Legjionarët në europë, debutime fatkeqe për Sadikun e Ajetin

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja / Armando Sadiku debutoi këtë fundjavë me fanellën e Luganos, ndërsa Edgar Çani gjeti golin e parë sezonal me Pisan. Shqiptarët e futbollit europian dhuruan paraqitje pozitive në disa prej ligave më të forta të kontinentit, por jo të gjithë buzëqeshën këtë fundjavë. Bomberi kuqezi që gjatë merkatos së dimrit u transferua te Lugano me dëshirën e trajnerit Paolo Tramezani, zbriti në fushë që nga minuta e parë në transfertën e Baselit që gjithsesi rezultoi një debutim i hidhur pasi ekipi mik u mund me rezultatin 4-0. Shumë pak mundësi për sulmuesin nga Elbasani duke marrë parasysh edhe shkallën e lartë të vështirësisë së kësaj sfide pasi Baseli është skuadra e momentit në Zvicër.

Në Serie B shqiptarët arritën të lënë shenjë këtë fundjavë. Ishte Edgar Çani ai që shënoi në barazimin 1-1 që Pisa arriti ndaj Entellas. Kjo ishte edhe rrjeta e parë e tij gjatë këtij sezoni ku skuadra toskane lufton për të mos rënë nga kategoria. Çani hyri në fushën e lojës në minutën e 68 duke zëvendësuar pikërisht sulmuesin tjetër shqiptar, Rey Manaj. Migjen Basha shkëlqeu në mesfushën e Barit në suksesin 2-1 ndaj Vicenzas. Tashmë lojtari shqiptar është një pikë referimi në mesfushën e skuadrës puljeze. Ai ka marrë notën më të lartë të ndeshjes duke kon firmuar momentin pozitiv që po kalon me skuadrën e Barit. Fundjavë pozitive edhe për Gjimshitin që u aktivizua për 90 minuta në ndeshjen që Avellino barazoi pa gola në transfertën e Trapanit. Një mur i vërtetë rezultoi shtatlarti nga Presheva në repartin e tërhequr të Avellinos, duke ndihmuar skuadrën e tij të dilte me një pikë nga transferta siçiliane.

Në Serie A, asnjë minutë për Veselin e Strakoshën, ndërsa Arlind Ajeti debutoi me fanelën e Torinos në kampionat. Gjithsesi, mbrojtësi kuqezi do të kërkojë ta harrojë sa më shpejt ndeshjen e barazuar 1-1 në Empoli pas gabimit në rastin e golit të barazimit të skuadrës toskane. 90 minuta të plota edhe për Ekseid Hysajnë në fitoren e 7-1 të Napolit në Bologna. Mbrojtësi i djathtë u ndëshkua me një karton të verdhë të panevojshëm në minutën e 75 të ndeshjes. Moment të artë po kalon Etrit Berisha me Atalantan. Skuadra bergamaske kaloi lehtësisht 2-0 Cagliarin, ndërsa gardiani shqiptar ruajti të paprekur kuadratin e ekipit zikaltër në garë për Europën. Titullar edhe Mërgim Mavraj në Gjermani ku Hamburgu arriti fitoren e parë të vitit 2017. Shtatlarti i Kombëtares Shqiptare zhvilloi një 90 minutësh shumë të mirë në shtëpi ku Hamburgu kalooi 1-0 Bayer Leverkusenin.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.