Legjionarët/ Paraqitjet e ditës së shtunë

0
SHPËRNDAJE

transfer to Livorno 2015-16
Armando Vajushi, Livorno

Gjermani: Mërgim Mavraj nuk është ende gati për tu rikthyer te Koeln, ndërsa ekipi i tij u mund thellë 6-2 në Frankfurt ndaj Eintracht. Kjo ishte humbja e parë për Koeln këtë edicion.

Itali: Samir Ujkani ishte në stol për Genoa në humbjen 1-0 në Firence ndaj Fiorentinës. Në serie B ra në sy Armando Vajushi që fitoi penalltinë e kthyer në gol për Livornon që fitoi 2-1 kundër Comos. Livorno për momentin është e para në renditje. Thomas Strakosha pësoi dy gola në barazimin 2-2 të Salernitanës ndaj Brescias.

Belgjikë: Asnjë minutë për Enis Gavazaj që ka kaluar te Roeselare e kategorisë së dytë. Ekipi i tij barazoi 0-0 me Tubize duke ruajtur pozicionimin në mesin e renditjes.

Çeki: Formë e shkëlqyer e Liberec që gjendet e dyta ndërsa për 86 minuta ka qenë në fushë edhe Herolind Shala që po përshtatet mjaft mirë te ky ekip. Edhe këtë herë Liberec fitoi 1-2 ndaj Slovacko ndërsa në vend të parë është Sparta Prague, ekipi që e ka lëshuar Shalën në huazim te Liberec.

Zvicër: Fitore e vështirë e Basel 2-1 ndaj St. Gallen, pa Shkëlzen Gashin e me Taulant Xhakën që u fut vetëm në ’62. Xhaka mori edhe një karton të verdhë në fund të lojës në përpjekje për të mbrojtur rezultatin. Basel kryeson me 8 fitore në 8 javët e para. Takimi tjetër Young Boys – Vaduz mbaroi 4-0 ndërsa për Vaduz u aktivizua i riu Albion Avdijaj që hyri në lojë në pushim të pjesëve.

Suedi: Barazim 1-1 i Malmo në fushën e vet ndaj Elfsborg që e largon nga lufta për titullin kampion ndërsa Agon Mehmeti nuk u aktivizua në këtë ndeshje. Kujtojmë që Malmo do të jetë në grupet e Ligës së Kampioneve të këtij viti.

Kroaci: Përsëri titullar Amir Rrahmani për Rnk Split që barazoi jashtë fushe 1-1 me Slaven Belupo. Për Belupon shënoi shqiptari Muzafer Ejupi që ka luajtur disa ndeshje miqësore për Maqedoninë por asnjë zyrtare, pra nuk akoma “i padjegur”.

Turqi: Minuta të plota dhe paraqitje e mirë e Loret Sadikut në barazimin 1-1 të Mersin jashtë fushe ndaj Gallatasaray. Golin për vendasit e shënoi Podolski pas pasimit të Sneijder.

Greqi: As në stol nuk ishte këtë radhë Vasil Shkurtaj për Asteras e cila barazoi 1-1 ndaj Kalloni që luajti gati 10 minutat e fundit me 9 lojtarë. Vazhdon forma e mirë e PAOK që fitoi 0-3 ndaj Verias me Ergys Kaçen si zakonisht titullar por të zëvendësuar në ’73.

Finlandë: Dritan Stafsula hyri në ’65 në lojë pët Oulu që fitoi 1-0 ndaj VIFK. Lojtari tiranas ka shënuar 3 gola deri tani ndërsa kampionatin e kaluar shënoi plot 11 të tillë.

Slloveni: Vazhdon rënia e lirë e Celjes, ekipit që vitin e kaluar arriti finalen e kupës dhe kandidoi edhe për titullin kampion. Këtë vit ekipi ku luan Valon Ahmedi është shpërfytyruar komplet. Edhe këtë jave humbi 4-0 ndaj Velenje ndërsa Ahmedi hyri në ’58. Shqiptari tjetër Amir Bilali ka kohë që nuk duket fare në radarët e Celjes dhe nuk dihet fati i tij.

Azerbajxhan: Ansi Agolli u la pushim këtë javë teksa Karabakh arriti fitore minimale 1-0 ndaj Khazar duke ruajtur kryesimin pas katër javëve të para.

Maltë: Asnjë minutë lojë për shqiptarët e Maltës, Marigen Sehitaj i St. Andrews që humbi 0-3 ndaj Mostas dhe portieri Entonjo Elezaj që nuk ishte as në stol te Sliemma që arriti fitoren e parë në kampionat 1-0 ndaj Pembroke.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.