Lushnja “kërcënon” FSHF-në

0
SHPËRNDAJE

Superiorja/ Drejtori sportiv Çobani kërcënon me vetëgjyqësi në Roza Haxhiu, duke akuzuar direkt FSHF-në për ndëshkime me 2 standarde në dëm të Lushnjes

Shija e hidhur e humbjes ndaj Kamzës vazhdon të mbajë ndezur irritimin në qarqet futbolldashëse të qytetit të Lushnjes, por edhe vet brenda kampit verdhjeshil të futbollit. Përveç mungesës së fatit dhe gabimeve trashanike që u identifikuan nga futbollistë të veçantë të formacionit verdhejeshil, zyrtarët më të lartë të Lushnjes janë marrë jo pak edhe me ngjarjet në stadiumin e Kamzës, ku sipas tyre pati akte rrugaçërore dhe presione të mëdha ndaj arbitrave.

KF.Lushnja ka dalë me një notë proteste, lexuar nga koordinator sportiv Artur Çobani në një konferencë për shtyp.

“Ne si drejtues të Lushnjes me anë të kësaj note proteste kontestojmë me forcë veprimet antisportive, sharjet rrugaçërore, shpesh herë me nota të ashpra kërcënuese ndaj gjyqtarëve, që një grup tifozësh të inspiruar edhe nga presidenti i Kamzës Naim Qarri, së bashku me djemtë e tij, si dhe me trajnerin Ramadan Ndreu, kanë bërë pothuajse gjatë gjithë zhvillimit të takimit Kamza-Lushnja. Kjo dhunë verbale bëhet akoma më evidente kur ndërmerret në tribunën VIP nga drejtuesi nr.1 i ekipit të Kamzës, si dhe nga trajneri i këtij ekipi brenda në fushë. Me anë të kësaj note proteste i drejtohemi komisioneve përkatëse të FSHF-së për t’i paraprirë me masat më të rrepta në bazë të rregullores së lojës këtyre fenomeneve që ndikojnë direkt në gjykimin jo real të ndeshjes dhe jo vetëm.

Ekipi i Lushnjes po zhvillon një garë të ndershme, ndërkohë që ne si stadium jemi penalizuar me gjoba financiare për veprime shumë herë më të vogla të tifozëve tanë në Roza Haxhiu. FSHF nuk duhet të veprojë me 2 standarde për ekipe të ndryshme të Superiores.

Nëse ekipe si Flamurtari, Lushnja dhe ndonjë tjetër dënohen për veprime shumë herë më të vogla të tifozëve të tyre, nuk mund të tolerohen drejtuesi e Kamzës dhe trajneri i tyre për kërcënime ndaj gjykimit si dhe për ofendime e kërcënime ndaj punonjësve të policisë në tribunën qendrore dhe brenda në fushën e lojës. Ka qenë trajneri Ramadan Ndreu që pas shënimit të golit të parë nga Lushnja nuk ka reshtur së shari dhe së kërcënuari arbitrin kryesor dhe asistentin Dervishi për çdo vendim të tyre, duke tentuar disa herë të futet edhe në fushë. Ndërkohë të njëjtin presion ka bërë edhe një grup tifozësh në tribunën qendrore, të dirigjuar me fyerje dhe kërcënime banale nga Presidenti Qarri dhe 2 djemtë e tij, në adresë të gjyqtarëve dhe të forcave të rendit, që në rastin konkret kanë qenë inekzistente, duke mos ndalur konform rregullores personat në fjalë.

Kjo dhunë psikologjike e ushtruar ndaj gjyqtarëve ka detyruar këta të fundit që shpeshherë të marrin vendime të gabuara në dëm të Lushnjes.
Mjafton të përmendim rastin e faullit inekzistent që Myrtaj akordoi në dëm të Lushnjes mbi vijën e zonës nga ku u prodhua edhe goli i barazimit për Kamzën. Edhe goli i dytë i Kamzës u gatua nga krosi i një futbollisti i cili ishte në pozicion jashtë loje, ndërkohë që nga ky presion arbitri ka hezituar të nxjerrë edhe një karton të kuq ndaj një futbollisti të Kamzës.

Theksojmë se edhe në takimin e parë ndaj Kamzës gjykimi i njëanshëm kundër Lushnjes na ka mohuar një fitore të pastër. Pra, vetëm në 2 takimet ndaj Kamzës Lushnjes nuk i është lejuar të koleksionojë 5 pikë. Nëse do të veprohet me këto standarde aspak reale nga FSHF, ne si drejtues jemi të detyruar t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë garës në ndeshjet e ardhshme, duke filluar që nga ndeshja e radhës ndaj Partizanit. Ne jemi një klub serioz që duam të respektojmë garën me ndershmëri, por me padrejtësitë që na janë bërë në vazhdimësi nga këto fenomene të padrejta, jemi të detyruar të fusim nën presion gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjeve si dhe ekipin udhëtues në Lushnje”.

Lushnja feston golin

S'KA KOMENTE

Comments are closed.