Lojë e bukur dhe gola, por Luftëtari-Flamurtari nuk ka fitues

0
SHPËRNDAJE
Loading...

luft-flamurtari-470x266Për paga nuk bëhej fjalë, por për pikë Flamurtari nuk e paska problem. Kuqezinjtë arritën të marrin sot një barazim të çmuar 1-1 në Gjirokastër, aty ku para dy javësh vuajti shumë Partizani.

Luftëtari nisej favorit, duke parë momentin e mirë dhe qetësinë më të madhe, por Flamurtari konfirmoi se ka një skuadër mjaft cilësore, që thjesht ka nevojë për diçka të vogël: klub që të paguajë.

Luftëtari dhe Flamurtari kanë ndarë nga një pikë në Gjirokastër në një duel të mirëfilltë mbijetese. Në një stadium të tejmbushur dhe shumë të zjarrtë, ekipet kanë dhuruar një ndeshje mjaft të bukur mes tyre me raste për të shënuar sa në njërën portë, ashtu edh enë tjetrën. Por në fund të dy skuadrat nuk kanë dalë të kënaqura me barazimin 1-1.

Gjirokastritët krijuan më shumë raste në pjesën e parë dhe dominuan ndeshjen, duke arritur një kryesim të merituar në fillimin e fraksionit të dytë të lojës. Ata më pas shpërdoruar disa mundësi të mira për të mbyllur ndeshjen, ndërsa u ndëshkuan falë insistimit të Flamurtarit që u zgjua në fundin e takimit.

Por edhe vlonjatët nuk janë shumë të lumtur në këtë situatë, pasi një pikë nuk i largon nga zona e ftohtë e klasifikimit, ku kanë rënë pas dënimit të KDS-së.

Ndeshja fillon me shumë ritëm dhe gjirokastritët i afrohen golit pas pak sekondash. Abazaj kalon portierin Halili por nga një pozicion i prirët nuk e dërgon dot topin në rrjetë, i ndalur nga shtylla.

As Flamurtari nuk qëndron prapa dhe në të 7-tën një goditje dënimi e mesfushorit Shkodra nga e majta dhe topi në zonë nuk kontrollohet siç duhet nga Dushku i cili humb mundësinë për të goditur portën e portierit Miraka.

Flamurtari mban më shumë topin në këto minuta të para por nuk arrin t’i afrohet zonës së rreptësisë së vendasve. Ndaj e vetmja zgjidhje janë gjuajtjet nga larg por Miraka kontrollon qetësisht tentativat e Alves.

Në të 13-tën, një aksion i gjatë nga e djathta me shumë pasime për Luftëtarin. Rroca harkon mirë në shtyllën e dytë, ku Bregu gjendet i vetëm në zonë, por gjuajtja me kokë e mesfushorit është shumë e lehtë edhe pse në një pozicion të favorshëm dhe Halili pret pa probleme.

Pas 7 minutash, aksion nga e djathta i sulmuesit Abazaj, i cili jep një pasim perfekt në qendër ku Rroca shfaqet i vetëm në hyrje të zonës, por gjuajtja e tij e fuqishme ndalet nga Halili i cili grushton dhe largon rrezikun nga katërkëndori i tij.

Në të 23-tën, goditje nga këndi për Flamurtarin, topi përfundon te Shehaj i cili me kokë provon të gjejë portën por Miraka shfaqet në pozicion.

Vjen e 26-ta dhe Abazaj bën 40 metra me topin në këmbë në krahun e djathtë, duke arritur deri në fundoren por pasimi i tij në qendër për shokët e skuadrës nuk gjen askënd në pozicion për të rrezikuar portën vlonjate.

Në të 29-tën, tjetër goditje standarde për Flamurtarin dhe tjetër rrezik në portën e Luftëtarit. Këtë radhë është Kuqi që provon të gjejë rrjetën me një gjuajtje me kokë, por nuk gjen kuadratin.

Në fundin e pjesës së parë, një kundërsulm i shpejtë i gjirokastritëve që zgjidhet me një dalje në kufijtë e zonës të portierit Halili i cili kontrollon topin përpara Reginaldo.

