Lojë e kujdesshme, Teuta dhe Vllaznia ndajnë pikët

0
SHPËRNDAJE

Teuta dhe Vllaznia kanë ndarë pikët sot në “Niko Dovana”, pas një barazimi pa shumë emocione dhe medoemos pa gola. Në një atmosferë të vakët, me shumë pak tifozë të pranishëm, edhe futbollistët kanë treguar pak gjëra për t’u mbajtur mend në fushën e lojës. Teuta dominoi në mbajtjen e topit, por munguan gjuajtjet e mirëfillta në kuadrat nëpërmjet aksioneve të rrjedhshme, ndërsa rreziku i vetëm për portën shkodrane ishte falë goditjeve standarde, të cilat gjithsesi u kontrolluan mjaft mirë nga miqtë.

Takimi fillon me një epërsi territoriale e Teutës në këto minuta të para, me durrsakët që fitojnë goditje këndi të njëpasnjëshme, por nuk prodhojnë raste të rrezikshme para portës shkodrane, të mbrojtur nga Agoviç.

Ritmi i lojës është shumë i ulët në këto minuta të para të ndeshjes, me skuadrat që kanë vështirësi të gjejnë hapësira dhe të tregohen të rrezikshme në sulm.

Rasti i parë regjistrohet në të 21-tën, kur Çmajçanin harkon një tjetër top në zonë nga këndorja, ndërsa Agoviç del saktësisht duke mos lejuar kapitenin e Teutës, Rustem Hoxha të shtynte topin në rrjetë.

Kur po kronometrohej e 23-ta, tjetër mundësi shënimi me goditje nga këndi për Teutën, pasi topi përfundon te Rustem Hoxha, por gjuajtja e këtij të fundit me kokë nuk gjen kuadratin shkodran.

Ndërsa, mundësia e parë serioze për Vllazninë vjen në të 28-tën, me anë të një goditjeje nga këndi. Topi harkohet në zonë ku dy futbollistë kuqeblu, Pepa dhe Vrapi devijojnë, por pa e kthyer drejt katërkëndorit.

Menjëherë pas kësaj mundësie, një aksion i shpejtë i mesfushorit Çyrbja nga e djathta. Shijakasi jep një harkim të gjatë në krahun tjetër për mesfushorin Musta por gjuajtja e këtij të fundit fluturimthi përfundon shumë lart mbi traversë.

Pjesa e parë mbyllet më një mundësi të mirë shënimi për Teutën. Pas një harkimi nga e majta, Rustem Hoxha gjuan me kokë i vetëm në zonë por topi kalon mbi traversë. Menjëherë pas gjuajtjes, gjyqtari Olsi Sokoli vërshëllen për fundin e pjesës së parë, një pjesë e parë me një ritëm shumë të ulët në këtë ndeshje, të ndërprerë nga faulle të shumta, sidomos në mesfushë.

Ndërsa, e dyta fillon pa zëvendësime te të dy skuadrat. Sapo nis pjesa e dytë, pikërisht në të 52-tën, tjetër rast i mirë shënimi i Teutës. Pas një goditje standarde, Magani ul topin për mesfushorin Musta por gjuajtja e këtij të fundit përplaset në trupin e kapitenit Rustem Hoxha dhe pastaj përfundon jashtë.

Vllaznia shpërdoron mundësinë më të mirë për të shënuar golin e avantazhit në këtë ndeshje, në minutën e 65-të. Gocaj shfaqet i vetëm para portës durrsake por goditja e tij mbi portierin Moçka, që është shumë e fortë dhe topi kalon mbi traversë.

Në të 75-tën, rrëmujë në zonën shkodrane, ku as Dita dhe as Bangal nuk arrijnë të kthejnë drejt portës topin pas një goditje dënimi. Mbrojtja kuqeblu dhe më pas portieri Agoviç largojnë rrezikun me vështirësi.

Pas 5 minutash, janë sërish të njëjtët protagonistë, Dita dhe Bangal që shpërdorojnë brenda pak çastesh një tjetër mundësi të mirë për të shënuar në portën e Vllaznisë ndërsa më pas Musta dërgon topin në rrjetë, por anësori Myftari sinjalizon për pozicion jashtë loje.

Në fund, ka 3 minuta shtesë, por as këto minuta nuk prodhojnë gol, me ndeshjën në Durrës që mbyllet me barazimin 0-0. Më e kënaqur me këtë pikë është Vllaznia, e cila mori një pikë të vlefshme, ndërsa Teuta vijon krizën.

Pika e siguruar sot në barazimin 0-0, nuk ndryshon gjërat në renditjen e Superiores, pasi as Vllaznia nuk lëviz nga vendi i 6, me shkodranët që shkojnë në kuotën e 20 pikëve, dhe as Teuta nga ai i parafundit, ku “djemtë e detit” mbeten të parafundit me 13 pikë të grumbulluara deri më tani.

Javën e ardhshme, Teuta luan në transfertë me Teutën, ndërsa Vllaznia pret në shtëpi Tiranën. /minuta90.com/

Teuta-Vllaznia 0-0

Gola: S’ka

Teuta (4-4-2): Moçka, Hodo, R. Hoxha, E. Hoxha, Kotobelli, Çyrbja (Gripshi 57’), Çmajçanin, Dita, Musta, Ribaj (Rashica 76’), Magani (Bangal 64’) (në dispozicion: Shala, Borshi, Shehi, Beqja) Tr: Gugash Magani

Vllaznia (4-3-3): Agoviç, Pjeshka, Bicaj, Vrapi, Gocaj, Tafili, Krymi, Bardulla, Çinari (Kruja 74’), Shtubina (Kapaklija 90’+3), Pepa (Hebaj 79’) (në dispozicion: Selimaj, Dyca, Dibra) Tr: Armando Cungu

Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Ermal Barushi, Dojando Myftari, Klajdi Kola

Kartonë të verdhë: E. Hoxha 32’, R. Hoxha 36’/ Pjeshka 42’, Krymi 58’, Bardulla 82’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.