Legjenda Kola: Ky është kampionati më i dobët që kam parë

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Agustin Kola është pa dyshim një nga njerëzit më kritik të Tiranës. Nuk kursehet kurrë kur diçka nuk shkon si duhet, e megjithatë kjo nuk ka ndikuar aspak në raportet e tij me Refik Halilin. Kjo u pa edhe dje gjatë ceremonisë së prezantimit të fanellës së Kombëtares. Ish-sulmuesi dhe trajneri i bardhebluve bisedoi për minuta me radhë me presidentin, madje në momente u panë edhe në humor.

“U takova sot (dje) me Halilin, por këtu nuk ka vend për çudi. Folëm më shumë për biseda familjare. Unë takohem gjithnjë me të. S’kam asgjë personale dhe as inate. Kritikat i bëj sepse i ndiej këto ngjyra, nuk kam asnjë lloj interesi. Dhe këtë Ridi e di mirë (i referohet Halilit), ndaj më kupton. Por ai ka një gjë të mirë në fakt, është njeri shumë i qetë dhe i shtruar. A i dhashë ndonjë këshillë? Ai i di shumë mirë gjërat si funksionojnë”, u shpreh për “Panorama Sport” ikona e sulmit kryeqytetas.

Kritikat

Kola shpjegoi arsyen se përse shfaqet gjithnjë kritik ndaj Tiranës, por nga ana tjetër rrëfen se është “pro” deklaratës së dhënë nga ish-trajneri Hulian Rubio, që Halili rrethohet nga njerëz jo inteligjentë. “Unë jam kritik me Tiranën, t’ju them të drejtën, pasi më dhemb ky klub. Edhe ndaj Halilit nuk jam kursyer, por për një gjë jam i sigurt, ai nuk shet ndeshje. Po lexoja sot (dje) në ‘Panorama Sport’ intervistën e dhënë nga ish-trajneri Rubio. Ai i njeh njerëzit në këtë klub, pasi qëndroi jo pak kohë, ndaj i jap të drejtë”, theksoi 57-vjeçari.

Derbi

Sipas ish-trajnerit, Tirana ishte superiore në derbi. “E pashë derbin dhe më pëlqeu pa fund Tirona. Ishim shumë më lart se ata (i referohet Partizanit) në të gjitha anët. Partizani me zor i bëri tre pasime. Megjithatë, lojtarët bardheblu, sidomos këta më të vjetrit dhe më me përvojë, duhet të japin më shumë për ekipin. Nëse e duan vërtet këtë fanellë, të luajnë në fushë dhe t’i lënë llafet. Duhet të japin më shumë”, u shpreh Kola.

Gjykimi

Nuk mund të anashkalonte gjykimin, ndërsa thekson se Tirana u vodh në derbi: “Ne jemi në krizë. OK, këtë e dimë. Por, edhe arbitrat… Të themi të drejtën, një penallti e padhënë dhe një gol pozicion jashtë loje janë shumë. Çfarë duhet më? Kundër nesh janë që të gjitha vendimet. Ne s’na kanë dashur dhe nuk na duan, dhe këtë s’e kuptojnë njerëzit. Halili jep paratë, hedh djersën, ndaj duhet më shumë korrektësi”.
Talentet

E ka trajnuar vetë para katër vitesh, ndaj në një lloj forme edhe ai ndihet krenar për paraqitjet e Albi Dokës. Kola thekson se ai është lojtar punëtor dhe me karakter, ndaj të ardhmen e ka të garantuar. “Dokën e kam pasur vetë në ekip që para katër vitesh. Lojtar punëtor dhe me shumë perspektiv. Dhe mund ta them me bindje që ai do bëhet. Kisha edhe shumë të tjerë, por jo, ky ka brumë. Ka karakter”, u shpreh Kola për mbrojtësin e linjës së djathtë, i cili ka shkëlqyer në derbi..

E ardhmja

Në mbyllje, ai foli për të ardhmen e Tiranës dhe kampionatin në tërësi, ndërsa me “forcë” theksoi se bardhebluve nuk u kanoset asnjë rrezik për të rënë nga kategoria.

“Shoh shumë skepticizëm për të ardhmen, por Tirona nuk ka për të dalë asnjëherë nga kategoria. Nuk është Tirona as Partizani, Dinamo dhe as Elbasani e Kavaja. Ne me të vërtetë kritikojmë presidentin dhe situatën, por e bëjmë për një qëllim të mirë. Por kjo s’do të thotë se janë në gjendje për të rënë. S’ka lidhje fare. Dhe sidomos me këto ekipe.

Çfarë po tregojnë të tjerat? Më thoni? Po tregojnë ndonjë vlerë? Nuk ka diferenca as për ata që janë për titull dhe as ata që rrezikojnë. Nuk është rivalitet ky. Po e përsëris edhe njëherë, ky kampionat është më i dobëti që kam parë”, përfundoi Agustin Kola.
PanoramaSport

S'KA KOMENTE

Comments are closed.