Luftëtari bie ndaj Skënderbeut, Gjergji Muzaka debuton me gol

0
SHPËRNDAJE

Skënderbeu ka arritur një fitore të madhe me rezultatin 3-0 në shtëpi ndaj Luftëtarit në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore. Gjergji Muzaka debutoi me gol për korçarët teksa zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të, ndërsa Latifi në minutën e 36′ dhe Radas në minutën e 75-të dhuruan spektakël me dy supergola.

Pavarësisht rezultatit të thellë, Luftëtari tregoi dëshirë gjatë gjithë lojës duke rrezikuar jo pak herë prapavijën e kampionëve në fuqi.

Takimi nis i shpejtë, ku që në të 6-tën Skënderbeu i afrohet golit teksa një krosim nga e djathta gjen të lirë në zonë Salihi i cili mundohet të godasë portën, por topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën.

Të dyja ekipet si Skënderbeu, ashtu edhe Luftëtari mundohen të dalin me lojë të shpejtë në sulm, por iu mungon pasi i fundit i saktë.

Eshtë minuta e 25-të dhe Skënderbeu kalon në avantazh me anë të mesfushorit Muzaka. Latifi driblon të gjithë lojtarët që i dalin përpara duke u futur drejt qendrës nga e majta dhe pason në zonë për sulmuesin Salihi, teksa ky i fundit e kthen topin pas te Muzaka i cili godet saktësisht në portë. 1-0.

Në të 35-tën, Luftëtari i afrohet shumë golit me anë të mesfushorit Zguro i cili godet shtyllën, por korçarët arrijnë të largojnë më pas topin mbi vijën fatale.

Pa u mbushur as 60 sekonda pas këtij rasti, Skënderbeu del në një kundërsulm të shpejtë dhe Latifi shënon një supergol me një goditje mjaft të bukur nga nga jashtë zonës. 2-0.

Pjesa e parë mbyllet me Luftëtarin që kryen zëvendësimin e parë të detyruar, teksa largohet Dejvi Bregu i dëmtuar, ndërsa në fushë futet Silvio Zogaj. Ndërkaq, fraksioni i dytë nis me një lojë të qetë në këto minuta të para të pjesës së dytë teksa mungojnë rastet e rrezikshme.

Të dy trajnerët si Ilir Daja, ashtu edhe Mladen Milinkoviç, bëjnë zëvëndësimet e tyre, teksa në lojë aktivizohen Gavazaj dhe Gripshi për Skënderbeun, ndërsa për Luftëtarin aktivizohet mbrojtësi Marius Topi.

Eshtë minuta e 75-të, Radas shënon golin e tretë për Skënderbeun pas ekzekutimit perfekt të një goditjeje dënimi nga një distancë e konsiderueshme. 3-0.

Ndërkaq, deri në fund nuk ka më histori dhe ndeshja mbyllet këtu, me Skënderbeun që merr fitoren e katërt radhazi nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja në kampionat, ndërsa nga ana tjetër pakkush e priste këtë rezultat të thellë duke parë edhe formën e Luftëtarit këtë sezon.

Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 44 pikëve, duke mbajtur vendin e dytë dhe duke iu afruar në vetëm 1 pikë diferencë Kukësit që luan nesër në Laç, ndërkohë Luftëtari mbetet në kuotën e 28 pikëve, përkohësisht në vendin e 4-t të renditjes.

Javën e ardhshme, Skënderbeu luan ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, ndërsa Luftëtari pret Laçin në shtëpinë e saj, në stadiumin “Gjirokastra”. /minuta90.com/

Skënderbeu-Luftëtari 3-0

Golat: Muzaka 25’, Latifi 36’, Radas 75’

Skënderbeu (4-3-3): Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Muzaka (Gavazaj 71’), Orelesi (Nimaga 84’), Lilaj, Adeniyi (Gripshi 76’), Latifi, Salihi (në dispozicion: Llapanji, Osmani, Predescu, Plaku) Tr: Ilir Daja

Luftëtari (4-2-3-1): Ruçi, Liçaj, Rapa, Aleksi, Zguro, Muttumane, Rapo (Topi 80’), Lamçja, Rroca, Bregu (Zogaj 45’), Reginaldo (në dispozicion: Miraka, Puçi, Mahmutaj) Tr: Mladen Milinkoviç

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Rejdi Avdo, Enea Pashaj, Olsi Sokoli

Kartonë të verdhë: Jashanica 21’, Radas 62’, Mici 63’ / Rapo 30’, Aleksi 47’, Rapa 60’

S'KA KOMENTE

Comments are closed.