Me fillimin e së dytës, entuziazëm i jashtëzakonshëm në Gjirokastër. Dejvi Bregu gjen në zonë Reginaldo me një harkim perfekt nga e majta dhe sulmuesi nuk fal me gjuajtjen me kokë pak hapa larg portës. 1-0 për Luftëtarin.

Bregu duket i pandalshëm në krahun e majtë, ku shfaqet dy herë radhazi në pozicion goditje përballë portës së portierit Halili. Në të parën ai nuk gjen kuadratin, ndërsa në të dytën është portieri që bllokon gjuajtjen në pozicion.

Galiç, i aktivizuar në pjesën e dytë, ka një mundësi të mirë për të barazuar shifrat por vonohet në zonë dhe në momentin e fundit gjuajtja e tij bllokohet nga mbrojtësit e vëmendshëm gjirokastritë të cilët i kanë lënë pak apo aspak hapësira kundërshtarëve në këtë sfidë.

Dejvi Bregu kërkon me ngulm një gol ndaj ish-skuadrës së tij dhe provon herë pas herë nga jashtë zonës. Tentativa e tij e radhës kalon pak mbi kryqëzimin e shtyllave në të majtë të portierit Halili falë një devijimi nga mbrojtja vlonjate.

Në të 66-tën, Rniç provon të gjejë portën me një goditje nga distanca me të majtën, por nuk gjen kuadratin e portës së portierit Miraka.

Në të 71-tën, Goditje dënimi e mesfushorit Shkodra pranë fundores nga e djathta. Harkimi i tij gjen në zonë Galiç i cili kërcen më lart se mbrojtësit gjirokastritë dhe gjuan me kokë por topi përfundon jashtë kuadratit, ngjitur me shtyllën.

Faye shpërdoron një mundësi të mirë për të mbyllur ndeshjen. Pasi Flamurtari humb topin në gjysmëfushë e vet, sulmuesi provon me një goditje të gabuar dhe shumë të lehtë nga jashtë zonës, ndërsa Abazaj dhe Reginaldo ishin në pozicione më të favorshme për të shënuar.

Në të 78-tën, Galiç jep një top nga e djathta në qendër por Miraka kontrollon në dy kohë. Loja ndalet për pak çaste pasi portieri ka marrë një dëmtim të rëndë gjatë aksionit duke u përplasur me shtyllën.

Dukej një ndeshje e mbyllur me Luftëtarin që kontrollonte qetësisht por çuditërisht rihapet brenda pak çastesh. Galiç shfaqet në krahun e djathtë pas një aksioni me shumë kombinime të Flamurtarit dhe mposht Mirakën me një goditje diagonale. 1-1.

Ndeshja është e hapur plotësisht me raste nga të dy portat, por askush nuk arrin të dërgojë topin në kuadrat, derisa në të 93-tën, Faye shpërdoron mundësinë për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij, pas një harkimi në zonë, duke dërguar topin shumë lart mbi traversë.

Ndeshja nuk ka më histori dhe mbyllet këtu, me të dyja ekipet të kënaqura, me pikën e marrë, për mënyrën si shkoi loja.

Javën e ardhshme, Flamurtari pret në shtëpi Vllazninë, ndërsa Luftëtari luan me Korabin në transfertë. /minuta90.com/

Luftëtari-Flamurtari 1-1

Golat: Reginaldo 50’/ Galiç 82’

Luftëtari: Miraka, Rapa, Boyom, Beqiri, Mersini, Rroca (Faye 69’), Aleksi, Ramadani, Bregu, Abazaj, Reginaldo (në dispozicion: Ruçi, Rapo, Lluka, Brahimaj, Dany, Zogaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Flamurtari: Halili, Beqaj, Kuqi, Veliu, Rniç, Dushku (Galiç 46’), Shkodra (Marku 90’+1), Telushi (Idrizaj 89’), Zeqiri, Shehaj, Alves (në dispozicion: Frashëri, Berisha, Gjinaj, Hoxhaj) Tr: Gentian Mezani

Gjyqtarë: Adrian Beqiri

Kartonë të verdhë: Aleksi 43’, Reginaldo 54’, Faye 89’/ Dushku 43’, Zeqiri 84’, Marku 90’+2

S'KA KOMENTE

Comments are closed.