Lilaj, “adoleshenti” i heshtur që bindi Kristian Panuçin!

0
SHPËRNDAJE

Mes ndonjë ndeshje golfi me miqtë dhe pushimeve me familjen, DVD dhe tv nuk kanë munguar në shtëpinë e trajnerit kuqezi, që rikthen në kombëtare lojtarin më të dalluar të Superligës

Nga Anton Cicani

Nëse e shihni në rrugë, do t’iu duket si një gjimnazist i cili sapo ka mbaruar orën e gjashtë ose ka “lënë” fizkulturën… i shkurtër, i heshtur, por sidomos me një pamje krejt të zakonshme dhe serioze. E megjithatë, mos u habisni që në një fraksion momenti ka parë gjithçka po ndodh përreth tij. Dhe, nëse perimetri i ditës së zakonshme për të është një “lojë fëmijësh”, në fushë komandon çdo aksion dhe manovër të Skënderbeut. Sikur të mos mjaftonte kjo dhe paraqitjet fantastike në 8 javët e para të kampionatit, edhe nga pika e bardhë e penalltisë, në atë që duhet të jetë “ruletë”, ai ka kapur gjithmonë numrat që ka vendosur, duke e depozituar topin në rrjetë. Sepse, nëse Sabien Lilaj gabon, përbën lajm… Nëse shënon, thjesht ka bërë “detyrën”. Madje, ekziston një legjendë urbane, ose gojëdhënë se Ilir Daja, sa herë që mbledh skuadrën, Lilajt i thotë se mund edhe të mos dëgjojë, fundja mesfushori i di detyrat dhe atë që do të bëjë, shpesh edhe duke improvizuar.

Nuk është magjistar, por i afrohet shumë. Topin e trajton sikur të ishte një pjesë e familjes dhe jetës së tij. Modeli është Pirlo por në Shqipëri, pa frikë, mund të quhet i tillë. Dhe, mëkati më i madh është sigurisht karriera e tij, që mund të ishte shumë më e rëndësishme jashtë vendit. Jo se nuk e provoi, por në atë kohë, ishte tepër i ri. E megjithatë, në Korçë ka gjetur paqen që i duhet: familja, miqtë, ushqimi, qetësia dhe sidomos klubi i zemrës, Skënderbeu. Lilaj është i tillë, i urtë edhe kur e pyet. Madje, nëse i kërkon diçka më shumë përgjigjet me një “nuk e di, të shohim…”. Nuk i pëlqen të planifikojë, jashtë fushe. Mjaftohet duke e bërë brenda saj, me mesazhe të qarta… Dhe, më në fund, një nga këto mesazhe, ka përfunduar aty ku duhet: të kombëtarja. Sepse, sipas burimeve të sigurta të gazetës “Sport Ekspres” pranë trajnerit Kristian Panuçi, Sabien Lilaj do të thërritet për miqësoren e nëntorit përballë Turqisë, në Antalia. Një ftesë që është mëse e merituar dhe që mund të shërbejë për t’i dhënë një nimfë më shumë Lilajt, i cili ndoshta ka elizirin për të jetuar sa më gjatë, në karrierën e tij.

Mesazhi – Kohë më parë, Lilaj, për mediet, pasi Panuçi nuk kthehu sytë nga Superliga, do të dërgonte këtë mesazh: “Është gjë e mirë që ngrihet si shqetësim mospërfshirja e lojtarëve të Kategorisë Superiore në ekipin kombëtar. Besoj kanë qënë të paragjykuar gjatë gjithë kësaj kohe. Unë si futbollist nuk dua as të diskutoj as të paragjykoj vendime të trajnerit. Unë thjesht i zbatoj ato, jo vetëm të trajnerit të Kombëtares por dhe të Skënderbeu po të ndodhte e njëjta gjë prap do ta pranoja me përulje”.

Vlerësimi  – Në ndryshim nga Xhani de Biazi, Kristian Panuçi, sapo mbërriti, menjëherë bëri me dije se edhe Superliga do të ishte në fokus. Dhe, pas ndonjë ndeshje golfi apo pushimeve në Itali me familjen, nuk ka harruar të ndezë televizorin për të parë ndeshjet e Skënderbeut. Me një objektiv të qartë: të fokusohej te futbollisti me numër “88”. “Sabien Lilaj është një futbollist që po e ndjek rregullisht dhe e kam në konsideratë”, pati thënë Panuçi. E pra, më në fund, shpërblimi.

Përvoja – Për ata që janë të fiksuar pas shifrave dhe statistikave, Lilaj është një “kavje” për t’u studiuar. Në fakt, mesfushori deri tani, në Europë ka akumuluar një eksperiencë 7-vjeçare. Sepse, ka luajtur më shumë se 30 ndeshje me tre klube (Tirana, Dinamo Zagreb dhe Skënderbeu, ku edhe prej 5 sezonesh), duke shënuar katër gola. Ndërsa, me kombëtaren janë vetëm 11 ndeshje të zhvilluara, mes miqësoreve dhe atyre kualifikuese.

Debutimi ndaj Frances, viti 2012

Rikthimi – Ishte 16 nëntori i vitit 2015 dhe Sabien Lilaj, me De Biazin në pankinë, do të zbriste në fushë për 90’ në miqësoren Shqipëri-Gjeorgji 2-2. Luhej në “Qemal Stafa”, ku sot po ngrihet “Arena Kombëtare”, teksa skuadra kuqezi ishte thuajse 80% ajo që është edhe sot, duke lënë jashtë Shkëlzen Gashin… Hera e tij e parë me kuqezinjtë, meritë e të ndjerit Josip Kuzhe, që e grumbulloi për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2012, ndaj Francës dhe Rumanisë. Ai debutoi përballë Francës, më 7 tetor. Kanë kaluar pesë vjet dhe Lilaj sot është 28-vjeç dhe në kulmin e karrierës së tij. Ndoshta, kombëtarja ka nevojë më shumë se kurrë për lojtarin më të mirë të Superligës. Sepse, nëse Skënderbeu sot është në grupet e Europa League, meritë ka edhe ai, “arusha” korçare (siç e thërrasin edhe tifozët).

S'KA KOMENTE

Comments are closed.