Lotar Mateus: Anglia shumë shpejt do të jetë nga më të fortat në botë

0
SHPËRNDAJE

lotar-mateusPasi pa Anglinë të mundte kombëtaren e tij gjermane me një përmbysje madhështore në miqësoren e Berlinit, Lotar Mateus ka mbetur i shtangur nga “Tre Luanët” dhe beson se skuadra e Roi Hoxhsonit mund të shndërrohet shumë shpejt në një prej ekipeve më të fortë në botë.

Kapiteni i “pancerave” në triumfin e “Itali 1990” shtoi gjatë komentit të tij për televizionin “ITV” se kapiteni Uejn Runi (i dëmtuar) do ta ketë shumë të vështirë të gjejë më hapësirë në këtë skuadër, pasi mungesa e tij nuk u ndje aspak të shtunën.
Gjermania kaloi në avantazh 2-0, por Herri Kejn (me golin “alla Krujf”), Xhemi Vardi (me thembër) dhe Daier (me kokë) prodhuan një përmbysje që i la të gjithë gojëhapur jo vetëm për rezultatin, por edhe për lojën që prodhuan. Hoxhson hodhi në fushë një skuadër plot energji dhe të uritur me 4 titullarë të Totenhemit (Daier, Dele Ali, Kejn dhe Rouz). Mosha mesatare e ishullorëve nuk i kalonte 24 vjeçët.

“Trajneri i Gjermanisë, lojtarët dhe tifozët nuk do të jenë të kënaqur me këtë rezultat. Por ne duhet të pranojmë se futbolli anglez, veçanërisht në pjesën e dytë, ishte më i mirë se ai gjerman dhe ne nuk mund të jemi të zemëruar me këtë rezultat”, tha legjenda e Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut.

“Anglia më surprizoi totalisht kur shikon skuadrën, lojtarët e rinj, por lojtarë që u pëlqen të fitojnë dhe japin më të mirën për fanellën e vendit të tyre. Unë shpresoj që këtë ta ketë vërejtur edhe trajneri dhe t’u japë këtyre të rinjve një shans për të ndërtuar një skuadër të mirë për kompeticionet e rëndë- sishme, Europianin ‘Francë 2016’ dhe Botërorin ‘Rusi 2018’.

Kjo është një skuadër, e cila ka një shans të madh që, nëse luan si në këtë ndeshje, atëherë do të bëhet një nga më të fortat në botë brenda 3 vitesh”, analizoi Mateus. Hoxhsonit i mungonte kapiteni Runi, i cili vijon rehabilitimin pas dëmtimit në gju, që e ka mbajtur larg fushës prej muajit shkurt. Ai është shënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, por Mateus e shikon të vështirë që ai të rikthehet në formë përpara Europianit. “Unë jam një tifoz i madh i Uejn Runit. Por në këtë ndeshje, neve ai nuk na mungoi aspak”, përfundoi Mateus.

S'KA KOMENTE

Comments are closed.