Liridon Krasniqi kampion në Malajzi: Krenar që jam shqiptar

0
SHPËRNDAJE
Loading...

11870821_945390565517804_6932592715121752796_n
Festimi i titullit kampion në Malajzi

Ka pak kohë te kryesuesit Kedah FC në Premier League të Malajzisë futbollisti shqiptar Liridon Krasniqi por i ka bërë të gjithë për vete atje, thua se ka vite të tëra që luan për këtë klub. Në të vërtetë futbollisti shqiptar nga Kosova po luan mjaft bukur duke shkrirë të gjithë fantazinë e tij në fushë aq sa edhe trajneri i ekipit e lë të lirë të luajë si të dojë e ku të dojë.

Kohë më parë kur luante në Çeki te Mlada Boleslav duke fituar edhe kupën e këtij shteti, një nga anëtarët e stafit të www.minuta90.com e ka intervistuar Krasniqin në lidhje me përfaqësimin e tij në Kombëtare dhe atëherë ai luante për Shpresat në miqësore i ftuar nga trajneri i atëhershëm Bushati. Më pas Krasniqi iku në Turqi ku bëri paraqitje të pëlqyeshme por Kombëtarja e Shqipërisë nuk e ftoi më ndërsa Albert Bunjaki dhe Muharrem Sahiti përfituan duke e bindur të luajë miqësore për Përfaqësuesen e Kosovës.

Minuta90.com bëri një intervistë të shkurtër me Krasniqin në të cilën ai u shpreh se ndihet plotësisht shqiptar dhe është i gatshëm të veshë fanellën kuqezi në çdo moment që ti kërkohet, por nëse nuk ftohet nga Shqipëria, nuk sheh asnjë arsye pse mos të ndihmojë Kosovën përderisa bëhet fjalë për të njëjtin komb.

“Ndihem mirë këtu,” – shprehet Krasniqi teksa flet për Malajzinë. “Kam pasur shansin të tregoj talentin tim por megjithatë edhe në klubet e mëparshme jam munduar të jap më të mirën. Këtu ka më shumë hapësira në lojë dhe kjo më është përshtatur mirë për stilin e lojës që kam.”

“Kontratën me Kedah e kam për dy muaj të tjerë, pra deri në tetor. Kam oferta por nuk dua të ngutem. Për momentin jam i kënaqur këtu”. Në lidhje me fitimin e titullit kampion, Krasniqi thotë se e parandjente se do të ndodhte dhe se është një moment fantastik dhe i pashpjegueshëm me fjalë.

“Dua ta festoj duke i treguar të gjithë botës dhe shqiptarëve anembanë që jam shqiptar dhe krenar. Me gjithë zemër e prezantoj prejardhjen time”.

Në fund Krasniqi ka edhe një mesazh. “Unë jam anëtar dhe krenar që përfaqësoj Kosovën duke luajtur kundër Turqisë, Senegalit e Haitit por nëse vjen momenti që i duhem Shqipërisë, do të merrja pjesë me shumë deshirë”.

Video të aftësive të Liridon Krasniqit këtu:

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.