Lista anti-Izrael, ja çfarë nuk shkon me zgjedhjet e bëra

0
SHPËRNDAJE

Katër portierë, 26 futbollistë, Kaçe bashkë me Gashin dhe Cikalleshin mbeten jashtë. Çuditë nuk mungojnë as këtë herë në listën e bërë nga trajneri Gianni De Biasi për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila konsiderohet si një finale për fatin e Kombëtares Shqiptare. Në fakt, kuqezinjtë luajnë vetëm 1 ndeshje dhe lista mund të duket disi e fryrë.

minuta90.com analizoi të gjithë listën e bërë publike nga italiani i pankinës kuqezi.

Le ta nisim që nga porta. Diçka unikale, në listë janë 4 portierë. Duket e çuditshme, kur dihet që titullari është një: Etrit Berisha. E pakuptimtë zgjedhja që italiani fton edhe 3 të tjerë, thjesht për stërvitje.

Në mbrojtje nuk ka shumë vend për diskutime, pasi janë ftuar lojtarët që kanë bërë më mirë gjatë kësaj kohe dhe janë aktivizuar mjaftueshëm me ekipet e tyre, me përjashtim të Ajetit, i cili është rikuperuar plotësisht dhe tani pret debutimin me Torinon.

Në mesfushë, mungesa më e madhe është ajo e Ergys Kaçes. Përplasjet e shumta që ka pasur me trajnerin i kanë mbyllur dyert e Kombëtares dhe tani do të jetë thjesht një spektator i kuqezinjve. Trajneri tha që nuk e ka grumbulluar për arsye teknike.

Të njëjten arsye përdori edhe për Sokol Cikalleshin, por për këtë të fundit kuptohet që arsyeja e vërtetë është që nuk ka luajtur sa duhet me Basaksehirin.

Në fakt, trajneri De Biasi ka përdorur dy standarte sepse në listën prej 26 futbollistësh gjendet edhe Ermir Lenjani, i cili ashtu si Cikalleshi nuk ka luajtur me ekipin e tij. Jashtë është edhe Shkëlzen Gashi, i cili po kalon një moment fantastik në Amerikë, ndërsa grumbullohet Armando Sadiku, që nuk dihet nëse është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në gju.

Nuk është hera e parë që bëhen shpikje në listë, por këtë gjë e ka në dorë Gianni De Biasi. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.