mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu, duke hequr ndeshjen sot që kemi bërë shumë gabime në mbrojtje. Në ndeshjen e radhës me Teutën nuk mund të bëjmë paraqitje të tillë sepse nuk na falet asnjë gabim.”

“Nëse them që ishim të bindur në përmbysje do gënjeja sepse mendova që e humbëm ndeshjen dhe na iku kampionati nga duart, duke qenë se e kemi vetë në duart tona për ta fituar. Megjithatë besimi ka qenë gjithnjë që nëse e bëjmë 3-3, atëherë do e kthejmë. Edhe Zoti na ndihmoi sepse dhamë shpirtin në fushë.”

“Sa i përket Gentit, nuk kam asnjë informacion, nuk di gjë. Këtë pjesë ia kam lënë babait dhe menaxherit që të merren.”

“Ne mendojmë që do e fitojmë ndeshjen e Kukësit dhe do shpallemi kampionë”,-mbylli prononcimin e tij, mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.