Lushnja/ Fation Sefa: Llogaritë bëhen në fund. Është vetëm fillimi

0
SHPËRNDAJE
Loading...

Sulmuesi Fation Sefa dhe kapiteni Çela

Superiorja/ Ka mjaftuar ajo humbje 0-2 me Vllazninë në javën e parë të kampionatit dhe Lushnjën e konsideruan të gjithë si kandidaten e parë për të rënë një kategori më poshtë. Në fakt, paraqitja e skuadrës së trajnerit Artan Bano në Fier, sepse po vuan edhe mungesën e stadiumit të saj, ishte e dobët, por në kampin lushnjar e mendojnë thjesht një moment të keq dhe besojnë shumë se në vazhdim gjërat do të jenë ndryshe. Duke nisur që nga ndeshja e nesërme me Flamurtarin, që do të luhet në stadiumin e Ballshit, ngaqë edhe vlonjatët për momentin kanë probleme me stadiumin. Kapiteni i Lushnjës, Fatjon Sefa, thekson se skuadra e tij është e paragjykuar. Gjykimin e saktë ai ia lë kohës, ndërkohë që ka apelin e zakonshëm për të luajtur me shpirt në ndeshjen e javës së dytë.

Sefa, a është gati Lushnja të bëjë ndryshimin në ndeshjen e javës së dytë të kampionatit me Flamurtarin?

Po, them se jemi gati për të bërë një tjetër ndeshje këtë radhë në krahasim me atë të javës së parë me Vllazninë, ku dolëm pa pikë. Ishte vetëm ndeshja e parë dhe kaq.

Ju ndihmon disi fakti që me Flamurtarin luani në një fushë asnjanëse?

Nuk e shoh ndeshjen në këtë drejtim, sepse në futbollin profesionist nuk duhet llogaritur fare kjo gjë. Kur del në fushë, nëse nuk jep maksimumin, gjithçka që ke, nuk mund t’ia dalësh për të marrë pikë, kudo që të luash.

Megjithatë, tifozët kanë ndikimin e vet, apo jo?

Patjetër që po. Edhe për ne do të ishte shumë mirë, nëse do ta kishim luajtur ndeshjen me Vllazninë në Lushnjë. Mbështetja e tifozëve është vendimtare në futboll. Detyra jonë tani është që të fitojmë dhe t’i kënaqim ata. I rëndësishëm është rezultati, pasi një zhgënjim i dytë do të ishte i papranueshëm për skuadrën dhe për tifozët.

Pas humbjes me Vllazninë, në opinionin sportiv është thënë se Lushnja është skuadra e parë, që rrezikon rënien. Paragjykim apo..?

Le të thonë çfarë të duan, ne do të bëjmë punën tonë me të gjitha forcat. E vërteta është se Lushnja është e paragjykuar nga të gjithë, por ndoshta kjo na bën më të fortë. Koha do ta tregojë se cilat skuadra do të bien nga kategoria, pra llogaritë i bëjmë në fund. E përsëris se Lushnja do të luajë futboll me të gjitha mundësitë që ka dhe besoj se do të jemi një skuadër e denjë për elitën. Rreziku është, por të presim dhe të shohim.

Për të fituar, Lushnjës i duhen gola dhe ju luani në sulm. Çfarë presim nga Sefa nesër?

Sefa për këtë arsye ka qëndruar te Lushnja, edhe pse ka pasur disa oferta të tjera. Dua ta ndihmoj skuadrën e qytetit tim për të arritur objektivin me lojë dhe gola. Por e rëndësishme është të fitojmë me Flamurtarin, pavarësisht se kush shënon.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU