Lufta Berisha-Bunjaki, Sokoli është me trajnerin

0
SHPËRNDAJE

Bëri shumë bujë dje braktisja e Kosovës nga ana e sulmuesit Besart Berisha, i cili i zhgënjyer nga ulja në stol kundër Turqisë sulmoi ashpër trajnerin Albert Bunjaki, duke e quajtur teknikun më të paaftë që ka njohur dhe duke deklaruar se nuk kthehet më te Kosova sa të jetë aty trajneri Bunjaki.

Në përgjithësi opinioni publik në Kosovë i ka dhënë të drejtë sulmuesit idhull në Australi, por një emër i madh i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, del kundër rrymës, duke i dalë në krah trajnerit Bunjaki.

Sipas trajnerit Sokoli, nuk është çështja sa vlen Berisha dhe a duhej të luante apo jo, por duhet respektuar çdo vendim i trajnerit dhe pastaj janë të tjerë ata që gjykojnë punën e tij.

“Mendoj se Besart Berisha nuk ka të drejtë që t’i komentojë në këtë mënyrë cilësitë e trajnerit Bunjaki, sepse ai duhet t’i zbatojë urdhrat e trajnerit dhe jo të vlerësojë punën e tij. Punën e trajnerit e vlerësojnë të tjerët, ne trajnerët e sportit dhe organet kompetente (ata që e kanë zgjedhur).

Në këtë rast unë i jap të drejtën trajnerit Bunjaki, i cili ka të drejtën që të  vendosë se kush do të luajë dhe si do të luajë.

Nuk guxojmë që në start të krijimit të përfaqësueses tonë të lejojmë që në kompetenca të trajnerit të përzihet kush të dojë dhe më së paku lojtarët që trajneri i përzgjedh dhe udhëheq.

Nëse këtë e lejojmë, atëherë do të jetë vështirë që t’i vendosim themelet e mirëfillta të krijimit të marrëdhënieve dhe shprehive në ekipin tonë dhe që ky faktor është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e ekipit tonë, edhe pse i ri, por shumë cilësor”,-mbylli prononcimin e tij, një ndër trajnerët më të njohur në Kosovë, Bylbyl Sokoli. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.