Luftëtari e shet mesfushorin Bregu vetëm jashtë

0
SHPËRNDAJE

Driblime, asist, shpërthyes në krahun e djathtë dhe gola me mesatare prej “bomberi”. Mesfushori Dejvi Bregu ishte një prej lojtarëve që shkëlqyen në këtë sezon te Kategorisë Superiore.

Një prej yjeve të Luftëtarit që i mahniti të gjithë me lojë. Titullar fiks në thuajse të gjitha ndeshjet e gjirokastritëve në kampionat dhe i lakmuar nga klubet më të rëndësishme në vend.

Ofertë publike nga Flamurtari, ku trajneri Shpëtim Duro e ka pranuar se dëshiron ta kthejë në skuadrën që e promovoi në vitin 2012, kur ende nuk e kishte festuar 17-vjetorin e lindjes. Interesim konkret ka pasur nga Partizani, ndërsa Skënderbeu ka shkuar edhe më tej, duke nisur negociatat me Luftëtarin.

Ndërkohë që, drejtuesit e klubit gjirokastritë provojnë të rezistojnë, për të mos humbur xhevahirin e skuadrës. Në bisedat që kanë zhvilluar me mesfushorin Bregu, ata i kanë theksuar se janë të gatshëm ta shesin vetëm në një ligë europiane, ndërsa nëse lojtari do të vendoste të luante sërish në Kategorinë Superiore, ai do të mbetet në qytetin që është kthyer në shtëpinë e tij të dytë.

I transferuar në janar të vitit 2016 në Gjirokastër, kur skuadra luante ende në Kategorinë e Parë, Dejvi Bregu ishte një bast i fituar për Luftëtarin. Rikthimi në elitën e futbollit, e shndërroi 21-vjeçarin në një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit. Edhe pse rrethanat nuk e donin që bluzinjtë të luanin në Kupat e Europës në fund të sezonit, te Luftëtari nuk dëshirojnë të privohen nga ylli i ekipit, për të synuar një tjetër edicion si protagonistë. /minuta90.com/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.