Lila: “Nuk falim më, ndaj Rumanisë ndeshja jone”

0
SHPËRNDAJE

Kombëtarja/ Plot 107,5 kilometra të përshkuara në fushë përballë Francës. Lodhja nga sfida në Marsejë ishte e dukshme te kuqezinjtë dhe kjo duket arsyeja përse Gianni De Biasi vendosi që ta linte ekipin pushim për 48 orë. Andi Lila konfirmoi se objektivi kryesor ishte rikuperimi i forcave nga lojtarët.

Andi Lila
Andi Lila

Andi Lila: “Kemi dy ditë pas ndeshjes me Francën, ku patëm ngarkesë të madhe fizike. Ekipi po punon për t’u rikuperuar për ndeshjen e radhës, ku do të japim maksimumin dhe mendojmë që të marrim rezultat sa më pozitiv.”

Kavajasi 30-vjeçar u aktivizua si titullar pikërisht prej karakteristikave fizike dhe aftësive në fazën mbrojtëse, por në 20 minutat e fundit trajneri De Biasi e zëvendësoi, me synimin që të përfitonte nga shpejtësia e Roshit në kundërsulm.

Andi Lila: “Kurrë nuk diskutohen vendimet e trajnerit, sepse ato merren në mënyrë që skuadra të arrijë rezultat. Sfida me Francën pati mjaft ngarkesë fizike, e skuadra e përballoi me sukses. Por, në futboll duhet edhe fati. Me mua apo pa mua në fushë nuk ka asnjë ndryshim, pasi të gjithë japin maksimumin. Skuadra kërkoi rezultat që do të na gëzonte të gjithëve, por në minutën e fundit pësuam golin. Dhe kur lodhjes fizike i shton goditjen psikologjike të disavantazhit, gjithçka bëhet më e vështirë. Ne do të vazhdojmë përpara dhe do të shohim rrugën tonë.”

Kundër Rumanisë, te Shqipëria rikthehet Lorik Cana. Megjithatë paraqitjen e mirë të repartit difensiv përballë Francës, Lila vlerësoi rolin e kapitenit.

Andi Lila: “Skuadra ka zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme, duke ditur që ata janë organizatorë dhe pretendentë. Kemi luajtur si të barabartë dhe në disa raste ishim më lart. Rezultati nuk ishte i drejtë dhe mund të kishim marrë barazim. Lorik Cana është kapiteni ynë dhe një lojtar i madh, shpresojmë që ai të jetë në fushë dhe të zhvillojë një ndeshje të madhe. Kur ai është në fushë, i jep motivim më tepër skuadrës për të vazhduar përpara.”

Në fund, Andi Lila foli për sfidën me Rumaninë, ku theksoi se në finalet e Europianit, ecuria negative ndaj një rivali nuk është disavantazh dhe shprehu besim se Shqipëria do të festojë.

Andi Lila: “Asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Në këto tre ndeshje në Europian janë të veçanta. Por, kjo është ndeshja e tretë dhe kemi ëndrrën që të vazhdojmë përpara, të qëndrojmë sa më gjatë në Francë dhe të lëmë gjurmë. Shpresoj që edhe fati të na ndihmojë, që të bëjmë atë surprizën e madhe dhe ta fitojmë ndeshjen. Kemi respekt për Rumaninë, por unë besoj se kjo do të jetë ndeshja jonë.” / SuperSport/ 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.