Lushnja/ Drejtori Hysko: Kemi qenë shumë pranë pikëve. Do bëjmë merkato dhe do respektojmë kampionatin

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Asnjë pikë në fazën e dytë të kampionatit, katër humbje radhazi dhe një distancë me -7 pikë nga vendi i qëndrimit në Kategorinë Superiore. Lushnja nuk po kalon një moment të mirë për sa i përket rezultatit sportiv. Pesë pikë në 12 javë të luajtura deri më tani e kanë lënë ekipin prapa rivalëve për mbijetesë.

Drejtori teknik i Lushnjës, Altin Hysko, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se skuadra po rivalizon në çdo ndeshje, edhe pse kanë munguar rezultatet. “Mendoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe shumë pak gjëra na kanë munguar për të marrë rezultate pozitive, sidomos me Flamurtarin dhe së fundmi me Kamzën.

Kemi shfaqur probleme të vazhdueshme në mbrojtje, por ekipi ka dhënë maksimumin, ka bërë përpjekje dhe më së shumti, humbjet kanë qenë episodike. Nuk jam i mendimit që portieri na shpëtoi nga një humbje turpëruese në Kamzë. Ekipi pati mundësi për gol të dytë me Prençin.

Me Gavën kemi prekur barazimin në fund. Mendoj se ishte një rast i jashtëzakonshëm dhe loja duhet të ishte mbyllur 2-2”, është shprehur drejtori Hysko. Ish-mbrojtësi i lushnjarëve në vitet 1992-2003 theksoi se Lushnja nuk do të dorëzohet dhe do ta respektojë garën deri në fund.

“Kemi mangësi pikësh, por kemi një kampionat shumë të gjatë. Ekipi është i përkushtuar në çdo stërvitje. Trajneri Dedja ka mbështetjen maksimale nga klubi, nga të gjithë ne. Ekipi jep shpresë për të marrë rezultate. Kujtojmë që kemi edhe një kontingjent futbollistësh të dëmtuar, që gradualisht po rikuperohen dhe janë pranë rikthimit. Në fushë ka dalë Branica, por do të dalë edhe Korreshi. Gjithashtu presim rikthimin e Xhafës.

Në janar ne do të ndërhyjmë me katër afrime cilësore. Stafi ka biseduar me biznesmenë lushnjarë, të cilët janë dashamirës të futbollit për sponsorizimin e katër afrimeve në merkaton e janarit, që do të bëhen nga këto donacione, biznese që kanë dëshirë ta ndihmojnë Lushnjën. Tani s’na mbetet gjë tjetër, veçse të minimizojë diferencën me rivalët. Nuk e shkojmë ndër mend që të dorëzohemi”, ka përfunduar drejtori teknik i verdhejeshilëve.

Tre brazilianët e famshëm të Lushnjes në vitin 1997

 

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.